Baraliu thotë se mund të bie Qeveria, flet edhe për Gjykatën Speciale

Intervista

Baraliu thotë se mund të bie Qeveria, flet edhe për Gjykatën Speciale

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 7 shkurt 2018 Në ora: 06:38
Mazllum Baraliu

Tentativa për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale u bë lajm ndërkombëtar dhe pati reagime edhe nga shtetet e Quintit, që e kundërshtuan këtë. Për shfuqizimin e kësaj gjykate, procedurat dhe çështje tjera si demarkacioni, zgjedhjet e parakohshme, dialogu me Serbinë, ndryshimi i Kushtetutës e të tjera, ka folur njohësi i çështjeve juridike dhe aktuale politike në vend, Mazllum Baraliu. 

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në vend?

Mazllum Baraliu: Gjendja politike, sociale dhe ekonomike; marrë në tërësi, nuk është e kënaqshme. Përkundrazi, gjendja politike për shembull, që më shumë se gati tri vite të fundit është në tonus, rrjedhimisht e përcjellë me ngërçe, me ndërskamca dhe animozitete, jo vetëm të padenja, por edhe të pazakonshme; mbase edhe të papranueshme për një klasë politike dhe garniture-a institucionale, të cilat e marrin, përkatësisht përpiqen ta prezantojnë dhe reprezentojnë veten para popullit dhe para bashkësisë ndërkombëtare, si establishment dhe lidership demokratik dhe mondan; ndërkohë që fatkeqësisht gjatë tërë rrjedhës së këtyre viteve të qeverisjes së tyre - pa dallim, nuk janë dëshmuar si të tillë-përkundrazi. Edhe tani, gjendja politike, përkimisht trendet dhe rrjedhat e saj janë mjaft fluide e tensionale; madje edhe me primesa fragjiliteti. Për më tepër, si duket as kasta politike, veçmas ajo pushtetore dhe as qytetaria kosovare, nuk janë sa duhet këndelltar, për të kuptuar tensionet dhe krizën gjithëpërfshirëse dhe gjithëdimensionale, nëpër të cilën po kalojmë. Tentakulat e një krize  socio-ekonomike evidente dhe permanente me primesa të qarta lavjerrësore drejte një animi destabilizues nga jashtë e nga brenda, janë të konturuara dhe përkeqësuara tashmë që nga paslufta e në vijim. Mjerisht është evidente, se përkundër të arriturave, po ashtu evidente dhe të cilat lypset respektuar dhe kultivuar si zhvillim dhe si vlera, sot e kësaj dite ne kemi shkallën më të lartë të varfërisë dhe të papunësisë në rajon dhe më gjerë. Kjo gjendje e rëndë krize, nuk do të duhej ta linte askënd as komod dhe as të qetë, përkundrazi do të duhej parë dhe përjetuar një mobilizim dhe angazhim gjithë shoqëror, veçmas gjithë institucional dhe gjithë shtetëror te të gjithëve pa dallim...  

“Bota sot”: Së fundmi u tentua të shfuqizohej ligji për Gjykatën Speciale. Si e konsideron një veprim të tillë? A duhet të shfuqizohet ky ligj?

Mazllum Baraliu: Gjykata  e Dhomave të Specializuara apo siç po përmendet në zhargonin popullor, Gjykatë Speciale, është një padrejtësi historike dhe e pashembullt, që i është imponuar Kosovës dhe popullit të saj. Nuk më është e njohur gjer më tani, që në ndonjë vend të globit tokësor, të jetë lejuar dhe pranuar themelimi i një këso lloj gjykate e cila në të vërtetë dhe realitet e ka suspenduar jurisdiksionin dhe sovranitetin e Kosovës, për tu krijuar "biqim" kreaturë gjyqësore fund e krye ndërkombëtare - a nën ombrellën kinse të shtetit të Kosovës. Pra si e tillë kjo gjykatë edhe është e dëmshme skajmërisht për Republikën dhe shtetin tonë edhe është e padrejtë ndaj Kosovës dhe popullit të saj, sepse ne kemi zhvilluar një luftë të drejtë dhe mbrojtëse dhe jo agresive dhe gjenocidale, siç ka zhvilluar Serbia në Kosovë. Ndërkohë që Kosova me këtë gjykatë padrejtësisht po ndëshkohet, ndërsa Serbia po amnistohet, përkëdhelet dhe stimulohet nga përgjegjësia për krimet e kryera në Kosovë dhe për 4 luftëra që bëri për predominancë dhe hegjemoni mbi qytetarët e saj, respektivisht edhe mbi popujt e tjerë fqinjë në Ballkan. Mjafton të përmendim me këtë rast që vetëm për 10 vitet e fundit, Bashkimi Evropian ka investuar në Serbi mbi 5 miliardë euro, me çka në të vërtetë e ka stimuluar pa meritë dhe të drejtë shtetin serb dhe e ka shpëtuar atë nga bankrotimi i sigurt.

Edhe Gjykata Speciale është produkt dhe rezultat i përpjekjeve meskine dhe makabre të Serbisë dhe aleates së saj kalkuluese-Rusisë; gjithnjë me qëllim që ta njollosë dhe denigrojë UÇK-në dhe popullin e Kosovës.

Mirëpo, iniciativa e shumëpërfolur e kohëve të fundit, nga një grup deputetësh të Kosovës, për ta shfuqizuar Gjykatën e sipër apostrofuar, konsideroj që është e pamundur-në këtë konstalacion forcash në Kuvendin e Republikës. Ndaj edhe jam i bindur që edhe po të shfuqizohej Ligji në Kuvend, bazuar në dispozitat e nenit 24 dhe 49 të po të njëjtit ligj, Dhoma e ashtuquajtur e specializuar e Gjykata Kushtetuese, do ta shfuqizojë ligjin eventualisht të miratuar nga Kuvendi për shfuqizim të Gjykatës. Pra, mendoj që kjo iniciativë nuk do të rezultojë e suksesshme, ani që ndonëse paradoksalisht e vonuar, megjithatë në tërë brendinë dhe esencën e saj, është legjitime dhe legale.

“Bota sot”:  Cilat janë procedurat në bazë të Kushtetutës për të shfuqizuar një ligj në Kuvend, në këtë rast atë të Speciales?

Mazllum Baraliu: Procedurat e shfuqizimit të ligjeve, në Kuvendin e Kosovës janë të njëjta me ato të miratimit të tyre. Mirëpo në rastin konkret, situata është dukshëm më specifike dhe ekskluzive në një masë dhe gamë. Pse do të shtrohej pyetja? Sepse kemi të bëjmë me një situatë shumë më komplekse dhe më përgjegjëse. Në fakt për t'u shfuqizuar ky ligj lypset paraprakisht të ndryshohet amendamenti 24, rrjedhimisht neni i ri (162) i Kushtetutës së Kosovës; për çka kërkohen 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit dhe kemi të bëjmë edhe me modifikimin apo shfuqizimin e të paktën një marrëveshjeje ndërkombëtare Kosovë-Holandë etj.

“Bota sot”: A mund ta destabilizojë kjo Gjykatë vendin?

Mazllum Baraliu: Jo, assesi. Nuk do të duhej për asnjë çmim. Populli i Kosovës, veçanërisht shumica e tij dërmuese, në sprova të ndërduarta e të vështira e ka sprovuar veten, urtinë, mençurinë, durimin dhe gjenialitetin  e vetë strategjik; kur është lypsur dhe kur është dashur. Ky popull e di që edhe kësaj radhe na kërkohet padrejtësisht, por na kërkohet një tjetër sprovë dhe provim dhe e di mirë se do të dalim faqebardhë edhe nga kjo - odisejadë.

“Bota sot”:  Flasim pak për Kuvendin. Nuk ka shumë seanca të mbajtura që kur janë konstituuar institucionet dhe rrjedhimisht edhe ligjet e miratuara nuk janë të shumta. Si e vlerëson punën e legjislativit në këtë mandat?

Mazllum Baraliu: Edhe legjislaturat e mëparshme nuk ishin sa do të duhej dhe pritur - me të drejtë efikase  dhe cilësore në punën dhe aktivitetet e tyre legjislative, por edhe monitoruese dhe mbikëqyrëse të qeverise dhe agjencive dhe institucioneve të tjera të pavarura-si kategori kushtetuese. Së këndejmi as legjislatura para kësaj dhe as kjo, nuk kanë arritur të absolvojnë dhe trajtojnë as 1/3 e planit të tyre legjislativ. Ndaj, me të vërtetë do të duhej të përmirësonin performancën e tyre parlamentare tani e tutje, sepse para vetes ky Kuvend ka shumë detyra dhe sfida serioze edhe akute edhe kronike për t’i zgjidhur.

“Bota sot”:  Së fundmi mbledhja e Kryesisë ka dështuar të mbajë mbledhjet, duke shtyrë edhe mbajtjen e seancave. A mund të kemi bllokim të Kuvendit?

Mazllum Baraliu: Kjo shumicë parlamentare, pikërisht ashtu dhe ngjashëm edhe me atë qeverisëse (ekzekutive), edhe pas shumë kombinimeve, kombinatorikave koalitive dhe përpjekjeve tantaliane, megjithatë ka mbetur një shumicë e brishtë, jo kohezive, divergjente dhe skajshmërisht fragjile. Së këndejmi edhe mungesa e kuorumit në Kryesinë e Kuvendit, shtyrja e mbledhjeve ose edhe mos mbajtja e tyre, pastaj pushimet e tepërta, aforditeti dhe komoditeti maksimal ndaj vetvetes etj, janë disa nga faktorët ndikues të kësaj ecurie shkapuritëse - për të mos thënë edhe shpupuritëse të punës së kësaj legjislature, rrjedhimisht të organizmave përbërës të saj.

“Bota sot”: Çështja e Demarkacionit vazhdon të jetë e pazgjidhur. Si i vlerëson të gjeturat e Komisionit të ri dhe përputhja e tyre me atë të komisionit të kaluar? Cila do të ishte zgjidhja për marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi?

Mazllum Baraliu: Pa dashur fare që të jem sugjerues dhe as leksionar në këtë çështje, shënimi i kufirit me këdo, edhe me Malin e Zi në këtë rast, është dhe do të duhej të ishte preokupim parësor dhe permanent, jo vetëm për përgjegjësit institucional të shtetit dhe për tërë kastën aktuale politike, por pa asnjë dyshim, për secilin qytetar të Kosovës. Është  për të ardhur keq për indiferencën, indolencën dhe mungesën e sensit të përgjegjësisë - deri në nonshalancë, të disa eksponentëve të pushtetit-qeverisjes paraprake, por edhe të të tjerëve të kësaj qeverie, më saktë të këtij koalicioni, të cilët me lehtësi dhe injorancë të padurueshme, sillen në relacion me çështjen e kufirit të Kosovës-rrjedhimisht të territorit të saj të shenjtë. Është gati se e pandodhshme, por e pakuptueshme, gjithsesi, sjellja dhe deklarimet e disa përfaqësuesve shtetëror, që pa asnjë premisë shkencore e profesionale në dorë e parasysh, mendjelehtësisht ose keq qëllimisht, fët e fët, deklarojnë në favor të të tjerëve e në dëm të Kosovës, për sa i përket territorit. Pra edhe pa fare dituri shkencore dhe as profesionale, është e qartë dhe evidente, se në bazë të gjetjeve dhe raportimeve të Komisionit Meha, Kosova ka humbur territor, në favor të Malit të Zi. Po themi kështu, sepse ne të moshave më të avancuare, si dhe banorët autokton dhe shekullorë të zonës e dimë mirë dhe saktë se kufiri me Malin e Zi, gjatë gjithë jetës sonë, pra nga viti 1945 e këndej, ka qenë në Bjelluhë, Qakorr dhe Kullë. Po ashtu është e qartë dhe evidente se edhe në bazë të raportit të punës së Komisionit, të palës malazeze, të publikuar në ëebfaqen e qeverisë malazeze, tani kufiri nuk është në pikat madhore të sipër përmendura, por shumë dhe dukshëm më poshtë. pra në thellësi të Kosovës. Kjo do të thotë që Kosova ka humbur territor mbi 8 e sipër hektar dhe këtë e ka argumentuar katërcipërisht duke aplikuar metoda, kritere dhe standarde, me të besueshme dhe më të avancuara shkencore të kohës edhe Komisioni Bulliqi i formuar nga qeveria Haradinaj.

Është indinjuese dhe e papranueshme që tani e tre vjet më parë ne ende nuk e kemi kuptuar sa e si duhet, peshën dhe rëndësinë e kësaj çështje vërtetë kauzale dhe viatale për interesat madhore të Kosovës. Janë të papërgjegjshme dhe të papranueshme insistimet e vazhdueshme të disa eksponentëve institucional aktual, që kështu siç është, pra në dëm të Kosovës, sa më parë dhe domosdoshmërisht të pranohet dhe miratohet demarkacioni me Malin e zi. Po ashtu janë të papranueshme dhe pa asnjë mandat, të askujt dhe nga askush, deklaratat e disa bartësve të dikastereve-ministrive, që nëse nuk miratohet kështu siç është demarkacioni, "s’ka çka të bëjë më as qeveria aktuale". ose dikush tjetër del me formula kompromise gjithnjë të papranueshme, duke e dezorientuar kështu deri në absurd qytetarin dhe opinionin publik të këtij vendi.

Prandaj, nëse nuk dërgohet, sepse nuk votohet ky variant, përndryshe skajshmërisht i dëmshëm dhe me pasoja të pariparueshme për Kosovën, në Kuvend, atëherë çështja kthehet në gjendjen fillestare dhe domosdoshmërisht duhet të rinegociohet. Nëse Mali i zi nuk do këtë, atëherë çështja mbetet e hapur, për një kohë tjetër. Çështje të tilla të hapura e të papërfunduara Mali i Zi ka edhe me Kroacinë edhe me Bosnjën; ndërsa edhe Kroacia me Slloveninë dhe Bosnjën e Serbinë po ashtu. Edhe vet SHBA-ja, e cila çuditërisht nuk dihet se pse bashkë me Evropën hera e herës e dinin në mënyrë përcaktuese, se kufiri është mirë me Malin e Zi dhe se u dashka të miratohet ashtu. Mendoj se nuk do duhej të mungojë ndjeshmëria dhe kujdesi diplomatik dhe miqësor i askujt që të mos e respektojë kujdesin e domosdoshëm dhe vëmendjen e duhur që ai vend, në këtë rast Kosovë dhe organet e banorët e saj - kanë të drejtë të plotë dhe sentiment legjitim, për t'u kujdesur për vendin e vet - territorin e tij dhe zgjidhjen e duhur e të drejtë e jo të dëmshme  e humbës me të tjerët.

“Bota sot”: A duhet të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës?

Mazllum Baraliu: Kushtetuta e Kosovës fillimisht duhet të ndryshohet, por sa më parë që të jetë e mundur, ajo lypset të rishkruhet nga fillimi. shpjegimi i shkaqeve dhe arsyeve për këtë do të kërkonte një intervistë të tërë, të veçantë, por mbase një here tjetër.

“Bota sot”:  Sa mendoni që ka gjasa të kemi zgjedhje të parakohshme këtë vit?

Mazllum Baraliu: Meqë koalicioni aktual qeverisës është mjaft në tetik dhe në gjendje fluide qeverisëse dhe meqë jemi dëshmitar që edhe pas 4 muajsh, realisht dhe objektivisht, nuk ka qenë në gjendje të përmbush asnjë nga ato premtimet madhore dhe relevant zgjedhor dhe as të zgjidhë asnjërin nga ato çështjet të cilat edhe vetë i ka quajtur dhe konsideruar si tematikë kauzale të dorës së parë dhe të peshës specifike, atëherë nuk mund të përjashtohet edhe mundësia  e rënies së kësaj qeverie dhe shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe të parakohshme të përgjithshme në Kosovë sivjet.

“Bota sot”: Si e mendoni të ardhmen e dialogut Kosovë Serbi, kur mendoni se do të rifillojë?

Mazllum Baraliu: Dialogu nuk mund të ketë alternativë por ai duhet të rikonfigurohet, të platformizohet dhe të konsensualizohet në nivel shtetëror. Pra, duhet të vazhdohet dialogu i barabartë dhe për çështjet e pazgjidhura reciproke të të dy shteteve dhe jo dialog për çështjet e brendshme të Kosovës. Dialogu duhet kontraktohet dhe kondicionalizohet me marrëveshje korrekte për normalizim marrëdhëniesh dhe me epilog. Epilogu duhet të caktohet dhe marrëdhëniet të stabilizohen.

“Bota sot”: A do të duhej që edhe opozita të ishte pjesë e këtij dialogu?

Mazllum Baraliu: Dialogu pa pjesëmarrje dhe pëlqim të të gjitha palëve (aktorë e faktorë) pozitë e opozitë, si dhe me pjesëmarrje edhe të botës akademike dhe shoqërise civile, nuk ka as kuptim dhe as përparim. Pikërisht ashtu siç nuk kishte rezultate të prekshme (këndvështrimi institucional dhe nacional) i gjertanishëm i cili i dizajnuar dhe filluar si dialog për çështje ekskluzivisht teknike e doli të ishte edhe për ato puro politike edhe ky i ardhshmi, mund të mos ketë nëse vazhdohet i pa riformatizuar dhe i pa konsensualizuar.

“Bota sot”:  Si e vlerësoni gjendjen aktuale brenda Lëvizjes Vetëvendosje, çka pas zgjedhjes së Kurtit në krye të kësaj partie?

Mazllum Baraliu: Brengosëse dhe me indinjatë, por jo edhe të pashpresë. Në atë Lëvizje ka energji dhe sinergji, do të duhej të kishte dhe them që ka  edhe një kapital të çmuar të akumuluar me kaq mund, dije përkushtim dhe sakrificë të të gjithëve pa dallim. Prandaj dua të besoj se ata djem e vajza nuk do ta neglizhojnë atë besim të madh që morën nga populli në dy zgjedhjet e fundit. Unë shpresoj ende edhe në të rezignuarit edhe në të gjithë të tjerët pa dallim, që me durim, mençuri dhe besim të rifuqizuar, do të arrijnë të tejkalojnë keqkuptimet, amullinë dhe vetveten-secili syresh individualisht dhe të gjithë kolektivisht, për të vazhduar bashke përpara kauzën e tyre dhe të popullit, në përgjithësi. Përndryshe në të kundërtën, secili syresh veç e veç dhe të gjithë bashkërisht do të jenë humbës; madje mbase humbës të mëdhenj dhe të përjetshëm; Veni vidi vici;  Emtio spei...!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat