Lufta kundër korrupsionit nuk u trajtua me seriozitet

Intervista

Lufta kundër korrupsionit nuk u trajtua me seriozitet

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 11 prill 2018 Në ora: 13:22
Shaip Havolli

Drejtori i AKK-së, Shaip Havolli ka folur në një intervistë për “Bota sot”, për deklarimet e pasurisë së zyrtarëve të lartë, masat që janë ndërmarrë ndaj atyre, që deri më tani nuk e kanë deklaruar pasurinë, si dhe tentimin për rritjen e rrogave për zyrtarët e lartë të shtetit. Havolli ka përmendur edhe përfundimin e misionit të EULEX-it.

“Botasot”: Kur do të bëhen publike deklarimet e pasurisë të zyrtarëve të lartë?

Shaip Havolli: Procesi i deklarimit te rregullt vjetor të pasurisë për zyrtaret e lartë publik ka përfunduar të martën, më 3 prill. Agjencia është në proces të verifikimit të zyrtarëve të lartë publik që e kanë deklaruar dhe atyre që eventualisht mund të mos e kenë deklaruar pasurinë. Prandaj, kërkojmë ndjesë që në këtë moment nuk mund të japim shifra të sakta të atyre që nuk e kanë deklaruar pasurinë në afatet ligjore.

“Botasot”: A ka zyrtarë që nuk e kanë deklaruar pasurinë ende?

Shaip Havolli: Procesi i verifikimit të formularëve të dorëzuar ka nisur që sot në mënyrë intensive dhe kërkon kohë për faktin se, përveç formularëve të dorëzuar në Agjenci, kemi edhe deklarime përmes postës dhe përmes e-malit. Për më tepër, procesi i verifikimit përfshin edhe deklarimet e zyrtarëve që mbajnë më shumë se një pozitë deklaruese dhe të gjitha këto duhet verifikuar në mënyre që të shmangen gabimet e mundshme. Por, menjëherë pas përfundimit të procesit të verifikimit dhe përpunimit të të dhënave, Agjencia do të dalë me një raport të plotë të deklarimit të rregullt të pasurisë për këtë vit, duke përfshirë edhe emrat e atyre që, për çfarëdo arsye, mund të mos e kenë deklaruar pasurinë.

“Botasot”: Nga rastet e mëparshme, a i kanë trajtuar organet e drejtësisë lëndët për zyrtarët që nuk kanë deklaruar pasurinë?

Shaip Havolli: Kallëzimet penale të cilat janë ushtruar nga ana e Agjencisë kundër zyrtarëve të lartë publik të cilët nuk kanë deklaruar pasurinë dhe apo kanë deklaruar rrejshëm, janë në fazën e trajtimit nga ana e organeve të drejtësisë. Në mesin e këtyre kallëzimeve ka edhe të tilla për të cilat janë ngritur aktakuza dhe janë nxjerrë vendime gjyqësore.

“Botasot”: AKK-ja e ka shpallur të jashtëligjshëm vendimin për rritjen e pagave të zyrtarëve të lartë. Çfarë ka ndodhur në këtë drejtim?

Shaip Havolli: Agjencisë kundër Korrupsionit e ka trajtuar  vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave dhe ka ndërmarrë veprimet e parapara ligjore duke e vlerësuar këtë vendim sipas kompetencës ligjore lidhur me Parandalimin e  Konfliktit të Interesit. Me këtë rast, Agjencia ka nxjerrë një Opinion, i cili i është drejtuar Qeverisë së Republikës me përmbajtjen e të cilit tashmë jeni të informuar, njësoj siç jeni të informuar edhe për zhvillimin se Qeveria ka pezulluar vendimin e saj për shkak të adresimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese.

“Botasot”: Pse keni shpallë një vendim të tillë?

Shaip Havolli: Agjencia këtë lëndë e ka trajtuar sipas ankesës së një pale të tretë, dhe duke u bazuar në mandatin  ligjor përkitazi me veprimtarinë për parandalimin e situatave të konfliktit të interesit. Agjencia e ka bazuar Opinionin në dispozitat përkatëse që rrjedhin nga Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrim të funksionit Publik.

“Botasot”: A ka përmirësim në luftën kundër korrupsionit?

Shaip Havolli: Në aspekt të avancimit të kornizës ligjore kemi nisma konkrete për përmirësime dhe është vërejtur një qasje dhe vullnet pozitiv në plotësimin dhe ndryshimin e legjislacionit aktual me qëllim të jetësimit të rekomandimeve nxjerra nga përvojat e deritashme i ligjit, por edhe me synim të harmonizimit me standardet ndërkombëtare. Në këndvështrim të rritjes së kapaciteteve profesionale brenda përbrenda mekanizmit ligj-zbatues, vërehet një ngritja e vazhdueshme profesionale dhe funksionalizim i plotë i tyre me burime njerëzore adekuate, si dhe përmirësim të kushteve të punës. Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit nga Transparency International na rezulton me një përparim të përfillshëm - një përparim prej 10 vendesh në renditjen e përgjithshme - dhe ky është një tregues se janë duke u bërë hapa të sigurt përpara. Është me rëndësi të veçohet se tashmë kemi të miratuar nga Qeveria (32 mars 2018) Strategjinë Kombëtare dhe Planin e Veprimit Kundër Korrupsionit, dy dokumente shumë të rëndësishme në koordinimin e luftës kundër korrupsionit. Ajo që i jep një vlerë të shtuar Strategjisë është pjesëmarrja dhe përfaqësimi i gjerë që është përfshirë në hartimin e saj, por edhe përcaktimi i konkret i veprimeve që janë planifikuar në funksion të arritjes së objektivave strategjik. Me përmirësimet e arritura në zbatimin e ligjit në përgjithësi, dhe në aspektin e kornizës ligjore dhe atë institucionale, në veçanti, nuk do të thotë se kemi arritur në një ‘zonë të rehatisë’. Ndëshkimi më efikas i korrupsioni në nivele të larta, sekuestrimi  i  pasurisë së përfituar në mënyrë të kundërligjshme, si dhe lufta kundër krimit të organizuar janë disa nga disa nga aspektet ku na duhet një përqendrim më i madh në vitet në vijim, aq më tepër që përkojnë me agjendën e integrimeve europiane të Kosovës, më specifikisht me rekomandimet që dalin qoftë nga MSA-ja, apo nga Raporti i Progresit. Është me rëndësi që pavarësisht pritjeve të mëdha, dita-ditës besimi i publikut po rikthehet gjithnjë e më shumë dhe kjo është shumë e rëndësishme në përpjekjet e përbashkëta për krijimin e një klime kundër korrupsionit. Në këtë drejtim duhet njohur edhe kontributin e vlefshëm të juve media, e sidomos të organizatave të shoqërisë civile, me të cilat kemi rritur intensitetin e bashkëpunimit.

“Botasot”: A e pengojnë proceset politike luftën kundër korrupsionit?

Shaip Havolli: Lufta kundër korrupsionit është një proces afatgjatë që kërkon stabilitet dhe funksionalitet të mirë të mekanizmit, si në parandalimin ashtu edhe në luftimin efikas të tij. Paqëndrueshmëria e agjendave politike dhe ndryshimet e shpeshta në to shpërqendrojnë vëmendjen nga problemet reale me të cilat ka nevojë të përballet një shoqëri. Pa dyshim se edhe tema e korrupsionit, parandalimit dhe luftimit më efikas të këtij fenomeni, pavarësisht se një kohë të gjatë konsiderohet si njëri nga problemet më shqetësuese të shoqërisë, për përudha të gjata nuk është trajtuar me prioritetin dhe seriozitetin e merituar.   

“Botasot”: A keni mbështetje nga institucionet e vendit, apo edhe zyrtarët e lartë në luftën kundër korrupsionit?

Shaip Havolli: Agjencia Kundër Korrupsionit është një organ i pavarur me mandat dhe kompetenca të përcaktuara me ligj (Neni 6 i Ligjit Nr. 03/L-159 për Agjencinë Kundër Korrupsionit). Fushëveprimi i Agjencisë është i përqendruar në zbatimin e politikave kombëtare dhe Strategjisë Kombëtare Kundër Korrupsionit, zbulimin dhe hetimin e rasteve me tipare korruptive në funksion të luftimit të korrupsionit, si dhe parandalimin e korrupsionit përmes një sërë aktivitetesh, përfshi edhe fushatat për informim dhe ndërgjegjësim. Që nga ardhja ime në këtë detyrë, një kujdes të veçantë ia kam kushtuar avancimit të bashkëpunimit me institucionet dhe organizatat relevante vendore dhe ato ndërkombëtare. Bashkëpunimi me prokuroritë përkatëse dhe me policinë ka njohur një përparim të dukshëm në vitin që shkoi dhe kjo reflektohet edhe me uljen e ndjeshme të rasteve të kallëzimeve të pa proceduara. Pra, në këtë drejtim është arritur një përparim i dukshëm, por kemi akoma hapësira për përmirësim në mënyrë që të kemi një bashkëpunim më të mirë institucional. Për këtë arsye, forcimi i këtij bashkëpunim është përfshirë në mesin e prioriteteve për këtë vit. Edhe bashkëpunimi me organizatat  shoqërisë civile, me organizatat ndërkombëtare, dhe korpusin diplomatik – si aktorë dhe mbështetës të rëndësishëm  në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit – është në nivele të kënaqshme, që është një garanci shtesë për rezultate të prekshme në të ardhmen dhe efikasitet të shtuar në luftimin e kësaj dukurie.    

“Botasot”: Tash që shumë lëndë kanë kaluar nga EULEX-i tek drejtësia e Kosovës, sa ka shpresa që korrupsioni do të trajtohet në një tjetër nivel?

Shaip Havolli: Me kalimin e viteve është investuar shumë në organet e drejtësisë në Kosovë. EULEX-i ka pasur dhe vazhdon të ketë një mision të afatizuar dhe vazhdimi i mandateve të tij është subjekt i dakordimit të institucioneve shtetërore me organet drejtuese të Bashkimit Europian. Ekziston një bindje e përhapur  se, 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova tashmë ka një maturim të mjaftueshëm institucional që të merr përsipër përgjegjësi shtesë, e rrjedhimisht të dëshmojë se është një shtet i denjë për integrime në strukturat e demokracive euro-atlantike.

“Botasot”: A ka në Kosovë aktivitete të mjaftueshme vetëdijësuese për luftën kundër korrupsionit?

Shaip Havolli: Aktivitet vetëdijësuese të Agjencisë Kundër Korrupsionit janë të planifikuara përmes një plani strategjik që përcaktohen proceset, teknikat dhe metodat e transmetimit të informacionit te një gamë e gjerë e audiencave me synim të ndërgjegjësimit,  ndryshimit të perceptimit publik dhe nxitjes së aktivizmit kundër korrupsionit. Bashkëpunimi cilësor me mediat dhe organizatat e shoqërisë civile është një komponentë e rëndësishme në rritjen e intensitetit të veprimtarive vetëdijësuese dhe ne kemi punuar shumë në këtë drejtim. Një dëshmi e dinamizmit të aktiviteteve vetëdijësuese ishte edhe organizimi i “Javës Kundër Korrupsionit 2017” (4-11 dhjetor) që për synim thelbësor kishin ndërgjegjësimin e publikut mbi krijimin e një ambienti të përshtatshëm për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Aktivitetet tona vetëdijësuese përfshijnë nja gamë të gjerë audiencash, që nga fëmijët e deri te studentët dhe stafi akademik në universitete. Ditët e dyerve të hapura në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Mashtrimet me shkrimet akademike, Roli dhe rëndësia dhe sfidat e raportuesve të korrupsionit, Ditët e dyerve të hapura të Agjencisë për publikun e gjerë, por edhe një cikël i strukturuar ligjëratash me studentë të universiteteve publike dhe private janë ndër aktivitete më kryesore që po marrim në vazhdimësi në këtë drejtim. Me sa edhe mund të keni dëgjuar tashmë, për dy vjet rresht Kosovo ka shënuar përmirësim në perceptimin publik ndaj korrupsionit të matur nga Transparency International. Kjo ecuri pozitive e rendit Kosovën në mesin e vendeve me përmirësimin më të dukshëm në rang global dhe ia ka mundësuar një përparim prej 10 vendesh në renditjen e përgjithshme – nga pozita 95 (2016) në pozitën 85 (2017).

Po kështu, matjet tregojnë se kemi një rritje të vetëdijes publike mbi format e korrupsionit (65%), pavarësisht se ky nivel le hapësirë për përmirësim të mëtejme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat