Rashiti: Perëndimi flet për një finale të madhe në mes të Serbisë dhe Kosovës - Bota Sot
Rashiti: Perëndimi flet për një finale të madhe në mes të Serbisë dhe Kosovës

Intervista

E premte, 25 maj 2018

Rashiti: Perëndimi flet për një finale të madhe në mes të Serbisë dhe Kosovës

Më: 12 shkurt 2018 Në ora: 16:03
Naim Rashiti

“Të arriturat e shtetësisë dhjetëvjeçare të Kosovës janë të mëdha në aspektin e konsolidimit të shtetit, qoftë ndërkombëtar, qoftë të brendshëm”, thotë Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik të Politikave, me seli në Prishtinë.

Megjithatë, në intervistën për Radion Evropa e Lirë, ai konsideron se në dhjetëvjetorin e pavarësisë ka edhe pakënaqësi të mëdha të qytetarëve.

Deklaratat aktuale të zyrtarëve të Serbisë për ndarje të Kosovës, ai i konsideron si përgatitije për arritje të një marrëveshjeje finale me Kosovën.

Radio Evropa e Lirë: Kosova këtë javë e shënon dhjetëvjetorin e pavarësisë. Si i vlerësoni ju të arriturat gjatë kësaj periudhe?

Naim, Rashiti: Të arriturat e shtetësisë dhjetëvjeçare të Kosovës janë të mëdha, në aspektin e konsolidimit të shtetit, qoftë ndërkombëtar, qoftë të brendshëm, pastaj fillimisht krijimin e institucioneve, dhe rrjedhimisht forcimin e tyre, tranzicionit nga një administrim ndërkombëtar, mbikëqyrja e pavarësisë tek institucionet vendore, marrja e përgjegjësive të shtetit, të institucioneve dhe politikës vendore në raport me prezencën ndërkombëtare, e kështu me radhë.

Por, megjithatë duke marrë parasysh faktin se shpallja e pavarësisë kishte nndodhur në një fazë shumë kritike në raport me marrëdhëniet ndërkombëtare me Kosovën, ku një pjesë e faktorit ndërkombëtar refuzoi njohjen e Kosovës, ku Bashkimi Evropian nuk arriti të krijojë konsensus për njohjen në bllok të Kosovës, kur BE-ja kishte vendosur një mision të rendit dhe ligjit në Kosovë, i cili sillej në mënyrë të çuditshme në raport me statusin dhe institucionet, si neutrale ndaj statusit të Kosovës, dhe një mbikëqyrje ndërkombëtare, siç ishte përfaqësuesi ndërkombëtar, Kosova, megjithatë ka arritur suksese që të gjitha këto t’i lë anash dhe t’i marrë përgjegjësitë e plota në ndërtimin e institucioneve.

Por, duhet të thuhet troç se këto zhvillime nuk i kënaqin qytetarët e Kosovës, rininë e Kosovës në veçanti, që kanë pasur dhe kanë pritje shumë më të mëdha se kaq. Këtu është brenga më e madhe, por në të njejtën kohë është edhe paradoksale meqë Kosova asnjëherë nuk ka pasur institucione dhe zhvillimet e dhjetëvjeçarit të kaluar nuk kanë mundur të parashikohen.

Por, ajo që mund të bëhet tani, është se duke e parë rrugëtimin dhjetëvjeçar, politika dhe institucionet të mendojnë dhe ta projektojnë drejt dhe kënaqshëm dhjetëvjeçarin tjetër. Nuk po shohim fare se kjo po ndodhë.

Pra, pakënaqësitë, përveç simbolikës së pavarësisë, me performancën e institucioneve dhe shtetit, mbeten të mëdha.

Radio Evropa e Lirë: Po cilat janë, sipas jush, në mënyrë specifike këto të meta?

Naim Rashiti: Të metat kryesore janë të ndërlidhura me konsolidimin e shtetit dhe shërbimin për qytetarët. Shëndetësia dhe arsimi mbeten fusha të dërmuara, jofunksionale, që nuk ofrojnë shërbime të kënaqshme për qytetarët, familjarët, prindërit, për nxënësit, për njerëzit në nevojë.

Në fakt, shëndetësia ndoshta mbetet institucioni më i korruptuar në Kosovë.

Pastaj radhiten rendi dhe ligji, lufta kundër korrupsionit, funksionimi i drejtë i institucioneve dhe natyrisht shkalla e ulët e zhvillimit dhe përmirësimit të zhvillimit ekonomik, politika, e cila mbetet e pazhvilluar, e pakonsoliduar, dhe në njëfarë mënyrë, qytetarët shohin pak shpresë për transformim të drejtë në skenën tonë politike, që kanë impakt drejpërdrejt në funksionimin e institucioneve.

Këtu kemi edhe çështjen e liberalizimit të vizave me BE-në, por fakti se edhe dhjetë vite pas pavarësisë, Kosova ende duhet të zhvillojë negociata me Serbinë, e natyrisht se duhet, kjo i iriton tejmase qytetarët e Kosovës.

Këto janë brengat kryesore, të cilat e kanë ulur në një formë, entuziazmin qytetar dhe i kanë rritur pakënaqësitë për zhvillimet në Republikën e Kosovës, në këto dhjetë vite.

Radio Evropa e Lirë: E përmendet se Kosova është vendi i vetëm në Ballkan, shtetasit e së cilës nuk mund të udhëtojnë pa viza në shtetet e Bashkimit Evropian. BE-ja kërkon plotësim të kushteve, veçanërisht ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, ndërsa institucionet e Kosovës premtojnë, por rezultatet nuk shihen. Çka mendoni, çfarë janë gjasët e Kosovës që të ketë liberalizim të vizave me Bashkimin Evropian gjatë këtj viti?

Naim Rashiti: Çështja e demarkacionit tregon më tepër se kaq. Për faktin se është një kusht i BE-së, ai tregon më shumë për paaftësinë e politikës në institucione për t’i menaxhuar proceset deri-diku të komplikuara për tu dhënë përgjigje.

Duket se politika sikur tenton që çdo çështje të vështirë ta lë anash... dhe çështje të vështira do të ketë vazhdimisht në agjendën e shtetbërjes së Kosovës.

Kjo është më shqetësuesja; mosgatishmëria ose paaftësia e institucioneve politike për tu ballafaquar dhe për t’i dhënë zgjidhje të gjitha temave që vihen në agjendë. Poqese Kosova gjen zgjidhje për demarkacion, jam i sigurt se BE-ja do ta sigurojë liberalizimin e vizave ndoshta brenda gjashtë muajve dhe ka një shtytje të madhe në BE në favor të kësaj.

Nëse Kosova nuk e siguron liberalizimin e vizave sivjet, do të mbetet gjatë pa këtë proces dhe kjo do të jetë shumë e dhimbshme. Kjo në fakt, mund të shkaktojë edhe akumulim shtesë të pakënaqësisë, që mund të manifestohet edhe në mënyra të padëshiruara, ashtu siç kemi parë në të kaluarën.

Radio Evropa e Lirë: Një çështje tjetër e cila duket se i ka tensionuar raportet e udhëheqësve të Kosovës me shtetet mbështetëse perëndimore, është nisma në Kuvendin e Kosovës për shfuqizimin e legjislacionit për Gjykatën Speciale për krime të luftës. Si e shihni ju këtë situatë dhe a pajtoheni me disa konstatime se kjo është kriza më e madhe në raportet e liderëve të Kosovës me shtetet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara?

Naim Rashiti: Kjo ka cenuar tejmase marrëdhënien e liderëve dhe të shtetit me perëndimin. Jo vetëm me miqt kryesorë, sepse ata, Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania, deri-diku edhe Austria, BE-ja, kanë marrëdhënie të përhershme ditore me Prishtinën. Janë disa shtete të tjera, që e kanë përkrahur dhe e përkrahin agjendën e Kosovës dhe kanë peshë. Këto shtete janë me të vërtetë të irituara.

Kjo do të marrë shumë kohë për përmirësimin e kësaj marrëdhënie. Ka qenë një veprim tepër i pamatur, i pakalkuluar mirë dhe e ka vendosur Republikn pranë një krize shumëvjeçare në raport me botën perëndimore dhe miqt e saj. Uroj që të rikuperohet sa më shpejt. Nuk e besoj se institucionet tona do ta vazhdojnë agjendën e këtillë, por një pjesë e dëmit është bërë.

Do të ishte e tmerrshme sikur i gjithë ky proces të kishte përfunduar me abrogimin e ligjit, sepse do të kishim folur për një gjendje të menaxhimit të një krize aftagjate dhjetëvjeçare të re, që do të ishte një marrëdhënie e cunguaar me perëndimin.

Radio Evropa e Lirë: Kohëve të fundit zyrtarët e lartë të Serbisë kanë bërë deklarata me të cilat kërkohet marrëveshje për ndarje me Kosovën. Sipas jush, cili është shkaku që kjo çështje përsëri aktualizohet nga zyrtarët e Serbisë?

Naim Rashiti: Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e përgatit opinionin për një marrëveshje finale me Kosovën, për ta kapur procsin integrues. BE-ja i ka dhënë shpresa të mëdha dhe i ka hapur dyert për Serbinë, që në vitin 2025 të bëhet anëtare e saj dhe për këtë duhet ta zgjidhë çështjen me Kosovën deri në vitin 2023.

Me gjasë, presidenti Vuçiq don ta shfrytëzojë këtë momentum për ta përmbyllur marrëdhënien me Kosovën, natyrisht, varësisht nga ajo se çfarë mund të arrihet.

Por, opsionet e tyre të preferuara mbesin shumë të qarta për ndarje dhe shkëmbim territoresh, kryesisht për faktin se Serbia nuk don ta pranojë pavarësinë ashtu siç është ndërtuar në vitin 2008, por ta pranojë një realitet pak më ndryshe në terma ashtu siç dëshiron Beogradi.

Rreziku është se Serbia do të vendos shkëmbim territoresh në tavolinë për njohje, si një ofertë për perëndimin, e cila në fund mund të refuzohet dhe prap Serbia do ta akuzojë perëndimin se nuk don zgjidhje të çështjes së Kosovës, ose në rastin më të mirë, në kundërvlerë ndaj propozimit për këmbim territoresh, të vendos një status të veçant, të sforcuar edhe më tutje për serbët e veriut dhe Kishën, të cilën gjë, prapseprap, shqiptarët e Kosovës nuk do ta pranojnë.

Besoj se kësaj here e kanë edhe përkrahjen nga disa miq ndërkombëtarë, që të mos rritej përtej mase autonomia dhe statusi i serbëve, ashtu që të mos keqpërdorej si e tillë, pastaj vetë procesi rrezikohet për një marrëveshje finale.

Kjo do tu mbetet negociatave, për të parë se kah dhe si do të orientohet marrëveshja përfundimtare, por do të jetë proces shumë i ndërlikuar. Çuditërisht edhe perëndimi flet për një finale të madhe në mes të Serbsë dhe Kosovës, por nuk është se perëndimi po koordinohet, se BE-ja po koordinohet me SHBA-të, Gjermaninë, e vendet e tjera kyçe. Mund të thuhet se më shpesh ka kritika në raport me BE-në dhe agjendën e BE-së, se sa ka ndonjë koordinim të theksuar.

Për aq sa flitet pozitivisht për një marrëveshje të mundshme, aq personalisht mbetem i brengosur se edhe kjo mundësi, për arritjen e e marrëveshjes finale, mund të ikën.

Ndoshta ky është proces më i ndërlikuar se sa vetë procesi i pavarësisë së Kosovës, sepse atëherë ishte një proces i afatizuar, i qartë, dihej se kah po shkohej, ndërsa tani është proces i padefinuar dhe e vetmja agjendë e definuar është ajo e BE-së për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor, e cila në fund, mund të ndodhë që nuk do të thotë asgjë.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test