SHIK-un do ta hetojmë kur LDK ta ketë shumicën - Bota Sot
SHIK-un do ta hetojmë kur LDK ta ketë shumicën

Intervista

E mërkurë, 15 gusht 2018

SHIK-un do ta hetojmë kur LDK ta ketë shumicën

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 31 mars 2018 Në ora: 10:23
Hykmete Bajrami

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se Kosova duhet t’i tregojë Serbisë se është shtet sovran dhe të sillet si e tillë.

Në një intervistë për “Bota sot”, ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, ka pohuar se është koha që Lidhja Demokratike e Kosovës të udhëheqë me vendin. Kur kjo të ndodhë, Bajrami ka thënë se LDK do të marr iniciativën për ta hetuar SHIK-un. Ajo ka shfaqur mosbesim ndaj shumicës së PDK-së për ta bërë tani një gjë të tillë.

Bajrami ka deklaruar se në Qeverinë Haradinaj nuk ka strategji, dinamikë dhe koordinimin mes të dikastereve.

Sa i përket liberalizimit të vizave, Bajrami ka theksuar, se nuk duhet besuar krerëve të shtetit, pasi që sipas saj, premtime të tilla ka pasur në pesë vitet e fundit.

Në intervistë ekskluzive, deputetja e LDK-së ka folur edhe për shëndetin e kryetarit Isa Mustafa, duke thënë se është përmirësuar dhe brenda javëve do të kthehet në Kosovë.

“Bota sot”: Lidhja Demokrate e Kosovës tani është partia më e madhe në Kuvendin e Kosovës, po ashtu prinë edhe me numrin më të madh të komunave në vend, a mendoni se është koha që subjekti juaj të udhëheqë me vendin?

Hykmete Bajrami: Tani të them të drejtën edhe rezultati i zgjedhjeve ka treguar, që ne kemi qenë partia më e madhe, përveç se rezultati ynë nuk ka qenë i dukshëm, për shkak se kemi pasur një oponent politik me 22 parti në koalicion. Është e vërtetë se kemi edhe numrin më të madh të komunave dhe për këtë në fakt jemi shumë krenarë. Shumica prej komunave, janë komuna që janë rifituar nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës, më të cilën, qytetarët kanë treguar se po qeveriset mirë. Tani ne si pjesë e LDK-së mendojmë se gjithmonë është koha që Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të udhëheqë me vendin, për shkak se asnjë nga proceset më të mëdha historikisht nuk kanë ecë pa pasur përkrahjen Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ju këtë e keni parë edhe me çështjen e Demarkacionit dhe me çështje të tjera të mëdha. Sigurisht që jemi të gatshëm dhe besoj që në Parlamentin e Republikës së Kosovës jemi partia më e gatshme për të shkuar në zgjedhje kurdo që ato paraqiten dhe kurdo që do mund të shkojmë në zgjedhje.

“Bota sot”: Ditëve të fundit, krerët e LDK-së kanë bërë të ditur se Qeverinë Haradinaj së shpejti do ta testojnë me një mocion mosbesimi, kur eventualisht pritet të ndodhë një gjë e tillë?

Hykmete Bajrami: Tani si partia më e madhe politike në Kuvendin e Kosovës dhe si parti opozitare, natyrisht që kjo është ajo që neve na intereson më shumë. Ne kemi parë edhe qeverisjen Haradinaj, kemi pritur shumë, kemi dhënë mjaftë kohë, kemi pritur në fakt që të ketë rezultate, por kemi parë se nuk ka rezultate. Mënyra se si po qeveriset nuk ka shënuar progres në të gjitha aspektet e shoqërisë. Ne do e testojmë me një mocion të mosbesimi sapo t’i kemi numrat dhe nuk mund të them që për momentin nëse nuk marrim edhe zhvillimet ditëve të kaluara, që nuk ka qenë aq e lehtë të bëhen numrat. Ju e dini që na duhet rreth 61 deputetë, kështu që në momentin që i kemi numrat sigurisht që do të bëjmë një gjë të tillë. Mirëpo, situata politike e krijuar këto ditë në veri të Kosovës dhe ajo çfarë po ndodh kërkojnë nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës që të reflektojë dhe ne sigurisht që do të reflektojmë dhe do të veprojmë komfort interesit të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Bota sot”: A duhet të themelohet një komision për hetimin e SHIK-ut?

Hykmete Bajrami: Ne kemi thënë disa herë se Lidhja Demokratike e Kosovës është e interesuar që ta hetojë SHIK-un dhe për këtë nuk duhet të dyshojë askush. Nuk duhet të ketë askush asnjë dyshim, mirëpo ne nuk do të bëhemi pjesë e një Komisioni hetimor, ku shumicën e anëtarëve të Komisionit e merr koalicioni, pra e merr PDK-ja dhe sa herë që na janë kërkuar nënshkrimet për hetimin e SHIK-ut, sa herë që LDK-së i janë kërkuar nënshkrimet konstilacioni i përbërjes politike në Kuvend ka çuar drejt asaj që PDK-ja do e kishte shumicën ose në këtë rast anëtarët e koalicionit do e kishin shumicën dhe nuk dëshirojmë në një proces hetimor, i cili në fakt në fund mund të rezultojë me një hetim, jo ne çfarë e dëshirojmë dhe të mbivotohemi për çfarëdo lloj raporti që shumica e anëtarëve të atij Komisioni do të prodhonin. Ne do ta hetojmë SHIK-un në momentin kur, jo vetëm në kuvend, por edhe kur jemi në qeveri që nënkupton që në secilin Komision do e kemi shumicën, atëherë do e nisim vetë iniciativën për hetimin e SHIK-ut. Derisa, formula tregon se dikush tjetër do e ketë shumicën, ne sinqerisht hezitojmë që të nisim një iniciativë të tillë, sepse dëshirojmë që më të vërtetë që të kemi një hetim që do të çojë në zbardhjen e shumë fakteve që janë në interes të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe jo thjesht një hetim sa për ta kryer.

“Bota sot”: Pas tre viteve bllokadë, më në fund u votua edhe projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi, sipas jush kush janë fajtorët kryesore për këtë bllokadë?

Hykmete Bajrami: Sigurisht, që Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është fajtore dhe ne këtë e dëshmuam. Kemi qenë pro versionit që është votuar, pro versionit aktual të Demarkacionit, edhe i cili kaloi në Kuvendin e Kosovës, edhe në kohën kur kemi qenë pjesë e qeverisë kemi vepruar njëjtë, përkundër faktit që jemi rrëzuar si parti politike nga qeveria për një kauzë të tillë. Kemi vepruar njëjtë edhe duke qenë në opozitë, gjë që jemi të sigurt se asnjë parti politike nuk do të vepronte njëjtë. Fajtorët kryesorë sigurisht janë ata që sot janë në bashkëqeverisje dhe fajtori kryesor po besoj në këtë rast është vetë kryeministri aktual Ramush Haradinaj, i cili në kohën tonë, kur ne kërkonim që të ratifikohet marrëveshja e Demarkacionit, ai iu printe protestave. Ishte njeri ndër pjesëmarrësit e gazit lotsjellës dhe gjitha atyre që ndodhen, që në fakt e kanë dëmtuar shumë imazhin e Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës asnjëherë nuk ka qenë pengesë, ne këtë e kemi dëshmuar me rastin kur kemi votuar Demarkacionin duke qenë edhe në opozitë.

“Bota sot”: A mendoni se nëse kjo çështje do të zgjidhej me kohë, tani Kosova veç se do kishte liberalizimin e vizave?

Hykmete Bajrami: Sigurisht që po. Ju e dini se gjatë qeverisjes Mustafa e vetmja pengesë ka qenë pikërisht kjo, kalimi i Demarkacionit. Ndërkohë, që ne, në të gjitha raportet ndërkombëtare kemi shënuar progres në vend. Ne kemi arritur që të shënojmë rezultate shumë të mira e pozitive edhe në luftën e korrupsionit. Ju e dini që gjatë krejt qeverisjes, nuk kemi pasur asnjë aferë të niveleve të larta të korrupsionit. Tani të ju them të drejtën nuk e dimë se çfarë do të bëhet me gjërat të cilat kanë ndodhur në kohën e fundit. Ka mundësi që është shumë lehtë që kriteri i korrupsionit të kthehet si një ndër kushtet bazë, që unë besoj se në këtë rast do të jetë negative, sepse qytetarët e Kosovës janë të lodhur, njëjtë si nga korrupsioni, po aq sa edhe nga izolimi.

“Bota sot”: Si po qeveriset me vendin?

Hykmete Bajrami: Aspak mirë. Besoj se jemi dëshmitarë të asaj që për çdo ditë kemi parë vendime kompletë ad-hok, vendime selektive. Them të drejtën ka ankesa nga akterë të ndryshëm të shoqërisë. Me lejoni t’ju them që unë kisha një takim të rastësishëm me kryetarin e Odës Ekonomike dhe kryetari i Odës Ekonomike me tregoi se ende nuk e ka takuar ministrin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Të them të drejtën unë në dy javët e para të mandatit tim kam takuar gjithë kryetarët asociacioneve dhe odave ekonomike në Kosovë, po mendoj që më vetë faktin që janë qeveri shumë e madhe, qeveri galomane, me një numër enormë të zëvendësministrave, me numër enormë të këshilltarëve dhe stafit tjetër mbështetës, me një çakordim total kisha me thënë. Kemi një numër të madh të ministrive, të cilat merren me çështje ekonomike, e në fakt asnjëra prej tyre nuk po merren në baza reale me ekonominë e vendit. Qeverisja nuk është e mirë, nuk ka asgjë të mirë që ne mund të themi se kjo qeverisje ka bërë një veprim të mirë. Kemi parë vendime ad-hok dhe selektive siç është ai për faljen e borxheve të rreth 58 milion eurove, mandej kemi parë tërheqje të saj.  E patëm dramën e Gjykatës Speciale, e cila në fakt tmerroi gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë, të cilët kanë ndihmuar në ndërtimin e shtetit dhe gjithashtu patëm një tërheqje nga ana e tyre. Nuk kanë strategji, nuk ka dinamik, nuk ka koordinimin mes të dikastereve të mundshëm. Ka shpenzimeve enorme të pasurisë dhe parave publike, ka ndarje kompletë të paarsyeshme të rezervës shtetërore dhe them se vetëm për tre muajt e parë të qeverisjes është shpenzuar sa që në kohën e qeverisjes Mustafa shpenzoheshin komplet për një vit. Shpeshherë këto ndarje buxhetore bëhen pa një arsyeshmëri ekonomike dhe politike. Thua se janë para të dikujt të një xhepi privat, e jo para të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe po besoj të njëjtin opinion e kanë edhe qytetarët. Tash me kalimin e Demarkacionit duket se qytetarëve vetëm se e vetmja shpresë u ka mbetur që të ikin nga Kosova. Nuk është se po shohin perspektivë dhe për këtë mendoj se largimi kësaj qeverie sa më shpejt që është e mundur, është në të mirën e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Bota sot”: A do të ndodh liberalizimi i vizave dhe formimi i ushtrisë në vitin 2018?

Hykmete Bajrami: Them të drejtën premtime  nga ata që janë krerë  të qeverisë dhe krerë të tjerë të institucioneve, siç është presidenti  për liberalizim të vizave kemi pasur, pothuajse që pesë vitet e fundit. Janë dhënë me dhjetëra data. Aspak nuk mund t’ju besoj premtimeve të tyre, sigurisht që kjo është në diskresion të Bashkësisë Evropian dhe organizmave të saj kompletë. Ka mundësi të ndodh liberalizimi për shkak se edhe përfaqësuesit e BE-së, herë pas here kur bënin thirrje që të votonin Demarkacionin kanë dhënë premtime të tilla. Duket se prej ditës kur kaloi Demarkacioni është kthyer termi i luftës kundër korrupsionit dhe për këtë e thashë se nuk ka asgjë pozitive. Mendoj se nuk duhet as qytetarët e Kosovës t’iu besojnë krerëve të institucioneve, thjesht është në diskresion të BE-së dhe varet shumë nga proceset dhe hapat që atje do të ndodhin, por ne presim që të bëhet një gjë e tillë në një të ardhme të afërt.

“Bota sot”: Po për vitin 2018, sa janë gjasat që të ndodh një gjë e tillë?

Hykmete Bajrami: Do të thosha që në fillim të vitit 2019. Është fundi i vitit 2018 dhe është fillimi i vitit 2019. Duke marrë parasysh të gjitha procedurat dhe duke supozuar që do të luftohet korrupsioni në vend.

“Bota sot”: Cila është gjendja shëndetësore e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa dhe kur pritet të kthehet në Kosovë?

Hykmete Bajrami: Kryetari Mustafa ka bërë shumë progres. Ai pritet të kthehet brenda javëve. Them të drejtën struktura të caktuara të partisë, siç janë nënkryetarët dhe Shefi i Grupit Parlamentar janë në baza ditore në kontakt me kryetarin Mustafa. Ne, në fakt konsultohemi edhe si Grup Parlamentar përmes Shefit të Grupit Parlamentar, Avdullah Hoti, për secilën çështje edhe për aktivitetet që ndërmarrim në seanca dhe ne presim që ai të kthehet brenda disa javëve në Kosovë. Ka bërë një progres të dukshëm, kështu i kemi informatat edhe prej strukturave partiake të cilat kanë qenë kohëve të fundit edhe në vizita dhe të cilët kanë treguar që është shumë më mirë se siç ka qenë.

“Bota sot”: Si i komentoni ngjarjet e fundit në Veriun e Kosovës?

Hykmete Bajrami: Në fakt është ajo që kemi thënë. Ne dënojmë provokimet e vazhdueshme që i bënë Serbia ndaj institucioneve të Kosovës në funksion të cenimit të sovranitetit të saj, pra mendojmë se institucionet të cilat janë përgjegjëse në ruajtjen e paqes dhe qetësisë në vend ta bartin përgjegjësinë e tyre në mënyrë që në raste të tilla të mos kalohet shumë në eufori, por të jemi të matur. Tash është një situatë delikate, jemi në një situatë delikate edhe të dialogut dhe gjithçka tjetër dhe po besoj se institucionet duhet të jenë të matura dhe në funksion të ruajtjes së sovranitetit të vendit, por mendojmë se është e mirë që në anën tjetër edhe autoriteteve të Serbisë t’i tregohet se ne jemi shtet sovran dhe duhet të sillemi si të tillë dhe do sillemi si të tillë kundrejt provokime të vazhdueshme që ata bëjnë .

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test