Balija: Valutat virtuale nuk njihen si mjet pagese nga bankat e Kosovës

Intervista

Balija: Valutat virtuale nuk njihen si mjet pagese nga bankat e Kosovës

Suzana Rugova Nga Suzana Rugova Më 13 mars 2018 Në ora: 15:30
Petrit Balija

Këtë javë ka filluar ‘’Java Ndërkombëtare e Parasë’’ e cila shënohet nga Banka Qendrore e Kosovës në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave të Kosovës dhe bankat e tjera. Synimi i këtij aktiviteti është që të rrisin interesimin për edukimin financiar si dhe të rrisin vetëbesimin te të rinjtë në lidhje me planifikimin e financave personale.

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, në një intervistë për “Bota sot”, ka dhënë më shumë detaje rreth kësaj jave. Po ashtu, gjatë kësaj interviste mund të mësoni edhe për valutat virtuale. Lidhur me këtë, Balija thotë se ato nuk njihen si mjet i pagesës nga bankat e Kosovës dhe se ky lloj i pagesës nuk është i lejuar as me ligjet e Republikës së Kosovës.

Bota sot: Cilat janë aktivitetet që i ka përgatitur Shoqata e Bankave të Kosovës, për Javën Ndërkombëtare të Parasë?

Petrit Balija: Shoqata e Bankave të Kosovës ka përgatitur një program të pasur me aktivitete për Javën Ndërkombëtare të Parasë. Në ditën e parë kur do të bëhet hapja e aktiviteteve, SHBK së bashku me BQK do të mbajnë një ligjeratë me aktivitete për nxënësit e shkollës Don Bosko në ambientet e BQK-së. Përveç ligjeratave dhe aktiviteve praktike që do të zhvillohen, SHBK do të shpërndaj edhe disa materiale për fëmijët, përfshirë edhe arka të kursimit, fletore, lapsa dhe materiale të ngjashme.

Bota sot: Në cilat vende të Kosovës do t’i shtrini aktivitetet tuaja?

Petrit Balija: Përveç komunës së Prishtinës, SHBK do të shtrijë aktivitetet edhe në komuna tjera përfshirë Pejë, Mitrovicë, Istog, etj.

Bota sot: Cili është synimi që doni të arrini nëpërmjet këtij aktiviteti?

Petrit Balija: Me këtë aktivitet, Kosova, respektivisht sektori bankar i Kosovës, po bëhet pjesë e një iniciative ndërkombëtare për edukimin e të rinjëve dhe fëmijëve për financa personale. Motoja e ngjarjes këtë vit është “Çështjet e parasë kanë rëndësi”, që do të thotë se për të arritur një mirëqenje ekonomike të rinjët duhet të dinë të menaxhojnë me financat e tyre personale. Qëllimi ynë si sektor bankar, është që të rrisim interesimin për edukimin financiar si dhe të rrisim vetëbesimin te të rinjët në lidhje me planifikimin e financave personale pasi që besojmë se kjo kontribuon shumë edhe në mirëqenjen ekonomike të qytetarëve të vendit.

Bota sot: Është përhapur edhe në Kosovë paraja virtuale, a njihet si mjet ligjor i pagesës?

Petrit Balija: Valutat virtuale nuk njihen si mjet ligjor i pagesës nga ana e bankave të Kosovës. Ky instrument i tregtueshëm virtual, nuk është i rregulluar me ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës dhe paraqet rreziqe të shumta për investitorët.

Bota sot: Cilave rreziqeve iu ekspozohen qytetarët e Kosovës, nëse i përdorin kryptovalutat?

Petrit Balija: Rreziku kryesorë është humbja e mjeteve të investuara, qoftë për arsye të rënies së vlerës së këtyre investimeve apo edhe për arsye tjera siç është vjedhja nga hakerët. Problemi parësor qëndron në atë se asnjë institucion shtetërorë e as financiarë nuk garanton asnjë aspekt të valutave virtuale. Prandaj, qytetarët që investojnë në këto instrumente janë krejtësisht të pa mbrojtur nga ligjet në fuqi

Bota sot: Si qëndron Kosova me kreditë jo-performuese apo siç njihen ndryshe, kreditë e këqija?

Petrit Balija: Kreditë jo-përformuese në Kosovë janë në nivelin më të ulët edhe historikisht për Kosovën por edhe në krahasim me vendet e rajonit. Niveli i kredive jo përformuese i raportuar në Janar 2018, ishte 3.1%. Kjo do të thotë se bankat kanë arritur që të krijojnë një portfolio kreditore të shëndoshë për të ruajtuar stabilitetin e institucioneve bankar dhe rrjedhimisht sistemit financiar në vend.

Bota sot: A është sektori bankar stabil ?

Petrit Balija: Sektori bankar në Kosovë është shumë stabil, likuid dhe i kapitalizuar mirë. Të gjithë indikatorët kryesorë të stabilitetit tregojnë për një qëndrueshmëri të sektorit bankar. Bankat në Kosovë, jo vetëm që kanë krijuar një stabilitet financiar por janë duke dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm për zhvillimin ekonomik të vendit. Banka komerciale janë partner të besueshëm për depozitorët dhe klientët të cilët përdorin sistemin e pagesave të bankave komerciale. Gjithashtu, bankat vazhdimisht janë duke u angazhuar që të ofrojnë shërbime cilësore dhe të mundësojnë kreditim me kushte sa më të favorshme. Në këtë drejtim janë arritur rezultate të mira pasi që normat e interesit për kredi janë në nivelet më të ulëta që ka pasur ndonjëherë Kosova.

Bota sot: Çmimi i shërbimeve bankare është ngritur dhe kjo po shkakton pakënaqësi tek konsumatorët. A do të thotë që bankat përmes rritjes së çmimeve duan t’ua bëjnë me dije qytetarëve që të ju drejtohen vetëm shërbimeve elektronike?

Petrit Balija: Një numër i konsiderueshëm i shërbimeve bankare kanë kaluar në kanalet elektronike të shërbimeve. Në këto raste ato ofrohen me çmime shumë të ulëta apo edhe pa pagesë. Por janë disa shërbime të cilat kanë pësuar ngritje pasi që ato tanimë nuk konsiderohen si mënyra primare e marrjes së shërbimit, si p.sh. tërheqja e parave të gatshme nga arkatari në vend se të bëhet tërheqja e parave në bankomat. Në këtë rast bankomati është mënyra parësore e shërbimit dhe është shumë më e lirë se sa tërheqja te arkëtari që tanimë konsiderohet alternative dytësore dhe më e kushtueshme.

Bota sot: Sa është efikas sistemi gjyqësor në lidhje me lëndët që kanë bankat në kontest me palët e tyre?

Petrit Balija: Fatmirësisht kemi parë një përmirësim në këtë drejtim në vitin e fundit. Ky përmirësim nuk mjafton dhe është mjaft simbolik por ajo që na inkurajon është se trendi i zgjidhjes së lëndëve të vjetërsuara është duke u përshpejtuar, duke bërë kështu që numri i rasteve të bllokuara në gjykatë të filloj të reduktohet dhe jo të rritet më tutje. Shpresojmë që ky trend të vazhdoj dhe të kemi zgjidhje të lëndëve gjyqësore nga sektori bankar me një ritëm më të përshpejtuar.

Bota sot: Çfarë dëmi i shkakton bankave vjetërsimi i lëndëve dhe sa mjete janë bllokuar deri tani?

Petrit Balija: Vjetërsimi i lëndëve e rritë rrezikun e kredimit në sektor dhe bënë që bankat të bllokojnë më shumë mjete për të mbuluar këto raste, mjetet të cilat do të mund të ishin në shërbim të ekonomisë. Poashtu, mos zbatimi i kontratave apo vonesat në trajtimin e tyre nga sistemi gjyqësorë, bënë që rreziku i kreditimit të jetë më i lartë në Kosovë, rrejdhimisht kreditë të jenë më të shtrenjta për qytetarët dhe bizneset. Por, përkundër këtyre problemeve, bankat kanë arritur që të ulin koston e kreditimit në vitet e fundit dhe tanimë jemi në mesataren e normave të interesit të rajonit. Kjo ka ndikuar që edhe kreditimi të rritet në vitet e fundit si për qytetarët ashtu edhe për bizneset.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat