Shpejtim Bulliqi zbulon detajet, si do të veprojë nëse raporti i tij nuk përfillet - Bota Sot
Shpejtim Bulliqi zbulon detajet, si do të veprojë nëse raporti i tij nuk përfillet

Intervista

E premte, 21 shtator 2018

Shpejtim Bulliqi zbulon detajet, si do të veprojë nëse raporti i tij nuk përfillet

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 24 shkurt 2018 Në ora: 14:52
Shpejtim Bulliqi

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, kryesuesi i komisionit për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi, ka folur për çështjen e demarkacionit dhe epilogun e saj. Ai gjithashtu ka folur edhe për raportet e tij me Lidhjen Demokratike për Kosovën, pasi që më herët ka qenë deputet i kësaj partie, mirëpo pikërisht qëndrimi i tij i kundërt me LDK-në për çështjen e demarkacionit, kanë zbehur pak këto raporte.

“Bota sot”: Z. Bulliqi, sa mendoni se e ka qartësuar çështjen e kontestimit të marrëveshjes, raporti juaj?    

Bulliqi: Raporti ynë është i bazuar në fakte, ne kemi analizuar punën e komisionit paraprak, ketë e kemi bërë me mandat të qeverisë. Çdo gjë që është shkruar në atë raport, është analizë e punës së komisionit paraprak. Për ata qe ju besojnë fakteve të publikuara në atë raport, e që të gjitha kanë burime kredibile, ose dokumente zyrtare të Kosovës që mbështeten në kontrollin efektiv të atij territori historikisht, ndërsa për ata qoftë nga politika dhe shoqëria civile apo edhe gazetar te cilët për një arsye ose tjetër shtiren se raporti i komisionit tonë nuk solli asnjë risi, nuk di çka të them pos asaj se, ata nuk po donë me i pa faktet e as argumentet, thjeshtë e kanë vendosur që të tentojnë të krijojnë opinion kinse ne nuk kemi sjellë asgjë të re faktografike. Tash a e bëjnë ketë për ndonjë qellim te caktuar sipas porosisë apo thjeshtë nuk e qajnë kokën për territor të vendit për arsye që vetëm ata i din.  

“Bota sot”: Cili do të jetë epilogu i marrëveshjes për Demarkacionin? 

Bulliqi: Nuk kam përgjigje të saktë për këtë pyetje, sepse tash kjo çështje është në dorën e politikës, kështu që as politikanët nuk e kanë lehtë qofshin ata në qeveri apo deputet në kuvend pasi qe presioni është i madh, si nga BE-ja e po ashtu edhe ai vendor pasi qe kjo çështje është lidhur dhe kushtëzuar padrejtësisht me liberalizim të vizave. Kur ka vullnet të mirë nga të gjitha palët, zgjidhje ka, mirëpo fatkeqësisht e historikisht gjerë më tani është treguar se zgjidhjet bëhen në kurriz të palës më të dobët, qoftë me kushtëzime apo edhe kërcënime.   

“Bota sot”: Si do të veproni në rast se raporti juaj nuk merret parasysh?  

 Bulliqi:E thashë që në atë raport e kemi përgatitur me kërkesën e qeverisë, të gjithë partnerëve në koalicion. Ne punën tonë e kemi bërë me mundësitë dhe profesionalizmin që kemi pas, përkundër presionit të madh megjithatë e kemi kryer një punë të mirë, kemi prezantuar fakte të shumta si të punës dhe marrëveshjes paraprake po ashtu edhe materiale plotësuese faktografike te kontrollit efektiv.

A do të merren ato parasysh, nuk është tek ne të vendosim, vendosin institucionet përgjegjëse, ndërsa për veprimet tona ne do të prononcohemi pasi të shohim se çfarë epilogu do ti japin këtij procesi institucionet e Republikës së Kosovës.                

“Bota sot”: A mendoni se çështja e Demarkacionit nga grupe të caktuara u përdor dhe vazhdon të përdoret si kauzë politike dhe jo si shqetësim se Kosova po humbë tokë?   

Bulliqi: Nuk kam mandat të flas për ndonjë grup politik se a e ka përdorur këtë çështje për kauza politike, një gjë ju garantoj se ne personalisht nuk kemi hy për kauza politike, por ishte profesionale kyçja dhe angazhimi i ynë me kolegët tanë fillimisht pa qenë fare pjesë e komisionit, përkundrazi unë kam paguar çmim politik nga udhëheqja e subjektit tim politik LDK-së pse po mbroja qëndrime profesionale.

“Bota sot”: A ua "prishi" raportet me krerët e LDK-së qëndrimi juaj lidhur me marrëveshjen për Demarkacionin? 

Bulliqi: Po është e vërtetë, qëndrimi im profesional(kundërshtimi) rreth marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, si dhe mos votimi nga ana ime e Hashim Thaçit për president të Republikës, ndikoj direkt që raportet e mia me disa nga krerët e LDK-së   të ftohen si dhe pasuan ndëshkimet nga ta ndaj meje, siç ishin përjashtimi nga lista për kandidat për deputet, e anashkalime te tjera.   

“Bota sot”: Cila është marrëdhënia juaj aktuale me LDK-në? 

Bulliqi: Jam pjesë e LDK-së, kam raporte të mira me shumë në LDK, nuk pajtohem me klanin që po e sundon LDK-ne për momentin. Unë për kundër te gjithë kësaj vazhdoj te mbetem në LDK, sepse nuk e kanë firmë private LDK-në ata që po e sundojnë sot, LDK-ja është e të gjithëve, ndërsa lidershipet janë kalimtare dhe besoj ne një reformim te partisë.                           

“Bota Sot”: Si i vlerësoni arritjet e Kosovës në këto 10 vite shtet? 

Bulliqi:Kosova ka arritur progres për këto 10 vite, a është ajo çka e kemi pritur, jo, nuk është, kemi mundur te bëjmë shumë më shumë, faj për këtë kemi të gjithë nga pak, lidershipi më shumë, por edhe pjesa ndërkombëtare ka një pjesë të meritës për sukseset apo dështimet e Kosovës në këto 10 vite. Pos mos suksesit për fajin tonë, edhe nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare ka pasur hile ndaj Kosovës në shumë fusha, dhe kur ti kombinosh të gjitha bashkë dështimet tona dhe hilet ndërkombëtare, vjen tënjë gjendje çfarë jemi sot qe nuk është ajo ku Kosova e meriton të jetë, sepse mundësitë kanë qenë dhe janë që Kosova të avancoj më shumë.                               

“Bota sot”: Si është gjendja në arsimin e Kosovës?

Bulliqi: Gjendja e arsimit në Kosovë është në korrelacion me gjendjen e Kosovës, shëndetësinë,ekonominë, politikën etj. Gjithçka është  e ndërlidhur dhe ndërvarur, progresi kur arrihet ai është zingjiror, e njëjta vlen edhe për stagnimin.

Në Kosovë urgjentisht duhet punuar në reformimin e arsimit, pjesë e reformave duhet të jetë edhe profilizimi i drejtimeve arsimore, jemi duke prodhuar kuadro me mijëra për çdo. Të rinjtë janë duke humbur kohën e tyre të çmuar duke studiuar në drejtime që nuk ju sjellin kurrfarë perspektive në të ardhmen, thjeshtë vetëm jemi duke e rritur numrin e njerëzve me thirrje, mirëpo që nuk i hyjnë në punë asgjë tregut të punës. Dominojnë shkencat shoqërore me drejtime te përgjithshme, që gjenerojnë kuadro që nuk ka vend fare për tek ne në tregun e punës.

Paralel me profilizimin duhet të punohet edhe në rritjen e cilësisë së arsimit si për nxënësit dhe studentët, ashtu edhe për vet ata të kyçurit në proceset e arsimit.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test