Kam jetuar dhe vazhdoj të jetoj me “Prushin e bukurisë” të artit të fjalës

Intervista

Kam jetuar dhe vazhdoj të jetoj me “Prushin e bukurisë” të artit të fjalës

Nga: Ajete Zogaj Më: 26 mars 2018 Në ora: 15:40
Anton Nikë Berisha

Bisedë me prof. dr. Anton Nikë Berishën

I nderuar profesor Anton, veprimtaria juaj krijuese rreth 50 vite hulumtime e studime, është një kapital i çmuar për historinë dhe kulturën tonë.

Ndër studimet tuaja të vlefshme të botuara viteve të fundit do të veçoja: “Meshari – vepër e hartuar nga Gjon Buzuku”, botuar në Kozencë më 2014 (dhe ribotuar në Prishtinë në të njëjtin vit) dhe “Gjon Buzuku poeti ynë i parë”, botuar në Prishtinë më 2016 (dhe ribotuar në Kozencë në të njëjtin vit). Në dy studimet keni dëshmuar se keni bërë një lexim dhe interpretim shkencor e argumentues të “Mesharit” të Gjon Buzukut, të cilin nuk e kemi hasur deri më tani, madje nga kritika jeni vlerësuar edhe si nismëtar i disa çështjeve të vëzhguara e të analizuara të kësaj vepre.

A mund të na flitni pak më konkretisht për këto dy studime?

Me veprën e Gjon Bdek Buzukut “Meshari” jam marrë qysh në vitin 1987. Një vit më vonë botova punimin “Krijimtaria letrare gojore shqipe dhe “Meshari” i Gjon Buzukut” (“Jeta e re”, nr. 3, 1988, f. 272-292). Atëbotë pata vërejtur pasurinë e madhe të kësaj vepre të parë të botuar në gjuhën tonë, po interesimi im atëherë nuk shkonte përtej temës së përmendur.

Në kohën kur po e hartoja studimin monografik “Pjetër Budi poet dhe prozator” u ballafaqova me mendimin: a ta përsërit atë që është në të gjitha historitë e letërsisë shqipe që janë shkruar deri me sot: Pjetër Budi është poeti ynë i parë që botoi 23 poezi, midis tyre disa që mund të cilësohen poema. Kisha lexuar edhe mendimin se Buzuku ishte autor i disa lutjeve që mund të merreshin si poezitë e para të botuara në gjuhën tonë. Për t’u bindur se a ishte Budi poeti ynë i parë, iu ktheva veprës së Buzukut “Meshari”. E lexova dhe e rilexova; lexova dhe një varg punimesh kushtuar asaj, në shqip e në gjuhët që i zotëroj.

Duke kërkuar tekste origjinale në këtë vepër, që mund të vlerësoheshin si poezi, zbulova se ajo nuk është vepër  e përkthyer, po e hartuar, e përgatitur (e kompiluar) nga Gjon Buzuku. Një nga argumentet më të forta për këtë janë katër tekste në formë të Psalmeve, ku Buzuku përmend emrin e vet dhe emrin e njerëzve të gjakut e të gjuhës së tij, që nuk mund t’i kishte përkthyer nga asnjë tekst në gjuhë tjetër. Ishin edhe disa tekste të tjera dhe rreth 400 ndërhyrje në vepër – si sqarime, që duhet të jenë të Buzukut, natyrisht të mbështetur dhe në traditën biblike teologjike.

Nisur nga fakti se vepra e tij nuk ishte përkthim, po hartim, sajim, këtë gjë e theksova që në titull të studimit tim monografi “Meshari – vepër e hartuar nga Gjon Buzuku”.

Leximi i disahershëm i tekstit të “Mesharit” më zbuloi edhe një fakt tjetër: as përkthimet e teksteve të përfshira dhe të botuara në këtë vepër, nuk janë të një autori, që dëshmojnë versionet e ndryshme të teksteve të njëjta biblike, sidomos tri variantet e Psalmit 130, të cilin psalm Buzuku e botoi tri herë brenda veprës së vet, me ndryshime të ndieshme të varianteve të tekstit të përkthyer.

Leximi dhe krahasimi i mëtejshëm i tekstit të “Mesharit”, po dhe i punimeve kushtuar librit, më zbuluan dhe fakte të tjera. Nuk ishin vetëm katër tekstet që pa asnjë dyshim ishin sajesa të vetë Buzukut, po kishte dhe të tjera, që janë të tilla – të hartuara nga Buzuku, gjithsej 14. Tri prej tyre nuk lënë dyshim se i ka hartuar vetë Buzuku. Ndërkohë zbulova dhe një tekst kushtuar shtatë mëkateve që kur shndërrohet në vargun e psalmeve, ka 128 vargje, domethënë 11 vargje më shumë se Kënga e këngëve (ajo ka 117 vargje ose 1250 fjalë në gjuhën hebraishte).

Këto fakte për mua ishin të mjaftueshëm të theksoj që në titull të studimit tim: “Gjon Buzuku poeti ynë i parë”, që u botua në Kozencë dhe në Prishtinë, siç e përmendet edhe ju.

Këto dy studime më binden se çdo vepër duhet të lexohet shumë herë, të analizohet nga kënde e rrafshe të ndryshe, derisa të njësohesh mirëfilli me të. Ndryshe mbetesh gjithmonë në degëza e degë.

Të ndalemi më përafërt rreth studimit tuaj “Gjon Buzuku poet ynë i parë”. Ju thoni se janë 14 tekste të hartuara nga ai, midis tyre edhe një poemë prej 128 vargjesh, kushtuar shtatë mëkateve. A mjaftojnë këto tekste që Buzuku të quhet poeti ynë i parë?

Tekstet e përmendura, të pranishme në “Mesharin” e Buzukut, për mua janë të mjaftueshme që Gjon Bdek Buzukun ta cilësoj poetin tonë të parë që njohim deri më sot, pa harruar faktin se Atë Pali i Hasit, poezitë e të cilit i shfrytëzoi Pjetër Budi (pa na thënë se në cilën kohë jetoi dhe i hartoi ato), mund të jetë më i vjetër. Është dhe një punë tjetër pse Buzukun e cilësova si poetin tonë të parë që i botoi poezitë e veta: sasia asnjëherë nuk ka qenë vendimtare për të cilësuar dikë poet ose jo. Mendoj se edhe katër psalmet e hartuara nga Buzuku do të mjaftonin për ta emërtuar atë poetin tonë të parë. Nëntë tekstet e tjera si edhe poema prej 128 vargjesh vetëm sa e përforcojnë faktin.

Unë kam sjellë tekste, kam sjellë argumente. Nëse dikujt kjo i duket e papërfillshme, lë t’i sjellë argumentet se nuk është ashtu.

Jam i bindur se një hulumtim i imtë, i mëtejshëm i “Mesharit”, do të sjellë edhe të dhëna të tjera për të dëshmuar se vepra është hartuar nga Buzuku dhe se një varg tekstesh të saj janë hartuar nga ai.

Në interesimet tuaja studimore, keni sjell argumente të shumta për vlerat dhe origjinalitetin e Pjetër Budit si poet dhe prozator.

Cilat janë disa nga çështjet që do t’i veçonit e që sipas mendimit tuaj dëshmojnë rëndësinë e këtij shkrimtari tonë?

Studimi për Budin ka rreth katërqind faqe dhe nuk është lehtë të përmblidhet me disa mendime. Ajo që do të veçoja është vlerësimi se kinëse poezia e Budit ka proliksitet (tepri, përsëritje), që është  i paqëndrueshëm. Për hartimin  e poezive të veta Budi u mbështet kryesisht në traditën e pasur të Psalmeve, që janë njëherësh lutje, këngë lavdimi, himne, poezi, lutje. Kush ka lexuar edhe ndonjë nga Psalmet e Besëlidhjes së Vjetër, që hebrenjtë i çmojnë si poezi të rrafshit të lartë, nuk do ta kishte përmendur çështjen e proliksitetit. Është krejtësisht e qartë se Budi mbështetet në Biblën dhe në literaturën biblike, pa mohuar të dhënën se, fjala vjen, vargun e poezive të veta, tetërrokëshin, e mori nga tradita jonë gojore (në një poezi Budi përdori tetërrokëshin e dyfishtë apo gjashtëmbëdhjetë rrokëshin, me të cilin Naim Frashëri e shkroi veprën “Bagëti e bujqësia”).

Në pjesën e studimit “Budi prozator”, përmes analizave të teksteve konkrete, kam ndriçuar vlerën poetike të tyre, po dhe një gjë me shumë rëndësi: përkthimet e Budit herë – herë janë aq të lira sa vështirë se mund të thuhet se janë përkthime – ato janë përshtatje që edhe si sasi (në disa raste) janë dyfish më të gjata se origjinali. Edhe një gjë tjetër, ndoshta më e rëndësishme se të gjitha: një studim i imtë, këmbëngulës, do të dëshmojë se edhe veprat e Budit që deri më sot janë vlerësuar si përkthime “Doktrina e krishterë” (1618), “Pasqyra e të rrëfyemit” (1621) dhe “Rituali roman” (1621), nuk janë të tilla në tërësinë e tyre. Kështu, në veprën “Ritiuali roman” që merret si përkthim, është përshkrimi i gjamës tek shqiptarët. Prej cilit libër do ta ketë përkthyer Budi këtë tekst?! Natyrisht se ky tekst është i Budit. Në studimin tim kam sjellë edhe shembuj të tjerë.
 

Njiheni edhe si njëri ndër studiuesit më të spikatur të letërsisë arbëreshe, madje hulumtimet tuaja shkencore nxjerrin në pah shpërpjesëtime, gjymtime dhe shëmtime që u janë bërë disa veprave të De Radës dhe disa autorëve të tjerë arbëreshë.

Të çfarë përmase ishin këto gjymtime e shëmtime dhe sa dëme i sollën letërsisë arbëreshe dhe studimit të saj?
 

Me letërsinë e arbëreshëve të Italisë jam marrë nga viti 1976 kur e botova punimin Prezenca dhe aspekte ndikimi të letërsisë gojore arbëreshe në poemën “Kënga e sprasme e Balës” (“Gjurmime albanologjike folklor dhe etnologji”, VI, 1976, Prishtinë 1978, f. 77-95, ribotuar në “Kultura popullore”, nr. 2, Tiranë 1984, f. 87-95). Mirëpo, me studimin e mirëfilltë të saj jam marrë nga viti 1993, kur kam filluar të punoj në Universitetin e Kalabrisë (Itali). Mbi 23 vjet kam qenë i lidhur ngushtë  me këtë letërsi: edhe e kam ligjëruar në fakultet, edhe jam marrë me studimin e saj.

Gjatë kësaj pune studiuese i kam vërejtur edhe gjymtimet dhe shëmtimet që i janë bërë disa veprave të De Darës dhe disa veprave të autorëve të tjerë nga disa studiues nga Tirana si Andrea Varfi, Jup Kastrati, Gjovalin Shkurtaj, Shuteriqi (më pak) e ndonjë tjetër. Në librin tim “Gjymtime dhe shëmtime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë” (– 2001, ribotuar më 2007 në revistën ARS të Tiranës) i kam konkretizuar këto shëmtime e gjymtime dhe këtu, natyrisht, po përmend një shembull: vetëm në librin e pestë të “Skanerbeut të pafaan” të De Radës janë hequr 934 vargje, vëllimisht sa dy “Bagëti e bujqësi” të Naim Frashërit. Po përmend edhe faktin tragjik, në qenësi të dënueshëm, se mbi bazën e veprave të tilla janë mbrojtur tituj shkencorë (magjistratura dhe doktorata) në Tiranë dhe në Prishtinë! Në kushte normale, në një shtet ku kulturës, studimit të letërsisë dhe arsimit të kuadrove të larta i kushtohet kujdesim i mirëfilltë, do të duhej t’u merreshin titujt e fituar me punime të tilla të shpifura. Fajin kryesor, pa dyshim, e kanë profesorët që i kanë udhëhequr kandidatët përkatës ose studiuesit që punimet e tyre i kanë bërë duke u mbështetur në ato botime gjysmake.
 

Vitin e kaluar botuat librin me titull “Paanësia e fjalës poetike. Libri i parathënieve”, ku keni përfshirë 22 punime për veprat e shkrimtarëve tanë dhe për veprat e disa shkrimtarëve të huaj. A mund të na sqaroni më përafërt këtë titull të dyfishtë? Pse libër i parathënieve?
 

Është libër i punuar sipas një koncepti të veçantë: kam përfshirë ato punime që u prijnë zgjedhjeve të poezive ose tregimeve të autorëve të tjerë, që i kam bërë vetë, ose janë menduar si parathënie, si fjala vjen, punimi për veprën e Fishtës “Jerina ase mbretnesha e luleve” ose punimi për një novelë të Cvajgut për shumëçka e veçantë dhe me vlera poetike të mëdha “Sytë e vëllait të përjetshëm”.

Me pak fjalë: kam bërë përpjekje të dëshmoj se edhe vetë vepra poetike dhe veçantitë e saj e kushtëzojnë qasjen dhe interpretimin për të;  një punim për një vepër poetike është vetëm një mundësi leximi dhe interpretimi. Mjerisht ne ende vazhdojmë me “këngën e vjetër” kur themi: e kam kuptuar këtë vepër ose nuk e kam kuptuar këtë vepër letrare. Letërsia sot vështrohet ndryshe: vepra letrare në qenësinë e vetë asnjëherë nuk mund të kuptohet në tërësinë dhe thellësinë e saj: e rëndësishme është që të vihet komunikim me të. Ndonjëherë ndodh që atë që ka menduar autori i veprës dhe atë që e mendon lexuesi janë krejt të ndryshme, po edhe kjo ka peshën e vet në komunikimin që nxitë një vepër letrare artistike. Qenësia dhe veçantia e gjuhës poetike që përdoret në veprat letrare përligjet nga shumësia e mendimeve që dalin nga teksti dhe nga shumësia e perceptimit dhe e receptimit të tyre nga lexuesi e jo nga një mendim dhe një receptim. Besoj se pikërisht në këtë rrafsh dhe për këtë përbërës vepra “Paanësia e fjalës poetike. Libri i parathënieve” ka peshën e vet.
 

Vepra studimore “Hyrje në historinë e letërsisë gojore shqipe”, që u botua vitin e  kaluar (2017) nga shtëpia botuese Faik Konica e Prishtinës, është një sublimin i punës suaj në studimin e letërsisë gojore  e të veprave të saj. Ju edhe më parë keni botuar disa libra kushtuar kësaj letërsie sidomos disa studime mbi epikën tonë gojore, duke e krahasuar atë me epikat e tjera, sidomos me ato të popujve të Ballkanit. Çfarë kuptimi ka për ju studimi i letërsisë gojore dhe i veprave të saj?
 

Secili që gjakon të merret mirëfilli me studimin e artit të fjalës në përgjithësi dhe me letërsinë e shkruar në veçanti, duhet ta njohë letërsinë gojore, mënyrën e lindjes, të funksionimit dhe të ndikimit të saj estetik në marrësin. Kjo gjë është e rëndësishme për arsye letërsia e shkruar lindi dhe u ngrit mbi bazën e letërsisë gojore, e cila me shekuj ekzistoi para saj, u pasurua dhe në disa përbërës e lloje mbërriti rrafshin më të lartë, fjala vjen, në epikë dhe në përrallë. Me fjalë të tjera, letërsia e shkruar trashëgoi nga letërsia gojore gjithë atë që është e qenësishme për artin, për ekzistimin e tij dhe ndikimin në marrësin. Është punë tjetër që pastaj brenda letërsisë së shkruar u shfaqën dukuri, lloje e përbërës që nuk njiheshin në atë mënyrë në artin e fjalës që u përcoll gojarisht.

Njohja e letërsisë gojore, e vlerave dhe e veçantive të veprave të saj, është shumëfishtë e rëndësishme për studimin  dhe interpretimin e veprave të letërsisë sonë të shkruar, sidomos të poezisë e cila edhe sot në disa pikë ka brenda poezinë tonë gojore.

Libri do të jetë i dobishëm për studentë, po dhe për profesorë që e japin letërsinë gojore si lëndë mësimi si dhe për studiues. Janë shumë të dhëna për zhvillimin historik të letërsisë sonë gojore e për vlerat e veprave konkrete të saj që nuk gjenden diku tjetër.
 

I nderuar prof. Anton, romani juaj “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar” është cilësuar si kryevepër e Juaja nga studiuesit tanë dhe italianë (meqenëse romani është përkthyer edhe në italisht), apo edhe si shtegtim homerik. Në roman shpaloset psikologjia, historia, ëndrra dhe filozofia e personazhit Gjin Bardhela për jetën dhe botën e tij arbëreshe - arbërore. Sikur në roman gjithçka ngrin e gurëzon!

Sa e keni pasur të vështirë të bëni gjetje të shumta artistike, figura e stil të arrirë, gjuhë të pastër e me shumë shprehje e fjalë të veçanta, madje dhe të reja shqipe?

Në fillim dua të bëj të ditur se romanin “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar” (botuar nga shtëpia botuese Faik  Konica e Prishtinës më 2002) e kam punuar për rreth shtatë vjet. Një pjesë të tij  e kam shkruar në Kozencë, një pjesë në Prishtinë. E kam punuar çdo fjalë, çdo shprehje e çdo fjali, çdo pjesë. Kam synuar të krijoj një vepër sa më artistike që kisha mundësi ta bëja. Letërsia është art dhe çdo vepër letrare vlerësohet sipas artit të saj e jo për diçka tjetër. Shkrimtari Amik Kasoruho thotë në pasthënien e botimit të parë të romanit se kemi të bëjmë më shumë me poezi dhe se vepra duhej të ishte në vargje.

Romani zgjoi interesim te disa shkrimtarë e studiues të letërsisë sonë. Kjo dëshmohet me vëllimin me punime kushtuar këtij romani që ka titullin: Roman i bukurisë së pamort dhe i trishtimit të pashuar (Rreth romanit “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar”. Zgjodhi dhe përgatiti për shtyp Labinot Berisha. E botuan “Faik Konica” & “Shpresa”, Prishtinë 2006).

Më 2013 libri u përkthye dhe u botua italisht me titull La sete pietrificata (Etja e gurëzuar, përkthimin e bëri Albana Alia dhe e botoi Luigi Pellegrini Editore. Cosenza 2013), i cili zgjoi interesim të madh tek shkrimtarët dhe studiuesit italianë, që nuk e kam pritur: u shkruan 25 punime, të cilat Albana Alia dhe Labinot Berisha i përmblodhën në vëllimin me titull Romanzo di estrema belleza.Ventidue scrittori e studiosi italiani e arbëreshë sul romanzo “La sete pietrificata” di Anton Nikë Berisha. Faik Konica, Prishtinë 2016. Punimet pastaj u përkthyen në shqip dhe u botuan në vëllimin me titullin Roman i bukurisë së skajshme (Njëzet e pesë shkrimtarë dhe studiues italianë dhe arbëreshë për romanin “Etja e gurëzuar” të Anton Nikë Berishës Përgatitur nga Albana Alia dhe Labinot Berisha. Shtëpia botuese Faik Konica, Prishtinë 2017). Gjithsej janë 40 punime kushtuar këtij romanit nga autorë shqiptarë dhe italianë.

Mua nuk më përket ta shpjegoj romanin se e vras: titulli i vërtetë i tij është “Etja e gurëzuar”, pjesa e titullit që i prin “Gjin Bardhela i arbresh” (pa ë-në në mes për arsye se lidhet me vargun tetërrokësh) është e karakterit përcaktues. Në roman, thënë figurativisht, vetëm etja është e gurëzuar, në kuptimin e pazhbërë. Të gjitha dukuritë e tjera janë të natyrës së zakonshme, siç shfaqen në rrjedhën e jetës, natyrisht të konceptuara e të shprehura përmes gjuhës poetike.

Libri “Prushi i bukurisë” u vlerësua nga kritika “Përmendore poetike për artin e fjalës” (deri më tani janë botuar 26 punime kushtuar kësaj vepre tuaj të shkruara nga autorë shqiptarë dhe italianë). Në të, në mënyrë metaforike, keni shqiptuar prushin që nuk shuhet kurrë, bukurinë e artit të fjalës, pra të thënë përmes fjalës, bukurinë si vlerë universale.

Çka ju shtyri ta konceptoni e ta shprehni “prushin e artit të fjalës” në këtë mënyrë, të shprehni të bukurën përmes gjuhës së pasur poetike, përmes fjalës, ndoshta, si e përmendni edhe në tekstin e veprës: “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte në Hyjin dhe Fjala ishte Hyji”?

 

Nga fillimi i viteve ’60 të shekullit të kaluar kam filluar të merrem me letërsi, kur botova në revistat “Jeta e re” dhe “Pionieri” poezitë e para. Më 1970 botova, siç u tha më parë, përmbledhjen për fëmijë “Kthimi i Skënderbeut në Krujë”. Librat më të ri i botova vitin e kaluar (2017), pra, është të thuash një jetë që ia kushtoj artit të fjalës, letërsisë, qoftë kur kam hartuar vepra të artit, qoftë kur janë marrë me studimin e veprave letrare poetike të autorëve të tjerë ose të dukurive letrare, teorike e estetike.

I përmenda këto të dhëna për të thënë se unë kam jetuar dhe vazhdoj të jetoj me artin e fjalës, me letërsinë dhe për vite me radhë e kam ndier, të them metaforikisht, “prushin” e këtij arti. Pikërisht këtu i ka rrënjët hartimi i veprës“Prushi i bukurisë. Përsiatje poetike për artin e fjalës”.

Vepra së pari u botua në Kozencë të Italisë në dy gjuhë: shqip dhe me përkthimin italisht të bërë me shumë përkushtim dhe shkathtësi nga Albana Alia (Anton Nikë Berisha, Prushi i bukurisë. Përsiatje poetike për artin e fjalës. Il fulgore della bellezza. Riflessioni poetiche sull’arte della parola. Luigi Pellegrini Editore, Cosenza 2014), ndërsa botimin e dytë, vetëm tekstin shqip, nga Shtëpia botuese Beqir Musliu e Gjilanit (2015).

Në këtë vepër kam folur për artin e fjalës me gjuhën artistike, pra përmes gjuhës poetike kam shprehur mendimet për letërsinë, për natyrën dhe rëndësinë e saj; çka domethënë arti i fjalës për poetin, si shprehet në shpirtin e tij, sa është i lashtë dhe pse njeriu i kushton aq shumë kujdes etj. Qysh në Egjiptin e lashtë, pastaj në Greqinë e lashtë, para e pas veprës “Mi artin poetik” të Aristotelit, është shkruar për artin e fjalës dhe atij i janë kushtuar vepra, në vargje ose studime (tekste diskursive). Unë s’kam bërë asgjë tjetër pos e kam vazhduar një traditë që është e njohur sidomos me Horacin e këndej.

Kur e shkruaja veprën nuk më ka shkuar në mendje se mund të nxitë interesime aq të mëdha dhe vlerësime aq të larta të shfaqura nga shkrimtarët dhe studiuesit italianë (meqenëse së pari vepra u botua në Itali) dhe nga ata shqiptarë. Me punimet kushtuar kësaj vepre Albana Alia dhe Labinot Berisha botuan vëllimin “Prushi i bukurisë” – një përmendore poetike për artin e fjalës. Njëzet e gjashtë punime të autorëve shqiptarë dhe të huaj për veprën Prushi i bukurisë – Përsiatje poetike për artin e fjalës të Anton Nikë Berishës (Shtëpia botuese Beqir Musliu, Gjilan 2017). Ky vëllim është një dëshmi konkrete sesi mund të lexohet e të interpretohet, pra të komunikohet me tekstin poetik të një krijese letrare. Për “Prushin e bukurisë” kanë shkruar emra të njohur, si Dante Maffia (i propozuar për shpërblimin Nobel), Sergio Paolo Foresta, Giuseppe Napolitano, Agron Tufa, Prend Buzhala, Zimo Krutaj etj.

Nëse më lejoni, i nderur profesor Anton, do të kthehemi pak në retrospektivë. Në vitin 1970 keni botuar veprën e parë poetike “Kthimi i Skënderbeut në Krujë”, që për kohën dhe rrethanat e atëhershme ishte e një rëndësie të veçantë.

Në shenjë të shënimit të sivjetshëm të 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, a mund të na kujtoni diçka për këtë libër?

 

Viti 1968 ishte një vit i rëndësishëm: u shënua në mënyrë publike edhe në Kosovë 500 vjetori i vdekjes së Skënderbeut. U fol në forma të ndryshme për kryetrimin – heroin tonë kombëtar dhe për qëndresën 25 vjeçare përballë sulmeve otomane.

Atëherë isha rreth 22 vjeç dhe gjithë ajo që u tha në takime të ndryshme, në gazeta, në revista e në TV, e bëri të veten. Edhe leximi i veprës së Marlin Barletit për Gjergj Kastriotin Skënderbeun (botuar më 1964 nga Rilindja) në përkthim të Stefan Priftit nga latinishtja, më pati bërë përshtypje të madhe. Të gjitha këto ndikuan në mua dhe i qita në letër disa belbëzime poetike. Librin e botoi Redaksia e botimeve të Rilindjes. Prinë poezia me titull “Kthimi i Skënderbeut në Krujë”, po pjesën kryesore e bëjnë vjershat për bashkëluftëtarët e Skënderbeut: kisha për qëllim që përmes vargjeve të dëshmoj mendimin e njohur: Trimi i mirë me shokë shumë.

Profesor Anton, në librin “Kënga e këngëve – kryevepër poetike e dashurisë dhe e jetës” së cilës i keni bërë përkthimin e ri të tekstit, keni theksuar se ky përkthim duhet parë si vazhdimësi e pasurim i traditës.

Cili është qëllimi i përkthimit të këtij teksti dhe rëndësia e tij?

 

Tradita e botimit të përkthimit të teksteve bilike tek ne fillon me “Mesharin” e Buzukut, ku janë një varg tekstesh të përkthyera nga Besëlidhja e Vjetër dhe nga Besëlidhja e Re, në disa raste edhe me variante. Në “Mesharin” ka pjesë të përkthyera të Këngës së këngëve dhe nga Psalmet, bile këto janë përkthimet më poetike në të.

Traditën e përkthimit të teksteve biblike e pasuruan më vonë Lekë Matranga, Pjetër Budi, Pjetër Bogdani e shumë të tjerë. Kristoforidhi është i pari që përktheu Biblën e plotë në gjuhën tonë. Ai i  përtheu dhe Psalmet prej hebraishtes.

Edhe disa autorë të tjerë e përkthyen Biblën, brenda saj dhe Këngën e këngëve. Ka pasur raste ku ndonjë autor ka përkthyer vetëm Këngën e këngëve nga ndonjë gjuhë tjetër e jo nga hebraishtja, midis tyre (nëse nuk gaboj) Mensur Raifi e Moikon Zeqo.

Ka rreth 2600 vjet që Kënga e këngëve ekziston si krijesë poetike dhe se s’ka reshtur së vështruari, analizuari dhe interpretuari. Janë qindra e mijëra punime e studime të botuara kushtuar asaj; është një nga tekstet, thënë me nocionet moderne, më të hapura të mundshme.

Unë kam bërë një përkthim të veçantë, poetik: nga shtatë tekste të ndryshme përkthyera në italisht të gjitha nga origjinali hebraisht, e jo nga një burim. Përkthimi i Këngës së këngëve të vë përballë vështirësive më të mëdha dhe asnjëherë, përkundër zotimit dhe përkushtimit më të skajshëm, nuk je i sigurt se e ke bërë punën si duhet.

Në botën tonë duhet ta thyejmë logjikën se mjafton një përkthim i një vepre letrare; sa më shumë përkthime cilësore të kemi, aq më shumë dëshmojnë se kemi kulturë dhe letërsi të pasur.

 

Kohë më parë botuat Librin e Psalmeve nga Besëlidhja e Vjetër me përkthim të ri. Librit i prin një studim ku ju ndriçoni rëndësinë e teksteve të tyre që shekuj me radhë bënë një jetë intensive në traditën e hebrenjve. Në të sillni mendimin: “Psalmet kanë ditur të flasin në të gjitha gjuhët, me të gjithë njerëzit....”

Ato “flasin” edhe shqip, falë shqipërimit të përkushtuar Tuajin.

Çka ju nxiti që këtë thesar të madh t’ia sillni lexuesit shqiptar?

 

Një nga librat më të njohura të Besëlidhjes së Vjetër, që përligj vlera poetike të mirëfillta, është dhe Libri i psalmeve. Si vlera poetike Psalmet ndërlidhen ngushtë me Këngën e këngëve. Nuk mund të thuhet me saktësi se cila prej tyre ka zgjuar interesimin më të madh të teologëve dhe të studiuesve të shumtë. Natyrisht në rrafshin biblik Psalmet heqin peshë më shumë për arsye se ato jo vetëm janë recituar në vijimësi nga hebrenjtë për rreth 26 qindvjetsha, po ato paraqesin sublimin e gjithë Biblës, siç thotë Shën Toma nga Akvini:  “[...] Libri i Psalmeve në universalitetin e vet përfshin gjithë materien e teologjisë. Arsyeja pse ky libër biblik është më i përdoruri nga Kisha është se përmban në vete gjithë Shkrimin (e Shenjtë). Veçantia e tij është ajo që përsërit, nëpërmjet formës së lavdërimit, gjithë atë që librat e tjerë e shtjellojnë nëpërmjet mënyrave të rrëfimit, të këshillimit e të shqyrtimit. Qëllimi i tij është të nxitë të lutesh, ta lartësosh shpirtin deri tek Hyji nëpërmjet kontemplimit të madhërisë së tij të pamatur, nëpërmjet meditimit të përsosmërisë së lumturimit të amshuar, nëpërmjet komunikimit me shenjtërinë e Hyjit dhe imitimin e vijueshëm të përsosmërisë së tij”.

Se çka janë në qenësi Psalmetpo e dëshmoj me mendimin e studiuesit hebre, André Chouraqui, i cili e përktheu Besëlidhjen e Vjetër në gjuhën frënge: “Ne lindim në rropulli me këtë libër. Një libërth: njëqind e pesëdhjetë poezi, njëqind e pesëdhjetë shkallë të lartësuara midis vdekjes dhe jetës; njëqind pasqyra (shëmbëllime) të revoltave tona dhe të besueshmërive tona, të agonive tona dhe të rilindjeve tona. Më shumë se një libër, një qenie e gjallë që flet – që të flet – që vuan, që sython dhe vdes, që ringjallet dhe këndon, në pragun e amshimit – dhe të merr, të bartë ty dhe shekujt e shekujve, nga fillimi në fund [...] Fsheh një mister, mbasi moshat nuk pushojnë të kthehen te kjo këngë, të pastrohen në këtë burim, të përimtohet secili varg, secila fjalë e lutjes së lashtë, thuajse ritmet e saj rrokëzojnë regëtimat e botëve [...] Meqenëse rrëfen historinë e të gjithëve, është bërë libër i të gjithëve, ambasadore e palodhur dhe depërtuese e fjalës së Hyjit tek popujt e tokës [...] Psalmet kanë ditur të flasin në të gjitha gjuhët, me të gjithë njerëzit, çdo ditë, për të frymëzuar prapësitë e tyre më kundërshtuese, guximet e tyre më frytdhënëse”. Psalmet “[...] po ashtu janë ruajtur si pjesë e kanunit – rregulla të besimit të popullit hebre, për arsye se ato janë edhe Fjala e Zotit për njeriun si dhe pjesët e tjera të Biblës”.

Ta përkthesh këtë thesar në shqip është sa një përgjegjësi e jashtëzakonshme, po aq dhe një veprim i rëndësishëm kulturor dhe shpirtëror. Një kulturë që i ka disa përkthime të Librit të psalmeve nuk mund të thuhet se është e varfër.

 

Një vend të rëndësishëm në opusin tuaj letrar zë edhe figura e Nobelistes shqiptare Nënës Tereze, së cilës i keni kushtuar disa nga botimet tuaja.

Cili është këndvështrimi juaj për këtë figurë të ndritur të kombit tonë?

 

Në dy lloje veprash kam synuar ta ndriçoj figurën për shumëçka të jashtëzakonshme të Nënës sonë Tereze, tashmë Shën Terezja e Kalkutës: përmes veprave poetike, prozë e poezi, dhe përmes studimeve, pra veprave të karakterit diskursiv. Disa prej këtyre veprave kanë përjetuar disa botime, ndonjëra si “Ujëvarë dritë në zemër” – përsiatje poetike për hirin hyjnor të Nënës Tereze, gjashtë botime, duke pasur parasysh dhe dy botimet në italisht dhe versionin gegnisht të botuar në Tuz.

Qëllimi i këtyre veprave ka qenë: të ndriçohet qenësia e punës dhe e flijimit të Nënës Tereze për njeriun, pa marrë parasysh besimin dhe racën. Për Nënën çdo krijesë e Zotit ka qenë e barabartë dhe pa dallim ajo është flijuar për të. Mjerisht njerëzit tanë (këtë e kam thënë shpesh) e njohin Nënën Tereze si bamirëse. Po ky vlerësim nuk kap as një përqindje të vogël të punës dhe të flijimit të madh që ajo ka bërë për tjetrin. Të mos mendojë dikush se Nënën tonë Tereze bota e quajti Nënë vetëm pse ka qenë bamirëse. Emërimi Nënë shpreh qenësinë e asaj që ka vepruar dhe për të cilën ajo ka jetuar: t’i ndihmojë tjetrit, të flijohet për tjetrin, pikërisht ashtu siç thuhet në Bibël: “Duaje tjetrin sikur veten”. Për ta bërë e për ta përmbushur këtë kusht duhet plotësuar një kusht paraprak, që, po ashtu, thuhet në Bibël: “Duaje Zotin tënd me gjithë zemër”. Në qoftë se e do Zotin me gjithë zemër, atëherë e kupton se Zoti është dashuri dhe se me këtë dashuri duhet ta duash tjetrin. Kjo, me pak fjalë, ka qenë Nëna jonë Tereze dhe kjo e ka cilësuar punën e saj. Papa Gjon Palli II, tashme i shpallur shenjt, atëbotë pati thënë: “Në buzëqeshjen e Nënës Tereze, në fjalët e në veprimet e saj, Jezusi ka ecur (shtegtuar) edhe një herë tjetër nëpër rrugët e botës” (Maria Di Lorenzo. Madre Teresa. Lo splendore della carità. Paoline. 2° Edizione, Milano 2003, f. 125 – 126.)

Mjerisht ne bëjmë pak që ta njohim, ta ndriçojmë dhe ta vlerësojmë mirëfilli veprimin dhe flijimin e Nënës sonë Tereze.

Në bazë të përvojës që keni në rrafshin e studimit të dukurive teorike dhe të interpretimit të veprave letrare, çka do t’i porositnit studiuesit dhe krijuesit e rinj që i kanë hyrë labirintit të quajtur art i fjalës?

 

Nuk më pëlqen që t’i këshilloj të tjerët, madje as të tjerëve nuk u pëlqen që t’i këshillojë dikush.

Megjithatë, po them atë që e kam mësuar gjatë punës sime dhe për të cilën gjë jam bindur: të merresh me letërsi mirëfilli do të thotë të flijosh shumë nga jeta jote, nga kënaqësitë, nga dëfrimet, që të tjerët jo vetëm i çmojnë shumë, po edhe e ngritin jetën mbi bazën e tyre.

Ai që synon të merret si duhet me letërsinë, qoftë kur krijon vepra artistike, qoftë kur merret me studimin e veprave letrare të të tjerëve, pra me interpretimin e veprave konkrete, duhet të dijë se për ta njohur artin e fjalës, disa nga veçantitë dhe rrjedhat e saj, veprat kryesore, duhet shumë – shumë punë e flijim. Nuk mund të bëhesh as shkrimtarë i mirëfilltë, as studiues i mirëfilltë, me leximin e disa veprave dhe me leximin e gazetës ose t’i lexosh veprat e shokëve e miqve. Me pak libra të lexuara as tek alfabeti i letërsisë nuk mbërrin. Duhet të lexohen kryeveprat e letërsisë, qoftë të letërsisë kombëtare, qoftë të letërsive të tjera. Dhe jo vetëm të lexohen, po të studiohen me kujdes, pra të lexohen derisa t’i bësh pronë të mirëfilltë të botës sate mendore e shpirtërore.

Janë disa shkrimtarë tanë që kur takohesh me ta të tregojnë përmbajtjen e veprës që e kanë shkruar ose janë duke e shkruar! Po përmbajtja nuk thotë asgjë: ajo nuk është vepër letrare. Ngjarje tronditëse mund të gjenden me dhjetëra në gazetat e përditshme, madje ngjarje të pazakonshme, po ato nuk janë vepra arti. Vepra letrare poetike është teksti i shtjelluar përmes gjuhës poetike, pra përmes një formë të mëvetësishme; arti i fjalës, para së gjithash, është formë, strukturë gjuhësore shprehëse e përftuar me përkushtim e dije të madhe, pastaj vinë të tjerat, si aftësia natyrore, talenti etj.

Prishtinë, mars 2018

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat