Anton Quni rrëfen ekskluzivisht detajet e pathëna të Betejës së Koshares - Bota Sot
Anton Quni rrëfen ekskluzivisht detajet e pathëna të Betejës së Koshares

Intervista

E mërkurë, 19 shtator 2018

Anton Quni rrëfen ekskluzivisht detajet e pathëna të Betejës së Koshares

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 9 prill 2018 Në ora: 08:02
Anton Quni

Në 19 vjetorin e Betejës së Lavdishme të Koshares, gazeta “Bota sot”, sjellë ekskluzivisht rrëfimin e deputetit, Anton Quni,  që ishte njëri ndër protagonistët e saj.

Gjatë intervistës, ai ka veçuar një moment në Koshare, ku ushtari serb i zënë rob dridhej nga frika.

Deputeti Quni, gjatë intervistës, ka thënë se e vërteta mbi lavdinë e Betejës së Koshares i ka bindur edhe ata që në çfarëdo forme u munduan ta zbehin. Ai ka përmendur, luftën e pakursyer të heronjve Agim Ramadani e Sali Çeku, të cilët edhe ranë heroikisht në këtë betejë.  Beteja e Koshares, ku u vranë 113 luftëtarë dhe mbi 400 u plagosën,  sipas Anton Qunit, është krenari për tërë kombin shqiptar dhe ashtu duhet të trajtohet me peshën e saj historike, pa ndikime ideologjike, partiake apo politika ditore.

“Bota sot”: Z. Quni, jemi në 19 vjetorin e njërës prej betejave më të lavdishme të luftës së UÇK-së, a mund të na thoni si një nga protagonistët, si e përshkruani luftën në këtë betejë?

Anton Quni: Qëllimi i operacionit ishte hapja e korridorit në mes të Shqipërisë dhe Kosovës për tu siguruar mbështetja me të gjitha nevojat për njësitë e UÇK-së në brendi të Kosovës. 

U përcaktua drejtimi Padesh-Koshare-Botushë, një teren kodrinoro-malor. 

Fillimisht forcat tona numëronin rreth 150 luftëtarë, kurse përballë ishte batalioni i 56-të kufitar me rreth 300 ushtarë. Gjate zhvillimit të operacionit, njësia jonë do të strukturohet mirë nga skuadrat deri tek niveli i brigadës, me 2600 luftëtarë dhe teknikë të konsiderueshme. Kurse batalionit 56-te kufitar do të ju vijnë në ndihmë pjesë të njësive nga brigada 125 e motorizuar, brigada 72 për operacione të veçanta, brigada 63 e parashutistëve, batalioni diverzanto vëzhgues, batalioni i policisë ushtarakë dhe njësi tjera paramilitare, të mbështetur me arsenal te fuqishëm luftarak.

Luftimet me intensitet të ndryshme u zhvilluan nga 09.04.1999 deri me 14.06.1999.

Nga radhët tona humbën jetën 113 luftëtarë dhe mbi 400 u plagosën. Kurse armiku i ka pranuar 109 te vrare vetëm nga brigada 125.

Beteja fillimisht u zhvillua në kushte të ashpra klimatike. Natën temperaturat binin nën 0 gradë, tereni ishte i mbuluar me borë, mjegulla dhe shiu ishin përditshmëri. Në fund të muajit maj u ngritën temperaturat duke e nxitur kështu edhe zhvillimin e vegjetacionit, me ç’rast të dyja palët u detyruam t'i ndryshojmë mënyrat e angazhimit të njësive.

Beteja u zhvillua në gjatësi të frontit deri në 20 km dhe në thellësi deri në 7 km.

Rrezja më e largët e veprimit ishte me obuz deri në 20 km.

Gjatë operacionit, në duart tona ra një ndër kazermat më të mbrojtura dhe më moderne të kohës. Forcat serbe pas vetës lanë material të konsiderueshëm ushtarak si: Armë sulmuese, armë për mbrojtje kundërajrore, armë anti-tank, minahedhës të kalibrave të ndryshëm, mina anti-këmbësori dhe anti-tank, pajisje të komunikimit, pajisje të vëzhgimit, material mjekësor, mjete të transportit,etj.

Po ashtu, nga ana jonë, u kapen objektet me rëndësi të veçantë si: Maja e Zezë, Rrasa e Koshares, Koka dhe Maja e Kokës, nga ku ishte më e lehtë t’i dominonim forcat serbe.

“Bota sot”: Çka sipas juve e karakterizoi këtë betejë duke i vënë një pozitë të rëndësishme në historinë e luftës çlirimtare?

Anton Quni: E veçanta e Betejës së Koshares është suksesi historik i forcave tona. Nga shtiza e flamurit u ul flamuri i armikut dhe u ngrit në shenjë të fitores flamuri i ynë kombëtar. Këtë moment nuk mund ta harroj kurrë në jetë!

“Bota sot”: Na e tregoni një ngjarje më interesante që keni përjetuar në Koshare?

“Anton Quni”: Ka shumë të tilla, por do e veçoja marrjen në pyetje të ushtarit serb i zënë rob nga ushtaret tanë.

Ndër të tjera e pyeta se a e kishte në plan që ndonjë herë ta vizitonte Shqipërinë. Ai u përgjigj me- jo kurrë.

I urova mirëseardhje në Shqipëri. Kur e kuptoj se tani më gjendet në Shqipëri, u tmerrua, filloj të dridhej nga frika dhe i humbi shpresat që ndonjë herë do të kthehej në vendlindjen e tij në Nish.

Ai u trajtua sipas konventave ndërkombëtare për robërit e luftës.

“Bota sot”: Na flisni për heronjtë, Agim Ramadani dhe Sali Çekun, cili ishte roli i tyre në betejën e Koshares?

Anton Quni: Për shkak të mungesës së kuadrove ushtarake dhe natyrës së tyre, Agim Ramadani dhe Sali Çekaj kryenin detyra të shumëfishta. Ata do i gjej në rolin e luftëtarit, vëzhguesit, instruktorit, furnizuesit, dialoguesit, mobilizuesit, planëzuesit, strategut,etj.

Ata e ngritën ushtrinë nga asgjëja dhe arritën të krijojnë një ndër njësitë më profesionale të UÇK-së dhe më vdekjeprurëse për forcat e armikut. 

“Bota sot”: Si i kujtoni ditët e rënies së heronjve Sali Çeku e Agim Ramadani, sa ishte e rëndë për ju që t`i humbnit dy strategët kryesorë të luftës dhe të betejës së Koshares?

Anton Quni: Në të dy rastet pothuajse ngjarja ishte e njëjtë. Ne komunikonim me radiolidhje duke i koordinuar veprimet deri në detaje. I kalonim njëri tjetrit informatat në lidhje me lëvizjet, mbështetjen artilerike, rreziqet, etj. Shpesh shkëmbenim urimet për avancime në teren. Në momentin kur nuk morëm përgjigje në radiolidhje, e kuptuam se tani e tutje duhet te vazhdojmë pa Agimin dhe Salihin. 

Kur e kupton se tutje duhet vazhduar edhe pa ata që i dhanë jetë njësisë, ky fakt të tmerron, por heroizmi i tyre gjithashtu të motivon dhe ri-ngritë për të vazhduar betejën deri në fitore.

“Bota sot”: Sa qonte peshë fakti se ushtarëve betejës së Koshares i prinin luftëtarë profesionit si ju dhe heronjtë e tjerë?

Anton Quni: Të jesh një lider i mirë ushtarak, ndër të tjera duhet të jesh njohës i mirë i artit ushtarak. Profesionisti nuk kërkon nga ushtarët të bëjnë diçka që nuk mundet vet ta bëj. Ai e vlerëson deri ku janë kufijtë e angazhimit të njësisë të cilën e ka në udhëheqje. I parasheh qëllimet dhe mundësitë e armikut dhe sjellë vendime të duhura bazuar në kushte dhe rrethanat edhe më ekstreme të vendimmarrjes.

“Bota sot”: A ka dyshime rreth vrasjes së Agim Ramadanit dhe Sali Çekut?

Anton Quni: Ne bashkëluftëtarët nuk kemi dyshime të tilla.

Këto dyshime u ngritën nga njerëz të ligj, të cilët në vend që të ishin pjesëmarrës në këtë betejë, e arsyetonin vetën larg vijës së frontit, se kinse në Koshare edhe ata do të vriten pas shpine njëjtë si Agimi dhe Salihi. Ishte lojë e ndytë për të demotivuar luftëtarët dhe për ta penguar suksesin e Betejës së Koshares, por, fatmirësisht nuk ia arritën qëllimit.

“Bota sot”: Cili ishte ndikimi në Koshare i Thaçit, Veselit e Haradinajt?

Anton Quni: Komunikimi me Shtabin e përgjithshëm të UÇK-se bëhej kryesisht përmes ndërlidhësit të autorizuar. Jo rrallë ky komunikim bëhej edhe drejtpërdrejt nga komandanti i brigadës, Rrustem Berisha dhe unë, në cilësinë e shefit të shtabit.

Relacionin e drejtpërdrejt e mbanim edhe me Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.

Me Komandantin e zonës së Dukagjinit, R. Haradinaj, kishim komunikim dhe koordinim për shumë çështje si: Mobilizimi, mbështetja me zjarr, shkëmbimi i informatave për armikun, etj.

“Bota sot”: Kush ishte pengesa më e madhe për betejën e Koshares?

Anton Quni: Nuk kemi pasur pengesa të veçanta përveç ndonjë incidenti apo keqkuptimi të izoluar.

Ne si staf i brigadës kemi arritur që t’i tejkalojmë të gjitha paragjykimet dhe t'i unifikojmë forcat duke i shfrytëzuar të gjitha burimet që brigadën ta bëjmë sa me operacionale.

“Bota sot”: Pas luftës, sikur pati një tendencë nga grupe të caktuara për t`u “heshtur” lavdia e betejës së Koshares, si e keni parë ju këtë situatë?

Anton Quni: Tani e vërteta mbi lavdinë e Betejës së Koshares i ka bindur edhe ata qe në çfarëdo forme u munduan ta zbehin.

Beteja e Koshares është krenari për tërë kombin shqiptar dhe ashtu duhet të trajtohet me peshën e saj historike, pa ndikime ideologjike, partiake apo politika ditore.

“Bota sot”: A është Kosova e sotme ajo për të cilën luftuan heronjtë Agim Ramadani, Sali Çeku, Xhemajl Fetahaj dhe të rënët e tjerë?

Anton Quni: Duhet edhe shumë punë dhe angazhim për ta bërë Kosovën të bukur ashtu siç e ëndërronin Agimi, Salihi, Xhemajli, Abazi dhe te gjithë dëshmorët.

“Bota sot”: Kur do të plotësohet ëndrra e heronjve për Ushtrinë e Kosovës dhe si i komentoni zhvillimet aktuale politike në lidhje me formimin e ushtrisë?

Anton Quni: Jam më se i bindur se Kosova shume shpejt do ta ketë ushtrinë e vet si garantuese e paqes dhe trashëguese e vlerave dhe sakrificës tonë për liri.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test