Jashari tregon arsyet pse OVL e UÇK-së nuk heqë dorë nga shfuqizimi i Speciales

Intervista

Jashari tregon arsyet pse OVL e UÇK-së nuk heqë dorë nga shfuqizimi i Speciales

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 10 shkurt 2018 Në ora: 12:17
Xhavit Jashari

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Xhavit Jashari, ka thënë se nuk do të ndalin tentimin për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Jashari ka thënë se OVL e UÇK-së, është kundër Gjykatës Speciale, por pro krijimit të një gjykate vendore, që do të hetonte gjithë atë që ka ndodhur me UÇK-në.

Ai ka paralajmëruar edhe protesta kundër Speciales, duke theksuar se UÇK-ja nuk ka kryer krime kundër civilëve, por ka bërë luftë të drejtë kundër pushtuesit serb.

Jashari, ka hedhur akuza të rënda ndaj institucioneve të Kosovës për neglizhim të punës së tyre. Ai ka thënë poashtu që dialogu me Serbinë, duhet të ndërpritet, derisa ajo të mos tregojë për fatin e të zhdukurve të luftës në Kosovë.

Duke folur për listat e fryra të veteranëve, Kryetari Jashari ka thënë se kushdo që ka bërë padrejtësi me statusin, duhet të dal para drejtësisë dhe të dënohet.

Ai ka komentuar edhe deklaratat e nënkryetarit të Veteranëve Nasim Haradinajt.

Bota sot: Çfarë po ndodhë me tentimin për shfuqizimin e Ligjit të Gjykatës Speciale?

Xhavit Jashari: Tentimi jonë me nënshkrimet për shfuqizimin e Gjykatës Speciale nuk është diçka e re. Dihet që ne e kemi kundërshtuar në vazhdimësi këtë Gjykatë edhe në vitin 2015, kur parlamenti u mblodh për t’i hapur rrugë një gjykate të tillë, ne madje edhe kemi protestuar dhe kemi bërë trysni mbi deputetët që të mos e votojnë një gjykatë të tillë. Konsiderojmë, por edhe e kemi argumentuar sa e sa herë që Specialja është e dëmshme dhe qëndrimi jonë është i palëkundshëm, sikur atëherë që kemi kundërshtuar këtë gjykatë, e cila është e dëmshme për vlerën e popullit, sepse lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është vlerë e popullit, sepse ajo ka luftuar për lirinë e popullit dhe nuk është pronë e asnjë partie politike, siç shpeshherë në media, me dashje apo pa dashje po devijohet dhe insistojnë që t’ia atribuojnë një partie politike. Unë them që të gjithë ata njerëz që kanë luftuar, e në këtë rast të gjithë dëshmorët e UÇK-së, janë dëshmorë të kombit dhe pronar i kësaj vlere, është populli shqiptar. Duke i parë të gjitha padrejtësitë nga UNMIK-e dhe EULEX-i që në vazhdimësi , ka pasur tentime që luftën e pastër të UÇK-së të barazohet me krimet që i ka bërë Serbia në Kosovë. Duke i parë dhe duke u marrë drejtpërdrejtë me të gjitha proceset që kanë ndodhur me ndjekjet, përndjekjet dhe montimet që u janë bërë ushtarëve të UÇK-së, të cilët janë gjykuar padrejtësisht, qoftë në vend, qoftë jashtë, në asnjë grup dhe në asnjë rast, nuk ka dalë se UÇK-ja ka bërë krime, qoftë madje edhe në Gjykatën Ndërkombëtare në Tribunalin e Hagës. Çdo herë është faktuar se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe e drejtë. UÇK-ja ka bërë luftë për liri dhe është bërë në territorin e Kosovës, që në atë kohë ka qenë e pushtuar dhe nuk e kemi asnjë rast që UÇK-ja është marrë me civilë, ndërsa lufta është bërë me të gjithë ata që kanë pasur armë dhe kanë tentuar për të eliminuar dhe shfarosur një popull plotësisht.

Nga 2008-ta ne jemi shtet dhe është një absurd i madh që këto institucione nuk merren me punët, për të cilat janë krijuar. Nëse në Kushtetutën e Republikës së Kosovës thuhet se Kosova është shtet multietnik dhe demokratik dhe i hapet rrugë një gjykate të tillë, që plotësisht është politike, këtu shkelet edhe kushtetutshmëria e Republikës së Kosovës, sepse nëse jemi shtet multietnik siç thuhet në Kushtetutë, atëherë nuk ka të drejtë askush nga jashtë të formojë një gjykatë të njëanshme me pretendimet se lufta e UÇK-së dhe pjesëtarët e saj kanë bërë krime, kur dihet fakti se kush ka bërë krime, kur kemi më shumë se 1000 persona të zhdukur e nuk dihet fati i tyre, kur dihet që në territorin e Kosovës janë bërë masakra. Këtë e dinë të gjithë ndërkombëtarët dhe ata që po tentojnë të bëjnë një gjë të tillë, për të vetmin qëllim që të bëjnë përpjekje politike të barazojnë një luftë të pastër dhe të drejtë me të gjithë ata që kanë bërë krime, kur dihet se krime kanë bërë Serbia, ushtria dhe policia e saj.

Mendoj, se kjo luftë është vlerë e popullit dhe sakrifica ishte e madhe dhe konsideroj që populli dhe institucionet, nuk duhet të lejojnë më tutje që të bëhet eksperiment me luftën e UÇK-së, derisa deri më tani ajo është faktuar si luftë e drejtë edhe me dokumentet relevante ndërkombëtare.

Gjithashtu, konsideroj se OVL e UÇK-së, është për krijimin e një gjykate vendore, nga institucionet e drejtësisë së vendit, që të hetohet gjithçka që ka ndodhur me UÇK-në, por jo edhe t’I hapet rruga për krijimin e Gjykatës Speciale, e cila suprimon edhe organet e drejtësisë në Kosovë, shkel kushtetutshmërinë dhe mbi të gjitha njollos vlerën më kulmore të popullit shqiptar . Është turp për të gjithë ata që nuk e ngrisin zërin kundër një gjykate të tillë, kur edhe politikanët cilëdo qofshin ata, qoftë presidenti, kryeparlamentari apo kryeministri, e din se kjo është një gjykatë politike, e krijuar me insistimin e Serbisë, por edhe me njerëz të shitur që ende nuk iu dihet prejardhja siç është Dick Marty. Me pretendimet dhe shpifjete tij se ka ekzistuar një shtëpi e verdhë, u krijua një gjykatë e tillë. Parlamenti Evropian është politik dhe mendoj se këtu ka ndikuar politika e Serbisë që të bëjë përpjekje të vazhdueshme për të minimizuar dhe për t’u arsyetuar me të gjitha ato që ka bërë ndaj  popullatës civile, ndaj grave, fëmijëve, masakrat, dhunimet, madje edhe fshehjen e eshtrave të njerëzve, të tentojë që të barazojë luftën, por ajo nuk mund ta bëjë këtë.

Mendoj se luftën nuk ka forcë që mundet ta zhbëjë, përveç ashtu si ka qenë; ajo ka qenë e pastër, e drejtë dhe çdo luftë gjithëkund në botë që është zhvilluar për liri, ka qenë luftë e drejtë dhe kështu konsiderohet. E pse po ndodhë kjo tek ne, ne kemi bërë peticion, iu kemi bërë edhe thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që të thirret një seancë që të shfuqizohet Gjykata Speciale, e cila është e dëmshme dhe fyese jo vetëm për luftën, për pjesëtarët e luftës së UÇK-së, por është fyese edhe për lirinë dhe gjakun e derdhur.

Bota sot: Kush ishte iniciatori i tentimit për shfuqizim të Gjykatës Speciale dhe pse “dështoi” tentativa e parë e 43 deputetëve?

Xhavit Jashari: Ne nuk e konsiderojmë si të dështuar tentimin për shfuqizimin e Speciales. Edhe mbledhja e nënshkrimeve është në vazhdën e aktiviteteve dhe kundërshtimeve që i kemi bërë, duke fillluar edhe me protesta, dhe çdo herë e kemi saktësuar se këto janë qëllime politike. Kemi rastin e Fatmir Limajt në Hagë, me rastin e të cilit u faktua se lufta ishte për të shpëtuar një popull nga robëria. Megjithatë, mendoj se politika me krijimin e institucioneve, nuk ka luajtur atë rolin e vet politik që është dashur ta luajë, sepse ato është dashur të jenë më të vëmendshme dhe të kenë një qasje më serioze në mbrojtje të luftës së UÇK-së, kur kihet parasysh që qëllimet dhe sulmet që I bëhen kësaj vlere të popullit, janë politike. Institucionet e vendit, nëse nuk duan të keqpërdorin votën e qytetarit, që iu ka besuar përfaqësimin, e kam fjalën për deputetët e Kuvendit të Kosovës, ata duhet t’i mbrojnë interesat e qytetarëve, që ua kanë dhënë besimin. Të gjithë ata që e kanë ngritur dhe e ngritin dorën pro një gjykate të tillë, keqpërdorin besimin në veçanti ata deputetë që kanë qenë pjesë e luftës dhe votat ua kanë dhënë njerëzve që kanë qenë pjesë e luftës së UÇK-së, këtu përfshihen veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve. As UNMIK-u në atë kohë, as EULEX-i tash, në asnjë rast nuk kanë faktuar ndonjë krim. Është e habitshme se si nuk reagohet nga institucionet e Kosovës, kur edhe ata që janë në krye të tyre, por edhe ata që kanë ardhur (e kam fjalën për institucionet ndërkombëtare të drejtësisë), e din saktësisht se sa masakrat janë kryer, ata i din me emër e mbiemër kriminelët, këta madje lëvizin lirshëm edhe në territorin e Kosovës. Është e çuditshme se si mund të heshtin këto institucione karshi kësaj që i ka ndodhur popullit shqiptar. Ne deri më sot nuk kemi asnjë rezolutë nga institucionet e Kosovës, që është bërë një kërkesë nga faktori ndërkombëtar që të vendosen para drejtësisë ata që kanë bërë krime.  Në të kundërtën, Kosova sot konsiderohet si një elaborat i pavlerë, si një eksperiment.

Bota sot: Ligji për Specialen tani gjendet në duar të Qeverisë së Kosovës dhe ka kohë një muaj që të vendoset se çka të bëhet me të. Si do të veproni nëse vendoset për mos shfuqizim të Gjykatës?

Xhavit Jashari: Ne bashkarisht tri organizatat iu kemi drejtuar institucioneve dhe besojmë që Qeveria e Kosovës, duhet ta thotë fjalën e saj në përputhje me realitetin dhe jo t’i hapet rrugë një gjykate të tillë. Besojmë dhe kërkojmë që Qeveria t’i thotë JO Gjykatës Speciale dhe ta çojë në Kuvendin e Kosovës dhe pastaj aty le të vendoset nga të zgjedhurit e popullit, nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Bota sot: E çka nëse deputetët sikur më 2015 votojnë pro Gjykatës Speciale dhe kundër kërkesës tuaj?

Xhavit Jashari: E jona është që kërkesa jonë të dërgohet deri aty, kërkesat tona janë që institucionet tona të mos rrinë duarkryq që të mos ndodhin padrejtësi para syve të tyre. Këto institucione është dashur të reagojnë ndaj të gjithë padrejtësive që janë bërë në vazhdimësi. Thuhet se këtu preken individë me Gjykatën Speciale, por nuk mund të thuhet se nuk preket në luftën e UÇK-së, kur sot komandanti i UÇK-së, Sylejman Selimi ndodhet në burg, pa asnjë argument, pa asnjë faktim të asaj për çka ai mbahet padrejtësisht në burg. Institucionet e Kosovës është dashur të kërkojnë sqarime nga organet ndërkombëtare të drejtësisë. Po përmend këtu rastin e Sami Lushtakut, i cili u mbajt 5-6 vite në burg me pretendimet se ka vrarë një njeri që nuk ka as emër, as varr dhe pasaj 5-6 vite lirohet në mungesë të provave. E gjithë kjo, besoj që është shumë argumentuese se ky është një turp i madh, që të lejohet të degradohet nderi i luftës së UÇK-së.

Bota sot: Pse po kërkohet me ngulm shfuqizimi i Speciales nga veteranët dhe ish-komandantët e UÇK-së që tani janë në pushtet?

Xhavit Jashari: Ju e dini që ne bashkarisht me ata që kanë qenë zëri i atyre që nuk kanë dashur fmormimin e Gjykatës Speciale, kemi qëndruar para parlamentit dhe ju kemi pamundësuar, por kanë provuar disa herë, derisa kanë arritur që t’i hapin rrugë krijimit të Speciales. Por, ne nuk kemi rreshtur asnjëherë dhe nuk do të ndalemi, do të protestojmë dhe këmbëngulim në vazhdimësi, pavarësisht se nga kush kërkohet formimi i Gjykatës Speciale, se ne e dimë që ajo është e dëmshme. Ndërsa, sa i përket komandantëve, që nuk e di se kush janë ata që i frikësohen një gjykate të tilë, absolutisht mendoj se askush nuk i frikësohet formimit të Speciales, por i frikësohemi asaj që po shkelet sovraniteti i Kosovës, po fyhet dhe nënçmohet vlera e popullit. Po kërkesa jonë, është që të mos ketë gjykatë selektive, të njëanshme, e cila do të merret vetëm me pretendimet e jo me rastet konkrete që i ka bërë policia dhe ushtria serbe. Mendoj, se ndërkombëtarët e dinë mirë që ne u jemi mirënjohës për përkrahjen e tyre në periudhën më të vështirë të UÇK-së, por meritat më të mëdha janë të popullit dhe atyre që nuk kanë kursyer as jetën. Konsiderojmë që nëse vazhdohet kështu, kujt t’i teket të vijë dhe të shpifë me akuza të ndryshme të sajuara për UÇK-në, e ka vetëm një qëllim, dhe qëllimi i tyre është politik. Por, ne do ta ngrisim zërin në forma të ndryshme, qoftë edhe me protesta, sepse nuk duhet lejuar që të shkelet mbi gjakun e dëshmorëve dhe të preket në gjymtyrët e invalidëve.

Bota sot: Ju e thatë që lufta ka qenë e pastër, pse të mos dëshmohet në Speciale pastërtia e luftës?

Xhavit Jashari: Por pse të vazhdohet kështu, të bëhet çdo herë eksperimente me një luftë të drejtë kur nëse ka drejtësi, qoftë vendore dhe ndërkombëtare, nuk merren me të gjitha rastet, pse nuk merrren psh me rastin e masakrës së Reçakut, pse nuk merren me masakrën e Studimes, pse jo me atë të Mejës, të Izbicës dhe të Poklekut të Drenasit. Ky është roli i institucioneve të Republikës së Kosovës, ato duhet të merren me këto çështje. Kur kemi aq shumë argumente, pse nuk merren me këto raste. Ne nuk kemi ende një qëndrim të Republikës edhe në bisedime nuk duhet të shkohet të bisedohet me pushtuesin, pa i kushtëzuar që të gjitha të zbardhen, të gjenden personat e zhdukur, të identifikohen ata që i kanë bërë këto masakra dhe i kanë bërë të këqija këtij populli, e merren njënashëm dhe në mënyrë selektive me luftën e UÇK-së. Konsideroj, se kjo është një shkelje e rëndë dhe pavarësisht se si do t’i vije fundi kësaj, edhe nëse vazhdon funksionin Gjykata Speciale, besoj shumë që edhe kjo do të dështojë.

Bota sot: Shtetet e QUINT-it kanë alarmuar se Kosovën e pret izolim i plotë nëse ndodhë shfuqizimi i Gjykatës? A duhet të shfuqizohet Specialja, edhe nëse çmimi për vendin është izolimi dhe prishja e marrëdhënieve me shtetet mike?

Xhavit Jashari:  Mendoj, se kjo prapë është një padrejtësi, nëse iu bëhet thirrje institucioneve të Kosovës, në diçka që mendoj se është e padrejtë. Kjo pyetje më mirë do t’i shkonte përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës. Këta politikanë në aspektin e politikës ndërkombëtare, kanë dështuar pasi edhe pas luftës, populli është i izoluar. Ne si popull historik nuk i gëzojmë të drejtat, të cilat i kanë popujt ahistorik.Mendoj, se në këtë drejtim, institucionet duhet të korrigjohen dhe faktikisht duhet t’i gjejnë gabimet e tyre që i kanë bërë në përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ata nuk kanë pasur qasje serioze. Politika në Prishtinë, në Tiranë dhe në përgjithësi diplomacia, duhet të jetë më përfaqësuese.

Bota sot: Po deklarata e nënkryetarit të Veteranëve të UÇK-së, Nasim Haradinaj, i cili e quajti “palaço” ambasadorin amerikan Greg Delaëie, si e komentoni? A është kjo ofenduese dhe a përbëjnë rrezik deklaratat e tilla për prishje marrëdhëniesh me ndërkombëtarët për shkak të individëve?

Xhavit Jashari: Unë mendoj se nuk duhet të çojë peshë aq shumë një deklaratë e një pjesëtari të UÇK-së, që ka dhënë kontribut për lirinë dhe nuk duhet të komentohen deklaratat individuale. Mendoj se deklarata e tij ka bërë bujë të panevojshme edhe në media, edhe në qëndrimet politike të Kosovës, konsideroj që shumë më e dëmshme është që t’i jepet vizë një Gjykate të tillë, se sa ta komentojmë një deklaratë qoftë të një individi, qoftë të një përfaqësuesi të një organizate. Mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm në qëndrimet dhe prononcimet që i japim dhe vlerësimet që i bëjmë, se duhet të dimë se kontributi i SHBA-ve në raport me Kosovën dhe luftën e UÇK-së, është i madh, ajo është rreshtuar përkrah luftës së UÇK-së dhe e kemi mikun më të mirin, mirëpo edhe ata që e përfaqësojnë politikën amerikane në Kosovë, besoj që duhet të merren realisht me gjithë ngjarjen, sepse nuk i kanë edhe këta të panjohura ato që kanë ndodhur në vendin tonë. Ne kërkojmë që të ketë një qëndrim real ndaj popullit tonë dhe gjithsesi të merren dhe të bëhet trysni për zbardhjen e rasteve që i përmenda edhe më lart.

Bota sot: Komenti juaj në lidhje me deklaratën e Nasim Haradinajt se “nuk është bërë nami që janë vrarë aktivistët e LDK-së”. Pse nuk po zbardhen vrasjet politike në Kosovë?

Bota sot: Absolutisht as Nasim Haradinaj, as ne, besoj që madje nuk ka person në Kosovë që nuk e bën një kërkesë të tillë që të zbardhen rastet e vrasjeve që kanë ndodhur. Por, besoj që me të gjitha kërkesat e tilla, duhet të merren organet e drejtësisë që të zbardhen të gjitha këto raste, sepse në radhë të parë është keq për familjarët e tyre. Kusho që i ka bërë ato vrasje, duhet të dalin para gjyqit dhe të marrin dënimin e merituar. Është mirë për familjet, për institucionet, qytetarët që sa më shpejt, rastet që kanë ndodhur të zbardhen dhe kryesit të dalin para drejtësisë.

Bota sot: Kryetari i OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati, ka paralajmëruar se numri i veteranëve, mund të rritet edhe më shumë? A duhet të ndonjë kjo kur dihen keqpërdorimet me lista edhe më herët?

Xhavit Jashari: Ajo që sot flitet që është rrit dhe është fryrë numri i veteranëve, mendoj se edhe nëse ka ndodh një gjë e tillë, përgjegjës, nëse ka pasur gabime të tilla, janë komandantët e zonave me vartësit e tyre, sepse ata e kanë bërë verifikimin në secilën zonë dhe në çdo lokacion përmes udhëheqësve që ata i kanë caktuar. Unë kam qenë në Komisionin në nivel qendror dhe aty nuk kemi pasur në asnjë rast asnjë ankesë që dikujt i është bërë padrejtë, apo që dikush është futur pa meritë në listë. Por, edhe nëse ka pasur raste të tilla, përgjegjës janë komandantët e zonave me vartësit e tyre, sepse ata e kanë bërë verifikimin, i kanë nënshkruar dokumentacionin që të jetë dikush veteran ose jo.

Mendoj, se nuk ka asnjë arsye që të rritet numri i veteranëve, sepse Komisioni vitin e kaluar e ka përfunduar punën e vet dhe ai tash është shpërbërë, dhe verifikimi është bërë, dokumentacionet kanë përfunduar. Çdo dokumentacion, që merret pas shpërbërjes së Komisionit nga Qeveria, duhet të njihet si jovalid dhe askujt duhet të mos i njihet e drejta e veteranit, invalidit dhe dëshmorit.

Bota sot: Deri ku ka shkuar procesi i hetimeve dhe pastrimit të listave të veteranëve?

Xhavit Jashari: Prokuroria le të kryejë punën e vet dhe nëse ka raste të tilla, parashihen edhe dënime për ata që kanë nënshkruar ose ia kanë dhënë një të drejtë dikujt që nuk e meriton. Ata që e bartin krejt përgjegjësinë për gjithë procesin e verifikimit se a ka qenë ose jo pjesë e UÇK-së, duhet të dënohen.

Bota sot: Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka paralajmëruar rritje të pagës minimale, që nënkupton edhe rritje të pensionit të veteranëve? A duhet të rriten edhe pagat e veteranëve, marrë parasysh kritikat e FMN-së se një gjë e tillë rrezikon rëndë buxhetin e shtetit?

Xhavit Jashari: Ne kemi qenë pjesë e marrëveshjeve para se të fillonin t’i gëzonin të drejtat me një beneficion që mund ta quaj asistencë sociale çfarë e merr një veteran i UÇK-së. Marrëveshja e atëhershme me Qeverinë  e Kosovës, ka qenë që fillimisht që beneficioni i veteranit të jetë 220 euro e jo siç është marrë vendim në pagën minimale 170 euro. Në ligjin për vlerat e luftës thuhet se në çfarëdo rrethane apo problemi financiar që vjen, pensioni i veteranit nuk guxon të jetë nën pagën minimale. Kjo nënkuptohet se beneficioni i veteranit mund të rritet, por nëse ka implikime të mëdha, Qeveria e Kosovës nuk guxon që ta zvogëlojë në pagën minimale beneficionin apo pensionin e veteranit të UÇK-së. Konsideroj se pavarësisht se a do të ketë rritje të pagës minimale në Kosovë, pensioni i veteranit duhet të rritet dhe si një kategori që ka dhënë shumë për lirinë e vendit, duhet të shpërblehet veterani që të ketë një jetë të dinjitetshme, ashtu siç ka qenë lufta e UÇK-së. Le ta provojnë njerëzit që janë në institucionet e Republikës së Kosovës, sepse këta janë ata që shkaktojnë implikime buxhetore. Le të krahasojnë se si trajtohen veteranët në vendet tjera të rajonit që kanë bërë luftë për liri dhe të shohin se si i trajtojnë ata këta veteranë. Është e palogjikshme dhe pamoralshme që dikush në institucione, qoftë deputet, kryeministër, kryeparlamentar apo kryetar i Republikës, që rrogën ta merr 20 herë më të madhe se një veteran i luftës. Besoj se kjo është fyerja më e madhe që i bëhet veteranëve. Ju bëj thirrje përfaqësuesve të institucioneve apo të parlamentit, le ta provojnë që ta bëjnë një muaj me 170 euro të veteranit, se atëherë do ta kuptojnë drejtpërsëdrejti se sa janë shkelur të drejtat e veteranëve të luftës së UÇK-së.

Sado që i ngrihet beneficioni veteranit, kurrë nuk do të jetë mjaftueshëm. Besoj se implikime në buxhet nuk shkaktojnë veteranët, por këto po shkaktohen nga njerëzit e institucioneve, që po i rrisin pagat marramendshëm dhe beneficionet tjera që i gëzojnë, e në realitet thirren se i mbrojnë interesat e qytetarëve të vendit e qytetarë të vendit janë edhe veteranët, që nuk e kanë një jetë të dinjitetshme edhe 19 vjet pas përfundimit të luftës së UÇK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat