Tri praktikat që duhet të ndryshohen në prokurorimin publik - Bota Sot
Tri praktikat që duhet të ndryshohen në prokurorimin publik

Intervista

E premte, 25 maj 2018

Tri praktikat që duhet të ndryshohen në prokurorimin publik

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 6 shkurt 2018 Në ora: 23:37
Isuf Zejna

Gjyqësori i dobët dhe ndërhyrjet politike mbesin shkaktarët kryesore për dështimin e luftimit të korrupsionit. Kështu thotë, menaxheri i projektit në organizatën joqeveritare “Demokracia Plus”, Isuf Zejna në një intervistë për “Bota sot”.

Ai thotë se në Kosovë më shumë dënohen ata që vjedhin një telefon në rrugë se sa politikanët që dëmtojnë me milionë euro buxhetin e shtetit.

Në këtë intervistë, Zejna flet edhe për praktikat që duhet të ndryshohen në përmirësimin e procesit të tenderimit publik, që dyshohet se është njëri ndër sektorët për keqpërdorimin e parasë publike.

“Bota sot” : Zotëri Zejna, a është përmirësuar procedura e tenderimit në institucionet publike pas futjes në funksionim të E-tenderimit?

Zejna: Po! Prokurimi elektronik ka vendosur një nivel më të lartë të rregullit, pasi që mundësia e qasjes në dokumente dhe gjetja e problemeve tanimë është më e lehtë për të gjitha institucionet. Po ashtu në këtë përmirësim ka ndikuar edhe monitorimi i tenderëve nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), i cili po i kontrollon njoftimet për kontratë për të mos lejuar përshtatjen e kritereve në prokurimin publik. Mirëpo, korrupsioni në prokurimin publik mbetet i lartë, dhe pa luftimin e tij nga institucionet e drejtësisë nuk do të mund të kemi ulje të ndjeshme të korrupsionit në këtë sektorë.

“Bota sot”: A ka mundësi ende për korrupsion nga institucionet publike gjatë procesit të tenderimit pas futjes në funksion të E-tenderimit?

Zejna: Po! Ka gjithmonë mundësi që të ketë korrupsion. E-Prokurimi vetëm i zvogëlon gjasat, mirëpo nuk i mënjanon ato. Sidoqoftë, mundësia për të gjetur korrupsionin në prokurim elektronik është me e lartë, sesa në prokurimin tradicional për shkak të qasjes më të lehtësuar në këto dokumente nga institucionet mbikëqyrëse.

“Bota sot”: Gjatë monitorimit të procedurës së prokurimit, cilat janë institucionet publike që bëjnë më së shumti shkelje të procedurave ligjore?

Zejna: Faktikisht numrin më të madh të shkeljeve në prokurim publik e bëjnë ato institucione që kanë buxhetin më të madh dhe kjo deri në një masë është edhe normale. Mirëpo, si shembull i mirë ndoshta duhet të përmenden disa institucione të cilat kanë nivel të lartë të transparencës dhe bashkëpunimit në prokurim publik. Në përgjithësi, raportet e auditorit dhe ankesat në Organin Shqyrtues të Prokurimit, ilustrojnë më së mirë gjendjen në secilin institucion publik.

“Bota sot” : Cilat janë sipas jush praktikat që duhet ndryshuar nga institucionet publikë gjatë procesit të tenderimit?

Zejna: Praktikat që duhet të ndryshohen në prokurimin publik janë disa, mirëpo si të rëndësishmet ne i konsiderojmë tri; e para ka të bëjë me vlerësimin e tenderëve. Tani për tani vlerësimi është i mbyllur dhe nuk mund të monitorohet në shumicën e institucioneve. Kjo duhet të ndryshoj, dhe jo vetëm që qytetarët duhet të lejohen të monitorojnë vlerësimin e tenderëve, por edhe duhet të kenë zërin e tyre në këtë proces. Pra qytetarët duhet të kenë përfaqësim në këto komisione dhe veçanërisht ato komunitete ku projektet do të ndërtohen. Për shëmbull, komuna nëse ndërton një park në lagjen time, unë do të doja të isha pjesë e përzgjedhjes së kompanisë fituese, për tu siguruar që oferta më e mirë, projekti më i mirë dhe çmimi më i favorshëm do të përzgjedhin fitues. Çështje e dytë ka të bëjë me menaxhimin e kontratave, kjo pasi që si pasojë e mos mbikëqyrjes shumë shpesh kontratat nuk zbatohen në tërësi nga operatorët ekonomik. Praktika e tretë është prokurimi përmes çmimit më të ulët. Kjo praktikë e blerjes së mallrave dhe punëve më të lira ka ndikuar që të kemi një prokurim jo cilësor në Kosovë, dhe artikujt më të kqinjë, punët më të dobëta i janë shitur institucioneve publike duke u bazuar në këtë praktikë. Ligji në Kosovë e lejon përdorimin e çmimit ekonomikisht më të favorshëm, gjë e cila do të mundësonte një ndërrim të theksuar në cilësinë e projekteve publike.

“Bota sot”: A mendoni se duhet ndryshuar edhe legjislacioni në fuqi sa i përket tenderimit?

“Zejna”: Legjislacioni në Kosovë nuk ka shumë mangësi. Megjithatë, konsiderohet se ka nevojë të thjeshtësohet, pasi që aktualisht është shumë i ngarkuar. Ka kërkesa nga shumë institucione që legjislacioni duhet të ketë një qasje pak sa më pragmatike dhe jo aq formaliste sa është tani. Megjithatë, këtu duhet pasur kujdes, pasi që një legjislacion konfuz dhe me shumë diskrecion në zyrtarët publik, mund të ndikojë që të bëhet edhe më e vështirë ndjekja e veprave penale të korrupsionit në prokurimin publik.

“Bota sot”: A mendoni se dënimet e buta ndaj zyrtarëve publik për afera korruptive vetëm sa e inkurajojnë korrupsionin?

“Zejna”: Po, dënimet në Kosovë janë qesharake dhe këto politika ndëshkimore duhet të rishikohen nga institucionet e drejtësisë. Dënimet në Kosovë zakonisht janë me kusht dhe me konfiskime minimale të pasurisë. Edhe personat të cilët kanë vjedhur telefona mobil në rrugë dënohen më shumë sesa ata të cilët kanë dëmtuar me miliona buxhetin e shtetit. Kjo duhet të marr fund.

“Bota sot”: A mendoni se ka bazë perceptimi i lartë për korrupsionin?

“Zejna”: Perceptimi për korrupsionin është shumë i lartë në Kosovë në krahasim edhe me rajonin, dhe kjo nuk është aspak befasi. Qytetarët shohin sjellje korruptive tek zyrtarët publik dhe kjo e krijon këtë perceptim.

“Bota sot”: A kanë bërë mjaftueshëm institucionet qeveritare për luftimin e korrupsionit?

“Zejna”: Institucionet publike nuk kanë bërë mjaftueshëm në luftimin e korrupsionit, madje mund të ketë interpretime se korrupsioni është toleruar dhe se ndjekja ka bashkëjetuar në harmoni me korrupsionin. Arsyet mund të jenë të shumta, por kryesorja për mendimin tim është gjyqësori i dobët dhe ndikimi politik.

“Bota sot”: Si e vlerësoni punën e Gjykatave në luftimin e këtij fenomeni?

“Zejna”: Puna e gjykatave dhe gjyqësorit në përgjithësi është shumë e dobët dhe nuk ka aspak vend për lëvdata. Përkundrazi, gjyqësori nuk po bënë mjaftueshëm për të luftuar korrupsionin.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test