Jakup Krasniqi: Të përgjigjen ata që ia shkaktuan Kosovës dëmin më të madh politik

Intervista

Jakup Krasniqi: Të përgjigjen ata që ia shkaktuan Kosovës dëmin më të madh politik

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 18 shkurt 2018 Në ora: 10:21
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Social Demokrate, Jakup Krasniqi

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ish Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Social Demokrate, Jakup Krasniqi, ka folur mbi arritjet 10 vjeçare të shtetit të Kosovës. 17 shkurtin, Krasniqi e konsideron kryefestë, derisa thotë se ky shtet ka doli nga rezistenca aktive e disa brezave. Po ashtu, në këtë intervistë, mund të lexoni edhe mendimet e z. Krasniqi mbi aktualitetin politik në vend.

“Bota sot” Si e shihini Kosovën tash 10 vite pas pavarësisë z. Krasniqi?

Krasniqi:  Kosovën e Pavarur e Sovrane e shoh si identitetin tonë shtetëror, fati i të cilit varet nga të gjithë ne, qytetarët e Republikës së Kosovës, që na është dhënë mundësia që t’i zgjedhim përfaqësuesit tanë, me votën e përgjegjësinë tonë. Dhjetëvjetori i Pavarësisë është Festë, bile Kryefestë e Kosovës. Është Kryefestë, se ky shtet ka dalë, nga rezistenca aktive e disa brezave. Prandaj duhet ta festojmë në përputhje me mundësit që i kemi. Kosovën e shoh, shtet të pavarur dhe sovran, që pret vullnetin tonë, dijet tona e përkushtimin tonë për ta bërë shtet të se drejtës, shtet të zhvilluar, shtet të drejtësisë sociale, ku qytetarët e shohin perspektiven e tyre, për punë, për jetë e siguri. Edhe ky dhjetëvjetor, lënë për të dëshiruar shumë. Unë besoj dhe besoj shumë në perspektiven e kombit e shtetit tonë! Por, vetëm nëse arrijmë që t’i identifikojmë, shëmbëlltyrat tona historike, nëse arsimin e kthejmë në shërbim të zhvillimit, punësimit dhe eliminimit të dembelisë, nëse i ruaj si sytë e ballit traditat tona kulturore, shkurt, gjerat që na bëjnë komb të veçantë.

“Bota sot”. Në kohen kur u shpall pavarësia, ju ishit krye parlamentar, si e kujtoni atë dite?

Krasniqi: Edhe pse ato ditë ishte kohë e ftoftë, atë ditë kam pasur ngrohjen më të madhe shpirtërore. Pse? Se po e realizonim një pjesë të madhe të aspiratës sonë shekullore. E them sinqerisht, kudo që të isha, ashtu do të ndihesha dhe do të isha plotë shend e verë, siç thuhet. Se asnjëherë të vetme, në jetën time nuk e kisha menduar, se unë do të jem aty ku u gjenda, Kryetar i Kuvendit të Kosovës, i Kuvendit që po e shpallte Pavarësinë e Republikës së Kosovës. Prandaj Pavarësisë do t’i gëzohesha ku do që të isha dhe do ta kisha gëzimin që e kisha, mbase edhe më të madh!

“Bota sot “Mund të na tregoni emocionet e asaj dite dhe ecurinë e ditës se 17 Shkurti 2008?

Krasniqi: Kur njeriu, një kohë të gjatë gjendet në procese të mëdha politike, siç e pata fatin unë dhe gjenerata e Pavarësisë, në kohë të lehta e të vështira, sigurisht që ka pasur edhe emocione, por, ato momente e kanë edhe  drojën, se si do të dalë ai moment i një rëndësie të veçantë për popullin tonë, para opinionit shqiptar, e ne ishim edhe para opinionit shqiptar e ndërkombëtar. Gjithsesi, kisha emocione e njëkohësisht ndjehesha mirë, që kisha qitë një gur për atë ngjarje që po e zyrtarizonte veprën që kishte ardhur, faktikisht në qershorin e vitit 1999!

Në shpalljen e pavarësisë padyshim ishte merita edhe e Shteteve te Bashkuara të Amerikës, si e shihni tash këtë ku kohët e fundit këto marrëdhënie rrezikuan të prishen?

Krasniqi: Ishte meritë e gjithë demokracive euro-atlantike, natyrisht SHBA-të ishin në Ballin e oxhakut. Nuk besoj që  axhamillëqet  individuale të kujtdo, i rrezikojnë ato marrëdhënie të ndërtuara gjatë qindvjetëshit të fundit (nga viti 1919 – 1920). Gjykata Speciale duhej të kundërshtohej me kohë dhe assesi jo ashtu si u tentua, tinëzisht. Pushtetarët në veprimet e tyre duhet të jenë transparent. Ishte koha që duhej vepruar edhe fshehtas, por, fatbardhësisht ajo kohë ka kaluar dhe kurrë mos u ktheftë më.

“Bota sot” Deklaratën e Pavarësisë e lexoi në atë kohë kryeministri Thaçi, si e shihni këtë çështje dhe pse nuk e lexuat ju në atë kohë?

Krasniqi: Për ketë pyetje jam përgjigjur disa herë. Për mua që kisha dekada në organizimin politik, leximin e Deklaratës as e kam parë e as e shoh si ndonjë vepër madhore, se ai akt më se paku mund të personalizohet, por edhe kur personalizohet, ai është shenjë i një primitivizmi aziatik. Tjetër, për mua dhe për shumë kënd në Republikën e Kosovës, në Shqipëri e kudo ku kishte e ka shqiptar, ishte e rëndësishme rruga që solli deri aty dhe formalizmi i saj përmes një votimi në Kuvendin e Kosovës. Asnjë individ, e më se paku rrahagjokset primitiv e shpirtngushtë mund të bëhen pronarë të pavarësisë. Pronar i pavarësisë dhe i sovranitetit të shtetit është populli shqiptar i Kosovës dhe qytetarët e saj. Nëse duhet marrë për  ketë pavarësi, atëherë, një rol të veçantë, mbase edhe kryesor e kishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës e veçmas, Flijimi Biblik i Jasharëve të Prekazit në krye me Adem Legjendarin. Vetëm aty gjendet lavdia është e pa kërkuar. Lavdia nuk u shkon atyre që e kërkojnë. Lodhen kot! Kërkuesit e lavdisë, mund t’i mbuloi, turpi i historisë!

“Bota sot” Demarkacioni dhe Gjykata Speciale janë dy tema që po e rrezikojnë sovranitetin e vendit z. Krasniqi, cila mund të jetë zgjidhja sipas juve?

Krasniqi: Gjykatën Speciale e shoh të përfunduar, si proces i formimit. Gjithsesi i dëmshëm për Kosovën, por Kosova dhe qytetarët e saj kanë kapërcyer procese edhe më të dëmshme. Demarkacioni duhet korrigjuar sipas pikës se shtat e pastaj t’i dërgohet Kuvendit për miratim. Kuptohet, edhe ata që ia kanë shkaktuar Kosovës ketë dëm të madh politik duhet të përgjigjen, dhe do të duhej të përgjigjeshin sikur të kishte Sistem funksional të Drejtësisë. Këtu do të duhej të kishte edhe përgjegjësi morale?! Por, kjo në Kosovë është mollë e ndaluar!

“Bota sot”: A po ju ofrohet trajtim i duhur Veteraneve te UÇK-se , ikonave kyçe që shërbyen për çlirimin e Kosovës?

Krasniqi: Aty ku nuk trajtohen mirë të gjithë qytetarët, nga ata që e kanë marrë përgjegjësinë për të qeverisur për qytetarët, kot pret që të ketë trajtim ndryshe për kategoritë e caktuara, e në ketë rast për veteranët. Dembelinë nuk duhet ushqyer për asnjë kategori, as për veteranët votues! Në Kosovë, sidomos pas Pavarësisë janë bërë shumë mashtrime për vota, siç është bërë edhe një piramidë kaotike në arsimin e lartë dhe gati në çdo segment të jetës. Kosovës i duhet një klasë politike reformatore. Kjo po na mungon në Kosovë, mbase edhe gjithë kombit.

“Bota sot”: Tash e një kohë po diskutohet për formimin e Ushtrisë së Kosovës, a ka zgjidhje kjo çështje dhe a duhet të behet komfor kushtetues?

Krasniqi: Gjatë këtyre viteve në Kosovë, nuk ka pasur përgjegjësi për të qeverisur, por për të sunduar, kur punohet për të sunduar, shpenzohen para të shumta për zhvendosjen e temave dhe kapjen e të gjitha pushteteve, përfshirë edhe atë të mediave. Kosova kurrë nuk ka pasur siguri më shumë. Po të kishte pasur konsensus nacional  më shumë pas zgjedhjeve të vitit 2010, për të gjitha çështjet që janë problematizuar, çështja e ushtrisë do të ishte kryer dhe harruar. Mos prisni nga njerëzit që i kanë krijuar këto probleme, se do t’i zgjidhin ato. Siç po duket e gjithë klasa politike e pas luftës, kaq ka pasur mundësi të bëjë, është gjynah të pritet më shumë.

“Bota sot” Si e shihni qeverinë qe aktualisht po udhëheq me vendin?

Krasniqi: Kjo është një qeveri, të cilës i janë imponuar edhe pazaret, në ato pazare ka pasur edhe kusari. Për të qeverisur, nuk mjafton vetëm dëshira. Të shpresojmë që problemeve të grumbulluara do t’u epet rruga e duhur! Ndoshta kanë marrë ndonjë mësim nga “Lutjet e Mëngjesit” ne SHBA. Se atje paskan pas shkuar shumë politikanë nga Kosova?!

“Bota sot “ Urimi juaj për Pavarësinë e Kosovës ?

Krasniqi: Me mendje e zemër Ju Uroj qytetarët e Kosovës Jubileun e Parë të Pavarësisë! Dhjetëvjetorin e Pavarësisë! Pa marrë parasysh, sesi ishte e është qeverisja e vendit, qytetarët duhet t’i gëzohen e festojnë në ketë vit Jubilar, se Pavarësia çdo kombi i vije vetëm njëherë. Dhe fëmija me lindje nuk behët dot burrë! Gjithashtu, qytetarëve të Kosovës, ju uroj dashuri më të madhe për shtetin, dashuri për njëri – tjetrin, dashuri të madhe për fëmijët e tyre, të ardhmen e Kosovës, ju uroj dhe kërkoj nga ata që të kenë më shumë përgjegjësi në adresimin e votës së tyre të shenjtë, që ta ruajnë atë dhe ta adresojnë saktë. Uroj që qytetarët ta shohin veten sovran te këtij vendi. Ata nuk janë shërbëtor të qeveritarëve, por qeveritarët janë në shërbim të tyre. Uroj që të kenë fat në zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre në zgjedhjet e ardhshme, kurdo qofshin ato! Uroj që perspektivën ta e kërkojnë në Republikën e Kosovës.

Uroj që ky Jubile i parë i Pavarësisë sonë, le t’ju shërbej edhe mediave për të qenë si pushtet i katër, në shërbim te zgjedhjeve e qeverisjeve të mira!

Urime Kosovë Jubileu i parë – dhjetë vjetori i Pavarësisë!

Dashuria, përgjegjësia e përkushtimi qofshin të përjetshme për kombin e shtetin tonë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat