Shpendi ka thyer besimin e të gjithëve, Këshilli i Përgjithshëm vendosë për koalicionin në Prishtinë

Intervista

Shpendi ka thyer besimin e të gjithëve, Këshilli i Përgjithshëm vendosë për koalicionin në Prishtinë

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 12 mars 2018 Në ora: 19:50
Liburn Aliu

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu , ka folur rreth zhvillimeve të fundit në këtë parti, ku ka thënë se Shpend Ahmeti me dorëheqjen e tij, nga Vetëvendosja, ka thyer besimin e të gjithëve, edhe të qytetarëve të Prishtinës në përgjithësi. Liburn Aliu, shprehet se në Vetëvendosje nuk ka ndarje, por se vetëm disa figura të partisë kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre.

Ai ka folur edhe për zhvillimet rreth demarkacionit, duke thënë se Vetëvendosja do të shikojë mundësinë e parandalimit të votimit të asaj marrëveshjeje. Liburn Aliu  gjithashtu ka folur edhe për rastin e Astrit Deharit, që sipas tij, ka njerëz në Kosovë që dëshirojnë që ky hetim për këtë rast të mos ndodh kurrë.

“Bota sot”: A keni qëndrimet të përbashkëta për demarkacionin me të dorëhequrit nga strukturat e partisë?

Liburn Aliu: Deri tani të dorëhequrit janë larguar vetëm nga pozitat e tyre që mbartnin brenda Organizatës, ata, edhe sipas deklarimeve të tyre, vazhdojnë të jetë pjesë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje që nënkupton edhe qëndrime të njëjta sa i përket qëndrimeve politike dhe marrëveshjeve të dëmshme si Demarkacioni.

“Bota sot”: Si keni menduar ta parandaloni votimin e marrëveshjes për Demarkacionin?

Liburn Aliu: Ajo që vlen të theksohet është se Lëvizja Vetëvendosje, është subjekti i vetëm që ka mbajtur qëndrim konsistent në kundërshtimin e marrëveshjes së dëmshme të Demarkacionit dhe do të vazhdojë të bëjë një gjë të tillë, pra kjo është me rëndësi. Mirëpo, në anën tjetër, ne jemi në situatën ku nuk ekzistojnë numrat për të kaluar një marrëveshje të tillë që kërkon 80 vota. Në lidhje me metodat e kundërshtimit besoj se do të kemi mundësi t’i shohim me kohë.

“Bota sot”: A e përjashtoni mundësinë e hedhjes së gazit lotsjellës, apo kjo mbetet megjithatë e mundshme?

Liburn Aliu: Gazi lotsjellës ka qenë mjet efikas për të parandaluar votimin dhe për të sensibilizuar publikun në lidhje me dëmin që sjellin marrëveshjet për Zajednicë dhe Demarkacion, mirëpo gazi nuk ka qenë qëllim në vetvete dhe si i tillë duhet të shihet. Së pari duhet ta vendosim qëllimin tonë për të parandaluar dëmin që i shkaktohet Republikës e më pastaj mjetin që do ta zgjedhim për ta bërë kundërshtimin.

“Bota sot”: Si i komentoni zhvillimet e fundit ndërmjet LDK-së dhe AAK-së lidhur me raportin e Bulliqit, a pati ndonjë “hile” gjatë përpilimit të projektligjit?

Liburn Aliu: Emërimi i Komisionit të ri shtetëror për të verifikuar punën e Komisionit të vjetër që solli këtë version të Demarkacionit është vendim i duhur dhe i mirëpritur. Por, pasi Komisioni konstatoi shumë shkelje të marrëveshjes që nënshkruan kryeministri i kaluar, Isa Mustafa, dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe aktualisht Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri aktual, Ramush Haradinaj bëri hapa prapa duke e futur këtë raport vetëm si orientim për deputetë që do ta votojnë marrëveshjen paraprake. Ky do të ishte moment për të anuluar komplet marrëveshjen dhe jo për ta integruar këtë raport si orientim në projektligjin që kishte sjell Isa Mustafa në vitin 2015.  Hipokrizia qëndron në pikën kur konstatohen dëmet e marrëveshjes, por kërkohet votimi i tyre në mënyrë që më pas do të mund të flisnim mbi ato dëme me Malin e Zi. Mirëpo, një gjë e tillë nuk është garanci. Ky projektligj nuk duhet të votohet.

“Bota sot”: Po lidhur me qëndrimin e Listës serbe çfarë mendimi keni?

Liburn Aliu: Lista serbe është krijesë që për nga thelbi qëndron për të përfaqësuar dhe ndjekur interesat e Beogradit. Qëndrimet e saja janë të mirënjohura. Arsyeja pse Lista serbe nuk e voton marrëveshjen e Demarkacionit është sepse ajo dëshiron themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nuk ka asnjë arsye tjetër. Tentimi që me çdo kusht të kalohet Demarkacioni, madje edhe me Listën Serbe, do të çonte në shumëfishimin e dëmit. Në këtë rast mos kalimi i Demarkacionit do të sillte dy dobi për Republikën, shfuqizimin e marrëveshjes, ku Kosova humb territor, dhe po ashtu do t’i jepej një goditje tentativës për të rikthyer në skenë Zajdenicën.

“Bota sot”: Së fundi, janë mbajtur bisedimet ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë në Bruksel, si opozitë a keni marrë informacione rreth asaj se çka është biseduar?

Liburn Aliu: Jo, ne nuk kemi ndonjë informacion zyrtar në lidhje me agjendën e bisedimeve. Ajo që kemi parë në media ka qenë se këto bisedime kanë si qëllim zbatimin e marrëveshje tashmë të nënshkruara, mirëpo ajo që dihet është se këto bisedime fokus kryesor kishin zhvillimet e fundit në Kosovë, më saktësisht votimin e marrëveshjes së Demarkacionit, për çka duheshin dhe votat e Listës Serbe. Kështu kanë shkuar gjithmonë deri tani bisedimet me Serbinë, Kosova ka qenë gjithmonë temë e bisedimeve në negociata.

“Bota sot”: Sa është e rëndësishme përfshirja e opozitës në dialog dhe cili është pozicioni juaj në raport me dialogun?

Liburn Aliu: Lëvizja Vetëvendosje, që nga fillimi ka kundërshtuar këto negociata me Serbinë që flisnin për problemet e brendshme të Kosovës pa asnjë kusht ndaj Serbisë. Pa ndryshuar në thelb këto negociata, ato do të prodhojnë gjithmonë efekte të dëmshme për vendin tonë. Në emër të njohjes së Kosovës nga Serbia, që do të mund të vinte si rezultat, ne po e njohim Serbinë brenda Kosovës përmes këtyre bisedimeve duke nënshkruar marrëveshje të dëmshme dhe antikushtetuese siç ishte marrëveshja për Zajednicën. Lëvizja është për dialog të hapur me serbët e Kosovës për zhvillim dhe jo dialog të mbyllur e diplomatik që na sjell vetëm dëme.

“Bota sot”: Cila do të jetë mënyra e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe?

Liburn Aliu: Pyetja e këtillë presupozon që Asociacioni është diçka e domosdoshme dhe e pashmangshme. Nëse konstatohet diçka, e që tashmë edhe është konstatuar nga Gjykata Kushtetuese, që një marrëveshje e tillë e cenon Kushtetutën e Republikës në 23 nene ajo duhet të hidhet poshtë e tëra dhe të mos sillet si diskutim. Ligjet e Republikës së Kosovës parashohin dhe lejojnë formimin e asociacioneve të ndryshme, mirëpo jo të tilla më kompetenca ekzekutive që do të formonin një Republikë serbe brenda Kosovës dhe do të defunksionalizonin komplet shtetin.

“Bota sot”: A ka diçka që nuk është e thënë rreth ndarjes së Vetëvendosjes?

Liburn Aliu: Duhet ta bëjmë të qartë që nuk ka ndarje të Vetëvendosje, ka vetëm dorëheqje të disa figurave që kishin pozita në Lëvizje. Vetëvendosja është funksionale për nga organizimi dhe zhvillimi i punëve, dhe në kohën kur po flasim po zhvillohen aktivitete në mënyrë normale gjithandej nëpër Kosovë.

“Bota sot”: Si e vlerësoni punën në Komunën e Prishtinës, meqë ishit një nga drejtorët?

Liburn Aliu: Qeverisja e Lëvizjes ka sjell një mënyrë të re të qeverisjes me duar të pastra dhe pa korrupsion. Janë shënuar shumë hapa pozitiv drejt përmirësimit të jetës së qytetarëve të qytetarëve. Që nga ndalja e ndërtimeve pa leje, autobusët e rinj të Trafikut Urban e deri të reformat e thella nëpër qendrat e mjekësisë familjare janë vetëm disa nga punët e mira që u bënë e që po vazhdojnë të bëhen në Komunën e Prishtinës.

“Bota sot”: Cilat janë raportet tuaja me Kryetarin Ahmeti?

Liburn Aliu: Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje e ka shqyrtuar dhe pranuar dorëheqjen dhe largimin e Shpend Ahmetit, por më duhet ta them se jam thellësisht i zhgënjyer nga vendimi i tij i padrejtë ndaj qytetarëve dhe aktivistëve të Lëvizjes. Ai e ka thyer besimin e të gjithëve. Tash që ai nuk është më pjesë e organizatës tonë, Lëvizja duhet të përcaktohet nëse dëshiron të hyjë në koalicion qeverisës me Shpend Ahmetin. Sa i përket Lëvizjes, kuvendi i takon, sipas Statutit, organit tonë më lart vendimmarrës, Këshillit të Përgjithshëm, që do ta trajtojë këtë çështjen në mbledhjen e radhës. Deri atëherë, meqenëse Shpend Ahmeti është në qeverisje në Prishtinë për shkak të Lëvizjes Vetëvendosje,mendoj se është normale që drejtorët nga radhët e Lëvizjes, të qëndrojnë në pozicionet e tyre në Komunë të Prishtinës.

“Bota sot”: Çfarë prisni nga ekspertiza për aktivistin Astrit Dehari?

Liburn Aliu: Familja Dehari por edhe Lëvizja Vetëvendosje disa herë ka kërkuar ekspertizë të plotë për rastin e Astrit Deharit dhe jo vetëm auditim të dokumente që kanë prodhuar institucione të ndryshme këtu. Pavarësisht miratimit të rezolutës së Kuvendit sipas së cilës familja e Astrit Deharit mund të kërkojë ekspertizë nga çdo vend i BE-së ose SHBA dhe se Qeveria do të kujdesej për të gjitha shpenzimet, për një vit nuk është bërë asgjë. E tërë kjo zvarritje ka një qëllim. Ka persona në Republikën e Kosovës që duan që ky hetim të mos ngjajë kurrë.

“Bota sot”: Sa mund të ndikojnë zhvillimet e fundit të brendshme brenda Lëvizjes në të ardhmen e saj si parti politike?

Liburn Aliu: Lëvizja VETËVENDOSJE është i vetmi subjekt që mund të sjell ndryshimin e nevojshëm në Kosovë. Përkrahja e madhe që ne morëm në zgjedhjet e fundit është si rezultat i asaj çka ne përfaqësojmë dhe për çka angazhohemi që nga themelimi. Lëvizja Vetëvendosje nuk ka hequr dorë nga asnjë nga parimet dhe qëndrimet e saja, ajo është dhe do të mbetet konsistente në këtë drejtim. Edhe tash kur po flasim, Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon të rritet nëpër pikat dhe qendrat e saj,  andaj, nuk mendoj që zhvillimet e fundit do të mund të zbehin dhe ulin përkrahjen që Lëvizja e ka në popull.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat