Ministri Reçica tregon objektivat kryesore të MPMS-së - Bota Sot
Ministri Reçica tregon objektivat kryesore të MPMS-së

Intervista

E enjte, 26 prill 2018

Ministri Reçica tregon objektivat kryesore të MPMS-së

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 2 shkurt 2018 Në ora: 11:19
Skender Reçica

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, thotë se paga minimale në Kosovë duhet të jetë 250 euro. Reçica, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se përcaktimi i pagës në Kosovë nuk ka ndikim në skemat pensionale të cilat menaxhohen nga MPMS. Sipas tij,  rritja e pagës minimale nuk afekton asnjë nga skemat pensionale dhe sociale që ata i kanë në kuadër të Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga shteti, por edhe në pensionet të cilat menaxhohen nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Reçica ka treguar edhe për statistikat e tyre për familjet që jetojnë me më pak se dy euro në ditë, gjersa ka shtuar se me propozimin e MPMS-së është aprovuar rritja e vlerës së ndihmave sociale për 20% duke filluar nga janari 2018 dhe kjo rritje do të ndikojë që disa familje t’i nxjerrë nga varfëria e skajshme.

“Bota sot”:  Si e keni gjetur Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale që nga dita e parë dhe çfarë keni ndryshuar që nga marrja e mandatit?

Skender Reçica: Ministrinë nuk e kam gjetur në gjendje të mirë në aspektin e zbatimit të obligimeve ligjore karshi kategorive të ndryshme përfituese të skemave pensionale të financuara nga shteti, me një mungesë buxhetore prej afër 34 milionë euro për pensionet e veteranëve të luftës së UÇK-së, përfituesit nga ligji për paraplegjik dhe tretraplegjik, përfituesit e pensioneve familjare dhe invalidore të punës. Mirëpo, menjëherë pas marrjes së detyrës, jam angazhuar maksimalisht që obligimet e lartpërmendura t’i realizojmë prandaj, këto kategori nuk do t’i kenë më në vitin 2018 problemet që i kanë pasur deri më tani. Të gjitha kërkesat që janë pranuara nga kategoritë e lartë-cekura, e që janë shqyrtuar nga MPMS, pagesat do të fillojnë nga fundi i janarit të këtij të këtij viti.

“Bota sot”: Kosova vazhdon të ketë shkallën e lartë të papunësisë, si do t’ia bëni ta zbutni këtë gjendje?

Skender Reçica: Shkalla e lartë e papunësisë është një nga shqetësimet tona kryesore andaj qysh nga marrja e detyrës, jam angazhuar në mënyrë konkrete konkret sa i përket zbutjes së papunësisë.

Gjatë kësaj periudhe, nëpërmjet zyrave të punësimit janë ndërmjetësuar në punësim 2248 persona, prej tyre 1134 janë të punësuar të rregullt, ndërsa 1114 persona janë përfshirë në masat aktive të tregut të punës, që lirisht kjo periudhë mund të konsiderohet si një trend në rritje të punësimit. Objektivit të punësimit i ka paraprirë edhe aftësimi profesional, ku gjatë kësaj periudhe në Qendrat e Aftësimit Profesional janë trajnuar 1 176 punëkërkues dhe janë certifikuar 725 punëkërkues të tjerë, të cilët tashmë kanë trajnimin e duhur dhe janë të gatshëm për tregun e punës. Është e rëndësishme të përmendet edhe hartimi strategjisë sektoriale të MPMS-së dhe Plani i Veprimit të Punësimit të të Rinjve i cili para pak ditësh është miratuar në Qeveri. Këto dy dokumente adresojnë qartë objektivat e MPMS-së dhe Qeverisë në luftimin e papunësisë, përkatësisht punësimin e të rinjve, avancimin e kushteve të punës, sigurisë dhe shëndetit në punë, aftësimin profesional, orientimin në karrierë dhe gjithashtu përfshinë objektivin kryesor punësimin e një anëtari të familjes, të atyre familjeve që nuk kanë asnjë të punësuar.

“Bota sot”: Papunësia më e theksuar është te gratë se sa te burrat, çfarë do të bëni për rritjen e punësimit të gjinisë femërore?

Skender Reçica: Jemi të vetëdijshëm se tregu i punës në Kosovë karakterizohet nga një disbalancë e madhe gjinore dhe se papunësia është veçanërisht e lartë tek gratë dhe kjo është një sfidë që duhet adresuar. Edhe në kuadër të Strategjisë Sektoriale 2018-2022, por edhe në kuadër të angazhimeve të mia, një nga objektivat strategjike për vitin 2018 dhe përgjatë mandatit është ulja e nivelit të papunësisë dhe jo aktivitetit ekonomik, me fokus të veçantë te gratë.

“Bota sot”: Mungesa e sigurisë dhe shëndeti i punëtorëve në të gjitha sektorët në përgjithësi është e vogël, çfarë jeni duke ndërmarr në këtë aspekt?

Skender Reçica: Menjëherë pas marrjes së mandatit, rëndësi të veçantë i kam kushtuar sigurisë dhe shëndetit në punë ku vlen të përmendet se janë transpozuar gjithsej 16 Direktiva të Bashkimit Evropian në legjislacionin e Kosovës, të cilat avancojnë kushtet e punës apo garantojnë standardet minimale sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës. Gjithashtu, kemi miratuar një sërë aktesh nënligjore, si nga siguria dhe shëndetin në punë. Angazhimi ynë për vitin që po hymë është edhe funksionalizimi i Këshillit Nacional për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.

“Bota sot”: Numri i rasteve të vdekjes së punëtorëve në vende të punës vitet e fundit ka shënuar rritje, a ka ndonjë rast që Inspektorati ka dënuar për shkeljet e kushteve të punës?

Skender Reçica: Bazuar në të dhënat e Inspektoratit të Punës, për secilin rast aksidental me fatalitet në vendin punës, të lajmëruar nga punëdhënësi, Policia e Kosovës ose nga ndonjë organ tjetër i mbikëqyrjes së Ligjeve, për shkeljet ligjore të cilat rregullojnë lëmin e sigurisë dhe shëndetit në punë, Inspektorati i Punës në pajtim me kompetencat që ka dhe ligjin në fuqi kanë marrë masa ndëshkuese adekuate. Garantimi i standardeve minimale të sigurisë dhe shëndetit në punë do të jetë një objektiv tjetër i MPMS-së. Është e rëndësishme të përmendet se ne  jemi në periudhën e përfundimit të Projektligjit për Inspektoratin e Punës, i cili gjithashtu do të jetë një ligj i avancuar. Do të fokusohemi në fuqizimin e rolit të inspektoratit, si në aspektin e ngritjes së kapaciteteve, po ashtu edhe në shtimin e numrit të inspektorëve.

“Bota sot”: Keni deklaruar se punësimi i një anëtari të secilës familje që nuk ka asnjë të punësuar, mbetet prioritet i Ministrisë, a keni ndërmarr ndonjë hap për këtë?

Skender Reçica: Punësimi i një anëtari të familjes për secilën familje që nuk ka asnjë të punësuar, aftësimi profesional dhe orientimi në karrierë si dhe vetëpunësimi janë objektivat tona kryesore për vitin 2018 dhe përgjatë mandatit qeverisës. Punësimi i një anëtari të familjes për secilën familje që nuk ka asnjë të punësuar si dhe zvogëlimi i përfitueseve të asistencës sociale nëpërmjet aktivizimit të tyre në tregun e punës, nëpërmjet masave aktive të tregut si: subvencionim të pagave, angazhim në punët publike, grande për vetëpunësim, praktikë në punë dhe trajnim në punë do jenë aktivitetet kryesore në përmbushjen e këtyre objektivave.

“Bota sot”: Si prioritet tjetër në qeverisjen tuaj, e keni renditur vetëpunësimin dhe aftësimin profesional, si do të arrini ta zgjidhni këtë?

Skender Reçica: Në kuadër të masave aktive të tregut të punës, kemi paraparë edhe vetëpunësimin dhe aftësimin profesional. Aftësimi profesional është bazë e orientimit profesional të të rinjve tanë në karrierë. Ne kemi Qendrat për Aftësim Profesional mirëpo në bashkëpunim me MASHT-in, planifikojmë në të ardhmen ndërtimin e një shkolle për aftësim profesional që do të kontribuojë pozitivisht në punësimin e të rinjve tanë. Sa i përket vetëpunësimit, dua të përmend se ne kemi të rinj dhe të reja të cilët kanë ide konkrete dhe do t’i mbështesim ata nëpërmjet orientimit të buxhetit edhe në këtë pikë por edhe duke bashkëpunuar edhe me donatorët.

“Bota sot”: Serbët dhe minoritetet tjera vazhdojnë të marrin nga dy pensione, a do ta parandaloni këtë?

Skender Reçica: Të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, gëzojnë të drejta të barabarta në bazë të ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti.  Për personat të cilët janë përfitues të cilitdo pension të skemave pensionale, ne kujdesemi gjithmonë duke u bazuar në të drejtat e përcaktuara me ligj.

“Bota sot”: Çfarë do të ndodhë me pensionet e dyfishta, pra me ata që marrin pensione edhe në Diasporë edhe në Kosovë?

Skender Reçica: MPMS është duke i negociuar Marrëveshjet për Sigurime Sociale me disa shtete. Me Zvicrën dhe Belgjikën tashmë i kemi përmbyllur të gjitha negociatat rreth marrëveshjeve për sigurime sociale dhe ka mbetur vetëm të caktohet data e nënshkrimit të tyre si dhe kemi iniciuar marrëveshje të ngjashme edhe me Austrinë, Kroacinë dhe shtete tjera. Me nënshkrimin e marrëveshjeve të lartpërmendura,  do të mundësohet shkëmbimi informacioneve për të gjithë qytetarët që marrin pensione në shtetin përkatës me të cilin do të kemi marrëveshje dhe do të koordinohen veprimet e mëtutjeshme që kanë të bëjnë me pagesën ose ndërprerjen e pagesës së pensionit. Gjithashtu, kemi nënshkruar marrëveshje për njohjen e periudhave të sigurimit në mënyrë të ndërsjellë me Shqipërinë dhe marrëveshje të ngjashme kemi edhe me Malin e Zi dhe Maqedoninë.

“Bota sot” Sa duhet të jetë paga minimale sipas jush?

Skender Reçica: Këshilli Ekonomiko Social, punën e të cilit e koordinoj unë tashmë ka paraqitur propozimin për pagën minimale në vlerë 250 euro. Duhet cekur se propozim për rritje të pagës minimale nuk ka pasur që nga viti 2011 dhe bazuar në Udhëzimin Administrativ 07/2017 për përcaktimin e kritereve për caktimin pagës minimale, Komisioni profesional për Financa, Ekonomi dhe Privatizim i KES ka paraqitur këtë propozim. Propozimni për rritje të pagës minimale ne tashmë ja kemi dorëzuar qeverisë për miratim.

“Bota sot”: Rritja e pagës minimale a lidhet me pensionet e veteranëve?

Skender Reçica: Përcaktimi i pagës minimale në Kosovë nuk ka ndikim në skemat pensionale të cilat menaxhohen nga MPMS. Rritja e pagës minimale nuk afekton asnjë nga skemat pensionale dhe sociale që ne i kemi në kuadër të Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga shteti por edhe në pensionet të cilat menaxhohen nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Bota sot”: Cila kategori sociale e rëndon më shumë buxhetin e Ministrisë?

Skender Reçica: Në buxhetin për vitin 2018 për mbulimin e kategorive të ndryshme sociale janë planifikuar për t’u shpenzuar mbi 393.6 milionë euro për skema të ndryshme pensionale, sociale dhe kompensime për kategori të luftës. Në bazë të ndarjeve buxhetore, skemat të cilat më së shumti e rëndojnë buxhetin janë skemat pensionale ku bëjnë pjesë me shumën prej mbi 256.5 milionë euro, pastaj skemat dhe kompensimet e kategorive të luftës me mbi 96.7 milionë euro dhe skemat për mbështetjen e kategorive sociale duke përfshirë shërbimet sociale me mbi 40.3 milionë euro.

“Bota sot”: A keni statistika për numrin e familjeve që jetojnë me më pak se 2 euro në ditë?

Skender Reçica: Në bazë të të dhënave që i kemi, MPMS gjatë viteve të fundit nuk ka realizuar ndonjë hulumtim dhe nuk ka statistika zyrtare se sa është numri i familjeve me më pak se dy (2) euro në ditë, por i referohet të dhënave të familjeve në Skemën e Ndihmë Sociale. Aktualisht në Skemën e Ndihmës Sociale përfitojnë mbi 26,000 familje me mbi 106,000 anëtarë të cilat deri me 31 dhjetor 2017 kanë marrë ndihmë sociale në bazë të numrit të anëtarëve të familjes duke filluar  nga 50 euro për familjen me një anëtare dhe 150 euro  për familjen 15 anëtarë.  Në mbledhjen e fundit të Qeverisë, unë kam paraqitur propozim vendimin për rritje prej 20% të pagesës për familjet përfituese të asistencës sociale, propozim i cili është miratuar. Nga muaji Janar 2018, familjet me një anëtare do të përfitojnë nga 60 euro dhe familje me 15 anëtarë do të përfitojë nga

“Bota sot”: Çfarë politikash do të ndjek Ministria juaj për t`ua ndryshuar gjendjen këtyre familjeve?

Skender Reçica: Siç e ceka edhe me lartë, me propozimin e MPMS-së është aprovuar rritja e vlerës së ndihmave sociale për 20% duke filluar nga janari 2018 dhe kjo rritje do të ndikojë që disa familje t’i nxjerrë nga varfëria e skajshme, por objektivat dhe planet e MPMS-së janë që të zvogëlohet numri i familjeve në Skemën e Ndihmës Sociale, duke i angazhuar në programet e punësimit dhe aftësimit profesional. Gjatë këtij viti pritet të fillohet me zbatimin e programeve dhe projekteve të cilat do të financohen nga Buxheti i MPMS-së dhe fondet e donatoreve që disa familje që bëjnë pjesë në Kategorinë e II-të të Ndihmave Sociale të përfshihen në masat aktive të tregut të punës siç janë subvencionimi i pagave, vetëpunësimi dhe fillimi i ndërmarrësisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test