Ambasadori Chabert: Abuzuesit e parasë publike duhet të burgosen dhe të gjykohen

Intervista

Ambasadori Chabert: Abuzuesit e parasë publike duhet të burgosen dhe të gjykohen

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 9 mars 2018 Në ora: 10:51
Ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert

Ambasadori i Republikës së Francës, Didier Chabert, në një intervistë për “Bota sot”,  ka thënë se sfidë për Kosovën mbetet ndërtimi i një shteti funksional, i aftë për të luftuar krimin dhe korrupsion.

Në këtë intervistë, ambasadori Chabert flet edhe për rëndësinë e miratimit të Demarkacionit nga ana e Kuvendit që sipas tij ofron Kosovën drejt liberalizimit të vizave, vazhdimin e dialogut me Serbinë,  themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe mundësinë e Francës për të ndihmuar Kosovën në integrim në Bashkimin Evropian.

“Bota sot”: Zotëri ambasador, muajin që lamë pas, Kosova shënoi dhjetëvjetorin e pavarësisë. Cili është vlerësimi i juaj për punën që kanë bërë institucionet e Kosovës në konsolidimin dhe forcimin e shtetësisë?  

Ambasadori Chabert: Për dhjetë vjet është bërë punë e konsiderueshme për të konsoliduar institucionet shtetërore dhe për të avancuar vendin në rrugën e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror. Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian në vitin 2015 dhe fakti që Kosovës i është njohur perspektiva e integrimit evropian, e konfirmuar në Strategjinë e Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor, që u publikua më 6 shkurt, është shenjë e vlerësimit për punën e bërë. Populli i Kosovës mund të jetë krenar për rrugën e bërë për në një kohë kaq të shkurtër, ky sukses është i tij.

“Bota sot”: Sipas jush, cilat janë sfidat e institucioneve të Kosovës në ndërtimin e shtetit?

Ambasadori Chabert: Mbesin  me të vërtetë shumë sfida për të përmbushur pritjet e kosovarëve dhe sidomos të rinisë, por edhe për të përmbushur standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian që Kosova synon t’i bashkohet një ditë. Sfida e parë është krijimi i një shteti funksional të së drejtës, duke filluar me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ka njerëz dhe grupe në këtë vend që keqpërdorin paranë publike në dëm të arsimit, shëndetësisë dhe zhvillimit ekonomik për të gjithë. Është koha për të ndalur kulturën e mosndëshkimit. Fajtorët duhet të arrestohen, të gjykohen, të dënohen dhe të burgosen.

Sfida e dytë është arsimi që duhet të forcohet dhe përshtatet me nevojat e zhvillimit ekonomik të vendit, sepse ajo që studentët e rinj dëshirojnë është që të ketë vende pune konformë kualifikimeve të tyre profesionale dhe që nuk përfundojnë, si shumë shpesh për fat të keq, si kamerierë në një restorant me një diplomë master në xhep. Kjo kërkon forcimin e universiteteve publike, ristrukturimin e kurrikulës së arsimit të lartë dhe zhvillimin e mësimit të gjuhëve të huaja, veçanërisht atyre të Bashkimit evropian. Ne kemi tre marrëveshje Erasmus pothuajse të finalizuara midis universiteteve të Kosovës dhe universiteteve franceze, të cilat ofrojnë mundësi të jashtëzakonshme udhëtimi dhe shkëmbimi në kushte të privilegjuara. Por, për të aplikuar është e nevojshme që kandidatët të kenë njohuri të mjaftueshme në gjuhën frënge.

“Bota sot”: Si e komentoni zvarritjen e miratimit të Marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, dhe sipas jush çfarë humb Kosova nëse nuk kalon kjo marrëveshje në Kuvend?

Ambasadori Chabert: Nëse marrëveshja nuk ratifikohet, procesi i liberalizimit të vizave nuk do të fillojë. Parlamenti ka çelësat për të ecur përpara në këtë çështje, që deputetët të marrin përgjegjësitë e tyre, sepse zgjidhja qëndron në Prishtinë dhe askund tjetër. Të rinjtë e Kosovës duan të jenë në gjendje të udhëtojnë lirisht në Paris, Berlin, Vjenë, Romë... Për më tepër, duke mos ratifikuar marrëveshjen me Malin e Zi, Kosova po krijon një problem kufitar me një shtet anëtar të NATO-s, edhe pse aspiron të anëtarësohet në këtë organizatë.

“Bota sot”: A mendoni se me miratimin e demarkacionit, Kosova do të ketë liberalzimin e vizave, ashtu siç po deklarojnë pushtetarët tanë apo duhet plotësuar edhe  kriterin tjetër që është ai për luftimin e korrupsionit?

Ambasadori Chabert: Së pari, unë do të doja të theksoj se vendet e zonës Shengen janë të vetmet vende perëndimore që i ofrojnë Kosovës një perspektivë të liberalizimit të vizave. Ky është një gjest i miqësisë, por që i nënshtrohet disa kushteve. Kanë mbetur dy kritere për liberalizimin e vizave. Kriteri i parë është ratifikimi i marrëveshjes kufitare me Malin e Zi, i dyti është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo ka qenë gjithmonë shumë e qartë që nga fillimi, derisa në kriterin e dytë është humbur kohë në mënyrë të panevojshme. Në të vërtetë, është për të ardhur keq që klasa politike kosovare nuk e ka parë të arsyeshme, derisa ishte e ndarë për çështjen e kufirit me Malin e Zi, për të çuar përpara reformat e drejtësisë me qëllim për ta bërë atë më efektiv, transparent dhe të pavarur nga pushteti politik. Në këtë drejtim, është e rëndësishme që ligjet që janë duke u përgatitur të konsolidojnë këtë pavarësi duke shmangur çdo ndërhyrje nga ana e qeverisë në procedurat gjyqësore disiplinore, në kundërshtim me parimet dhe vlerat e Bashkimit evropian, të cilat duan që pushteti politik të mos mund bëjë presion mbi gjyqtarët.

“Bota sot”: Kosova ka filluar procesin e saj të reformave për integrim në Bashkimin Evropian. Cilat janë mundësitë që Republika e Francës që është njëra ndër shtetet më me ndikim në BE, të ndihmojë  Republikën e Kosovës në këtë proces?

Ambasadori Chabert: Franca tashmë po ndihmon Kosovën në rrugën e saj evropiane, së pari nëpërmjet bashkëpunimit dhe partneriteteve dypalëshe, për shembull në gjyqësor dhe më pas nëpërmjet pjesëmarrjes së saj në programet e Bashkimit Evropian, në të cilat Franca do të bëhet kontribuuesi i dytë, pas Gjermanisë. Vendet mike të Kosovës, si Franca, janë të gatshme që në mënyrë aktive të mbështesin përpjekjet e integrimit evropian të Kosovës, por as nuk mund të vendosin, as të bëjnë këtë në vend të saj. Kosova është një shtet sovran për ne, kështu që ne presim që ajo të veprojë në përputhje me rrethanat, duke marrë të gjitha përgjegjësitë e saj në nivel ndërkombëtar, por edhe atë të brendshëm në raport me popullin e saj.

“Bota sot”: Pavarësinë e Kosovës nuk e njohin ende pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian. Si mund Franca të ndihmojë Kosovën në këtë drejtim?

Ambasadori Chabert: Franca është një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe një anëtar themelues i Bashkimit Evropian. Ajo gjithashtu ka rrjetin e dytë diplomatik më të madh në botë. Burimet diplomatike mobilizohen nga Franca, si nga vendet e tjera mike, për të ndihmuar në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Unë nuk do të shpjegoja më tej, sepse çështja e ndikimit është më efikase kur bëhet në mënyrë më diskrete.

“Bota sot”: A e konsideroni Republikën e Kosovës si një vend të mirë për të bërë biznes, në të cilin investitorët francezë  do të mund të investonin këtu?

Kosova është në qendër të Evropës me një popullsi të re, dinamike dhe të talentuar. Klima e biznesit po përmirësohet në mënyrë të vazhdueshme, siç dëshmohet nga radhitja e Bankës Botërore "Doing Business". Unë jam i sigurt se investitorët do të jenë të shumtë atëherë kur lufta e autoriteteve kosovare kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të prodhojë rezultate të prekshme. Është gjithashtu e nevojshme që investitorët francezë të jenë të sigurt se do të gjejnë në Kosovë një fuqi punëtore me kualifikime të nevojshme për të zhvilluar një veprimtari prodhuese ose një rrjet tregtar, gjë që ngre përsëri çështjen e qëndrueshmërisë së sistemit arsimor, i cili duhet të jetë një prioritet kombëtar absolut.

“Bota sot”: Si e komentoni faktin që viteve të fundit, shumë shqiptar të Kosovës kanë shkuar në Francë në mënyra të ndryshme dhe kanë kërkuar azil politik apo ekonomik?

Ambasadori Chabert: Kosova është një vend që konsiderohet i sigurt nga sistemi francez i drejtësisë, i cili vendos për të drejtën e azilit. Prandaj, nuk është e mundur që një qytetar kosovar të marrë azil politik në Francë. Përndryshe, koncepti i azilit ekonomik nuk ekziston në drejtësinë franceze.

“Bota sot”: Si e komentoni kërkesën e Listës Serbe dhe Beogradit që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të bëhet në bazë të marrëveshjes së Brukselit që Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se 23 pika të kësaj marrëveshje bien ndesh me kushtetutën?

Ambasadori Chabert: Në territorin e Kosovës, Kushtetuta e Kosovës duhet të respektohet plotësisht dhe duhet të zbatohen mendimet e Gjykatës Kushtetuese. Të rikujtojmë se Kushtetuta është norma më e lartë pas marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Parlamenti.

“Bota sot”: Si i vlerësoni deklaratat e qarqeve të caktuara për shkëmbim të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Ambasadori Chabert: Kjo nuk është temë në rendin e ditës. Ajo që është e rëndësishme është rifillimi i dialogut dhe përcaktimi i temave që duhet të trajtohen në kuadër të kësaj, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje të detyrueshme që mundëson normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe, kur të vijë koha, njohjen e Kosovës nga Serbia dhe pranimi i saj në Kombet e Bashkuara.

“Bota sot”: Si e vlerësoni deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për një president mbarë kombëtare?

Ambasadori Chabert: Unë nuk kam autoritetin të komentoj deklaratat e Presidentit shqiptar.

“Bota sot”: A e shihni si rrezik për Kosovën rritjen e ndikimit rus në Ballkan, sidomos në Serbi dhe në Republikën Serbe të Bosnjës?

Ambasadori Chabert: Rusia është një vend i madh në Evropë dhe në botë. Kosova do të ketë nevojë për pëlqimin e saj për t'u anëtarësuar në Kombet e Bashkuara, ku Moska ka të drejtën e vetos. Kosova një ditë do të normalizojë marrëdhëniet e saj me Rusinë dhe gjithashtu duhet të përgatitet për këtë.
Ashtu si të gjitha vendet e mëdha, Rusia ka një politikë të ndikimit të jashtëm që i shërben interesave të saj. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë dhe të mos jemi naivë, por nuk duhet të shohim në të burimin e problemeve të brendshme të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat