Ekskluzive: Izet Haxhia tregon se si SHIK-u deshi ta vrasë Ibrahim Rugovën, flet edhe për vrasje të tjera

Intervista

Ekskluzive: Izet Haxhia tregon se si SHIK-u deshi ta vrasë Ibrahim Rugovën, flet edhe për vrasje të tjera

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 10 mars 2018 Në ora: 07:58
Izet Haxhia

Në një intervistë ekskluzive të realizuar nga gazeta “Bota sot”, ish-truproja e ish-Kryeministrit Sali Berisha, Izet Haxhia, ka rrëfyer për SHIK-un në Shqipëri e Kosovë, se si i kanë kryer ata vrasjet, si kanë bashkëpunuar dhe në cilat vrasje kanë pasur gisht ata.

Ai flet edhe për planin e SHIK-ut për ta vrarë Presidentin historik, Ibrahim Rugovën dhe tregon se kush e kishte shpëtuar atë.

“Bota sot”: Çfarë mund të na rrëfeni për Shërbimin Informativ në Kosovë e Shqipëri?

Haxhia: Pas shndërrimit të sigurimit famëkeq të shtetit të kohës së diktaturës, në Shërbimin Informativ Kombëtar në vitin 1991, ky shërbim sekret ka qenë i involvuar në faktorin politik shqiptar të Kosovës edhe si një vazhdimësi e sigurimit të shtetit, por me ardhjen në pushtet të Berishës, SHIK-u shqiptar me krye Gazideden u bë një shërbim represiv kundër faktorit politik të rezistencës së armatosur duke i ndjekur, burgosur e dëbuar ata nga territori i shtetit shqiptar. Kjo shpjegohet me arsyen se ky shërbim kishte lidhje të nëndheshme të fshehta me UDB-në serbe, e cila ka qenë dhe mbetet mjaft aktive ne Shqipëri e Kosovë, por me ndërrimin e qeverisjes ne 1997 në krye të SHIK-ut shqiptar erdhi një person me lidhje te dyshimta me shërbimet sekrete ruso- bullgare, por në këtë kohë ky shërbim u lidh edhe me krahun e rezistencës së armatosur kosovare dhe LPK-së. Me ndihmën e SHIK-ut shqiptar u hodhën themelet e SHIK-ut të Kosovës nën përkujdesjen e drejtpërdrejtë te Fatos Klosit dhe kur një agjent i dyfishte si Fatos Klosi vë dorë në një shërbim kaq jetik për Kosovën si SHIK-u merret me mend se çfarë ecurie do kishte ky shërbim duke u kthyer ne vegël te disa personave të caktuar me prirje maf?ozo-kriminale, për të mos thënë edhe më keq, persona te dyshimte në lidhjet e tyre agjenturore.

“Bota sot”: A kishin lidhje shërbimet e Kosovës dhe Shqipërisë?

Haxhia: Po siç e theksova edhe me sipër ka qenë SHIK-u i Klosit që ka kontribuar në themelimin e SHIK-ut të Kosovës dhe kuptohet që SHIK-u i Kosovës ka qenë në fillimet e tij një derivat i SHIK-ut të Klosit dhe së bashku kanë kryer shumë veprimtari të jashtëligjshme e deri kriminale sepse qëllimi i tyre nuk ishte mbrojta e çështjes kombëtare, por pasurimi i paligjshëm dhe përndjekja e atyre që i shihnin si kundërshtarë politikë.

“Bota sot”: Nëse janë kryer krime në Kosovë nga SHIK-u, a ka pasur gisht Fatos Klosi?

Haxhia: Unë jam larguar nga Shqipëria menjëherë pas çlirimit të Kosovës, por gjatë kohës që Klosi ka qenë në krye të SHIK-ut të Shqipërisë, çdo veprimtari kriminale në Kosovë ka pasur edhe ndihmën e njësive speciale të SHIK-ut të Klosit. Nuk mund të flas me saktësi për ngjarje të caktuara, por veprimtaria e Klosit ka qenë mjaft aktive edhe në Kosovë në ndihmë të miqve të tij të “Rognerit”, por duhet theksuar se dora kriminale e Klosit është e përzier në disa vrasje të mbetura enigmë që nga ajo e Ilir Konushevcit, Ahmet Krasniqit, Ali Ukajt, Sadri Ramqajt, Qazim Jakupajt etj.

“Bota sot”: Çfarë dini për Kadri Veselin, Hashim Thaçin, Xhavit Halitin etj...?

Haxhia: Nuk kam njohje personale me asnjërin prej tyre, por di që Xhavit Haliti, Kadri Veseli e Azem Syla kanë qenë miq të ngushtë të Klosit që rrinin gjithë kohën në hotel “Rogner” dhe thurnin plane e intriga jo kundër pushtuesve serbe, por kundër vëllezërve të tyre shqiptarë të Kosovës që i cilësonin si kundërshtarë të tyre politikë, kjo edhe si pasoje e edukatës se tyre marksiste leniniste të luftës së klasave ku kundërshtari yt politik cilësohet si armik e tradhtar, komplet me mendësi komuniste e bolshevike.

“Bota sot”: Çfarë dini për vrasjen e Ilir Konushevceit dhe bashkudhëtarëve të tij?

Haxhia:  Autorët e vrasjes së Ilir Konushevcit dhe Hazir Mslajt dihen kanë qenë vëllezërit Bislim e Agim Demiri dhe disa të afërm te tyre. Bislim Demiri ka qenë një bashkëpunëtor i njohur i UDB-së serbe që në kohën e embargos ndaj Jugosllavisë, kohë kur ky person hynte e dilte lirshëm në Kosovë duke bërë kontrabandën e naftës, por e rëndësishme është të dihet se kush ishin urdhëruesit e kësaj vrasje. Ilirin kam pasur fatin ta takoj tek kulla e haklajve në vitin 1998 dhe në bisedë e sipër, ai i zemëruar tha se ose do më vrasin ose do t’i vras ata në Tirane dhe kishte fjalën për grupin e “Rognerit” të cilët po i nxirrnin njëmijë pengesa në furnizimin me armë të luftëtarëve në front të UÇK-së. Si duket grupi i “Rognerit” u tregua me i shpejtë me ndihmën e Klosit dhe e eliminuan këtë luftëtar të madh, patriot, e të ndershëm të Kosovës.

“Bota sot”: Ju si ish turpërojë e Sali Berishës, a mund të na tregoni momentin më të rrezikshëm gjatë asaj pune?

Haxhia: Unë kam qenë me Berishën që nga dhjetori 1990 e deri më korrik të 1997 si truprojë e tij, ka pasur momente të rrezikshme, por ato kulminantet kanë qenë pas trazirave të marsit 1997, sidomos nata e 13 marsit 1997, kur Berisha po bëhej gati të braktiste presidencën pasi shteti që ai krijoi falimentoi brenda 24 orëve, e kam mbajtur me zor atë natë dhe disa netë të tjera në presidencë. Gjatë asaj natë u sulmuam disa herë, por sulmuesit e morën përgjigjen e merituar, sot Berisha del e flet si trim për atë natë, por ai dridhej i tëri nga frika, por me këtë rast dua t’u kërkoj falje gjithë shqiptarëve që e mbajta me zor atë natë marsi, sepse Shqipëria dhe politika shqiptare do ishte shumë më mirë pa praninë e tij.

“Bota sot”: Është përmendur shpeshherë se shumë vrasje të konsideruara politike janë kryer nga shërbimet informative në Kosovës e Shqipëri, cili është komenti juaj?

Haxhia: Në të gjitha vendet demokratike me demokraci të konsol?duar shërbimet sekrete kanë për detyrë ruajtjen e integritetit territorial dhe rendin kushtetues të vendit nga sulmet armiqësore dhe veprimtaria agjenturore e vendeve të tjera, por e kundërta ka ndodhur me shërbimin sekret ne Kosovë, i cili nën shembullin e shërbimit sekret të Klosit, nuk është marrë me këto veprimtari, por është marrë me shërbime dhe akte kriminale ndaj kundërshtarëve politikë dhe duke mbrojtur interesat dhe shërbyer klaneve të caktuara politike në Kosovë, nuk mund të flas konkretisht për akte të caktuara kriminale sepse kam vite që jam i larguar nga vendi, por desha të theksoj vetëm një rast që bërthama drejtuese dhe krijuese e SHIK-ut të sotëm të Kosovës që ishte grupi i “Rognerit” ka tentuar të bëjë. Ka qenë viti 1999 kur Rugova arriti në aeroportin e Rinasit nga Italia për vizitë në Shqipëri, duke ditur këtë vizitë të Rugovës dhe në bashkëpunim me Klosin këta persona pasi kishin porositur në Austri dhjetëra bomba të telekomanduara, bënë plan që gjatë kalimit të rrugës nga Rinas për në Tiranë, ta vrisnin Rugovën në një atentat të tipit qe ju bë Gligorovit, por si duket Rugova i njoftuar edhe nga shërbimet sekrete perëndimore nuk zbriti fare nga avioni në Rinas duke bërë të dështonte ky plan dhe këto bomba të telekomanduara më vonë pasi u ngelën në dorë, me anë të njerëzve te Klosit, ju dhanë komandës shtetërore që vrau Haklajt.

“Bota sot”: Njëra nga këta vrasje është edhe ajo e Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ahmet Krasniqi,  a mund të na thoni diçka konkrete sa i përket këtij rasti?

Haxhia: Nuk është rastësi që vetëm nëntë ditë pas vrasjes së Hajdarit në Tiranë, u vra po në Tiranë Ahmet Krasniqi, është e njëjta dorë që ka urdhëruar vrasjen e Ilir Konushevcit, Hajdarit që urdhëroi vrasjen e Ahmet Krasniqit, gjithnjë për interesa të zotërimit të trafikut të armëve. Autorët e kësaj vrasje kanë qenë të ndryshëm, kanë qenë tre persona, ku dy prej tyre janë gjallë, njëri në një vend perëndimor, e tjetri në Kosovë. Edhe në këtë vrasje është dora e fshehtë e Klosit dhe SHIK-ut të tij, që i krijoi lehtësisht  edhe mbështetje vrasësve të Krasniqit për hesap të miqve e bashkëpunëtorëve të tij të “Rognerit”.

“Bota sot”: Së fundi jeni ekstraduar në Shqipëri për rastin e vrasjes së ish deputetit Azem Hajdari, si e vlerësoni në tërësi këtë proces?

Haxhia: Po ka rreth një muaj më parë që mësova se është marrë vendimi nga gjykata e lartë turke për ekstradimin tim drejt Shqipërisë, vendim ky i miratuar edhe nga Ministria e Drejtësisë turke. Unë jam dënuar ne procesin gjygjësor të çështjes Hajdari në mungesë, ky ka qene një gjyq  i montuar politik i dirigjuar e drejtuar nga Fatos Klosi dhe në bashkëpunim me Berishën që të pasi vranë autorin e kësaj vrasje, Fatmir Haklajn, me anë të prokurorëve dhe gjykatësve që komandoheshin nga politika dhe Klosi, me anë të provave të rreme dhe dëshmitarëve të rremë, dhanë vendimin për dënimin tim. Qëllimi i këtij vendimi ishte groposja e të vërtetës për autorët e urdhrit për këtë vrasje qe është grupi i “Rognerit” dhe nxjerrin në prite të Hajdarit që është Sali Berisha. Unë nuk kam besim tek kjo drejtësi që do ta hapë dhe hetojë këtë çështje nga e para sepse nuk është në interes të klaneve politike në Kosovë e Shqipëri, pasi aty do dalë fytyra kriminale e shumë pjesëtarëve te rëndësishëm të politikës.

“Bota sot”: Cila mund të jetë e ardhmja e Shqipërisë dhe Kosovës, nëse nuk zbulohen të gjitha detajet dhe rastet kriminale të së kaluarës?

Haxhia: Fatkeqësisht sot si në Shqipëri dhe Kosovë, nuk kemi arritur të ndërtojmë një shtet ku funksionon ligji dhe drejtësia e pavarur ku do bëhej e mundur lufta ndaj lidhjeve të politikës me krimin dhe zbulimi i shumë akteve kriminale te dirigjuara e me urdhër të politikës. Politika si në Shqipëri ashtu edhe ne Kosovë është e ndërthurur keqas me krimin e organizuar dhe i shërbejnë njëra-tjetrës deri në palcë me vrasje, vjedhje, korrupsion e tradhti kombëtare, asnjëherë nuk do të arrijmë të ndërtojmë shtet të fortë, as në Kosovë as në Shqipëri, pa shkatërrimin e kësaj kaste politike të kriminalizuar nuk do të kemi shtet të së drejtës e demokraci në të dy shtetet tona. Ka ardhur koha që të dalin në dritë dhe të ballafaqohen me drejtësinë të gjitha krimet dhe veprat antishqiptare të këtyre politikanëve të korruptuar, përndryshe ne do shkojmë si komb e shtet drejt copëtimit dhe degradimit total. Vetëm drejtësia e pavarur mund ta çliroje politikën shqiptare nga bataku ku ka rënë.

“Bota sot”: Si mund të hiqet mjegulla e krijuar për vite me radhë?

Haxhia: Ka shumë e shumë vite që në botën shqiptare dhe sidomos atë të politikës,  ka shumë mjegull e cila është hedhur me qëllim nga agjentura serbe dhe ajo greke. Duke ditur edhe natyrën e shqiptarëve që janë të pirur të besojnë gënjeshtra e shpifje të çdo lloji dhe sipas parimit që hidhë baltë se shenja ngelet, shqiptarët janë të çoroditur se kujt mund t’i besojnë se kush është tradhtari e kush patrioti, kush ka luftuar për liri dhe kush ka sabotuar luftën, kush është spiun, e kush është i pastër. Jemi të vetmet vende që nuk kemi hapur dosjet dhe nuk jemi ballafaquar me të kaluarën e largët apo të afërt, pa ballafaqimin me këtë të kaluar, pa demaskimin dhe deshifrimin e tradhtareve të vërtetë në do vazhdojmë të akuzojmë njëri- tjetrin me akuza dhe shpifje të prodhuara në kuzhinat e errëta të shërbimeve sekrete fqinje, ku tradhtarët cilësohen patriotë dhe patriotët tradhtarë. Ne duhet të arrijmë atë nivel si popull, e opinion publik që të ballafaqohemi me të vërteta sado të hidhura të jenë.

“Bota sot”: Cili është mesazhi juaj për fund?      

Haxhia: Unë doja t’u thoja bashkatdhetarëve të mijë se kurrë nuk duhet të na përçajë politika dhe lidershipi i saj, bindjet politike, partitë apo feja janë gjera dytësore, në radhë të parë dhe mbi të gjitha duhet të mbizotëroje atdhedashuria dhe uniteti jone për çështjen madhore kombëtare, sepse pa një bashkim kombëtar,  nuk kemi shanse të mbijetojmë në mes të armiqve tanë shekullore që janë gati të na shqyejnë, nuk duhet të derdhet më kurrë gjak shqiptari nga shqiptari, sepse mjaft jemi vrarë, përçarë e ndarë për hir të interesave politike e klanore, të nxitura e ushqyera nga Serbia e Greqia. Pa e arritur këtë, ne jemi të destinuar të vazhdojmë të zgjedhim në drejtimin tonë politik njerëz qe nuk e meritojnë, e nuk i shërbejnë interesave tona e atyre kombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat