Kosova më nuk ka nevojë për EULEX-in

Intervista

Kosova më nuk ka nevojë për EULEX-in

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 15 prill 2018 Në ora: 08:04
Florin Vërtopi

Avokati Florin Vërtopi, gjatë një interviste për gazetën “Bota sot”, ka folur për mbarimin e mandatit të EULEX-it, duke thënë se prokurorët vendor tashmë kanë aftësi profesionale si dhe guxim që t’i përfaqësojnë të gjitha akuzat. Ai ka folur edhe për Gjykatën Speciale, duke theksuar kushtet të cilat duhet t`i plotësojnë avokatët për të qenë pjesë e ekipit mbrojtës të të akuzuarve të Gjykatës Speciale.  

 “Bota sot” : Z. Vërtopi  tash në qershor skadon mandati i EULEX. Pala e Kosovës mendon se mandati i këtij misioni duhet përfunduar. Por BE ende nuk është deklaruar zyrtarisht. Në gjykimin tuaj a duhet të vazhdojë apo jo marrë parasysh se një numër i lëndëve në procedim është në duar të tyre?

Vërtopi: Ligji nr.05/L-102 dhe Ligji nr.05/L-103 (GZ RK nr.21, dt.29.06.2016), ia kanë zgjatë mandatin EULEX-it në fushat e parapara në marrëveshje deri me 15 qershor 2018.  Mendojë se, tani më nuk ka nevojë  që edhe më tutje të vazhdojë së funksionuari EULEX-i në mënyrën dhe formën me të cilën ka vepruar. Megjithatë, ka gjasa që ky mision të ndryshojë formën dhe mënyrën e punës, duke qenë vetëm pjesë e monitorimit dhe e përkrahjes të sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës. Pjesa e fundit mund të arsyetohet me qëllimin që:  sistemit të drejtësisë në Kosovë  i  duhet përkrahja në përvoja që lidhen me respektimin e ”sundimit të ligjit, gjykimit të drejtë dhe respektimit të lirive dhe drejtave të njeriut”.

“Bota sot”: Një nga lëndët është edhe ‘Rasti Pronto’. A mendoni se autoritetet vendore janë të gatshëm të procedojnë këtë lëndë marrë parasysh se në të përfshihen figura të larta?

Vërtopi: Prokurorët vendor kanë aftësi profesionale si dhe guxim që t’i  përfaqësojnë të gjitha akuzat, ndërsa me sigurinë më të madhe edhe gjyqtarët vendor kanë aftësi profesionale si dhe guxim që t’i gjykojnë të gjitha çështjet penale duke e respektuar ligjin në fuqi, e edhe ato të figurave të larta siç i quani ju. Në fakt, akuza në  këtë çështje penale juridike nuk është e vështirë të gjykohet në asnjë mënyrë sepse vepra penale në këtë aktakuzë, është e pa mbështetshme  në vetë bazën dhe natyrën e kësaj vepre penale.

“Bota sot”: Një tjetër sfidë për vendin tonë është edhe Gjykata Speciale. Kur pritet të ngritën aktakuzat e para?

Vërtopi: Kjo pjesë është çështje ekskluzive, dhe kësaj pyetje mund ti japin përgjigje vetëm Prokurorët e specializuar si dhe Gjyqtari i procedurës paraprake në Dhomat e specializuar të Kosovës. Zyra e Prokurorit të Specializuar vepron e pavarur nga Dhomat e Specializuara. Prokurori ia dorëzon aktakuzën së bashku me materialin mbështetës në mënyrë konfidenciale dhe ex parte gjykatësit të procedurës paraprake. Rregulla 88 (statusi publik i aktakuzës) në Rregulloren e procedurës dhe e provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës, përcakton se:  “Në rrethana të posaçme, në rast se para konfirmimit të aktakuzës Prokurori i Specializuar paraqet arsye të vlefshme, për arsye të sigurisë, për parandalimin e arratisjes së të akuzuarit, apo të çrregullimit të procedurave, ose trazirave shoqërore, gjykatësi i procedurës paraprake, ndër të tjera, mund të urdhërojë përkohësisht mos nxjerrjen publike të aktakuzës, dokumenteve ose informacionit që ka lidhje me aktakuzën deri në një urdhër të dytë. Sidoqoftë, aktakuza bëhet publike, nëse është e nevojshme me redaktime, jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit. Kjo formë e veprimit sipas kësaj norme është një çështje tjetër, nëse parashtrohet pyetja se a është kjo dispozitë në harmoni me Konventën për liritë dhe drejtat e njeriut?! Në rastet e gjykuara në gjykatën e Strasburgut (rastet nr.36391/02, S. kundër Turqisë, etj) thuhet se neni 6 (gjykimi i drejtë) i Konventës aplikohet edhe në procedurën paraprake penale. Nga kjo rrjedh se, i pandehuri duhet të njoftohet me akuzat (provat  kundër tij) edhe në procedurën paraprake sepse me këtë do të respektohet parimi i barazisë së armëve (neni 6 par.3, pika d). Pra, nuk është e drejtë që i akuzuari të njoftohet me akuza si dhe me material mbështetës vetëm me rastin kur të mbahet shqyrtimi fillestar. Sidoqoftë, kjo është duke ndodhë edhe në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Në shumë raste penale, mjerisht të akuzuarve ju dorëzohet aktakuza në shqyrtim fillestar, pa ia dhënë mundësinë që të paraqes prova në fazën e hetimeve.

“Bota sot”: Çfarë mendoni që po ndodhë në realitet me Gjykatën Speciale, a mendoni se po vonohet ajo? Dhe a po dështon Specialja?

Vërtopi: Në përvojën time kam pas gjykime me gjyqtarë nga vende të ndryshme të botës perëndimore si dhe kam qenë pjesë e shumë projekteve të cilat janë udhëheq nga  USAID-I, ABA,NCSC, OSCE, dhe me sa  di unë asnjë projekt nuk ju ka dështuar. Gjykata Speciale është realitet, deshëm apo nuk deshëm NE,  kjo Gjykatë me sigurinë më të madhe do të funksionojë deri sa ta përfundojë misionin e saj.

"Bota sot” :Sa janë profesionalisht të përgatitur avokatët vendor të merren me mbrojtën e palëve, marrë parasysh se për herë të parë do të merren me një gjykatë ndërkombëtare?

Vërtopi: Për ta përfaqësuar të akuzuarin në mënyrë profesionale dhe etike, avokati nga Kosova duhet të ketë njohuri në legjislacionin e para luftës si dhe në legjislacion i cili tani është në fuqi. Në fakt neni 12,i Ligjit për dhomat e specializuar e përcakton Ligjin në fuqi. Pra, avokati nga Kosova duhet ta njoh të drejtën zakonore ndërkombëtare, ligjin penal material të zbatueshëm në Kosovë, Konventat e caktuara, Praktikën gjyqësore në ICTY, praktikën gjyqësore në gjykatën për liritë dhe drejtat e njeriut në Strasburg, si dhe të ketë njohuri të caktuar të shkathtësive profesionale në gjykim. Unë besojë se, Kosova ka në gjirin e saj Avokat të caktuar që mund t’i plotësojnë këto kondita. 

"Bota sot”: A keni njohuri sa persona janë marrë në pyetje?

Vërtopi: Për këto nuk ka njohuri askush përpos atyre të cilët i kanë zbatuar hetimet (Prokurori i specializuar dhe Task forca, eventualisht gjyqtari  procedurës paraprake, kuptohet nëse është dorëzuar ndonjë aktakuzë). Të gjitha informatat tjera të cilat janë duke dalë në media, nga disa persona të caktuar “kinse sipas informacioneve  të cilat i posedojnë ata”, janë informacione të pathemelta.

“Bota sot”: Një nga skandalet e fundit është ai me dëbimin e pesë ‘Gylenistëve’ nga Kosova dhe dorëzimin tek autoritetet turke. Cilat kanë qenë shkeljet më të rënda?

Vërtopi: Kësaj pyetje do ti përgjigjesha drejtë sikur po ta kisha dosjen e kësaj çështje. Në parim ekstradimi si dhe dëbimi rregullohen me ligjin në fuqi si dhe me Konventa të caktuara. Këto janë çështje shumë delikate dhe kërkojnë trajtime të caktuara në formë analitike. Disa institute juridike (habeas corpus-mjeti kundër privimit arbitrar nga liria) të cilat kanë lindur në botën perëndimore, janë shkelë dhe vazhdojnë të shkelen me “arsye” se, dëmi i shkeljes është më i vogël se sa pasoja e cila mund të krijohet nëse nuk veprohet në mënyrën e tillë (në rastet kur: priten akte terroriste, rrezikohet siguria kombëtare, rrezikimi territorial etj). Pa dashtë, të hyjë në kualifikimin se a ka qenë i drejtë apo jo  dëbimi i këtyre pesë personave sepse nuk e posedojë dosjen, ju ri përkujtojë Protokollin nr.7, të dt.22.11.1984, të Konventës për liritë dhe drejtat e njeriut, neni  1, garancitë procedurale në rast dëbimi të huajve, i cili thotë: Një i huaj mund të dëbohet duke u bazuar në një vendim të marrë në përputhje me ligjin…etj. Ndërsa në paragrafin 2, thuhet se një i huaj mund të dëbohet përpara se të ushtrojë të drejtat e radhitura në paragrafin 1, të këtij neni kur ky dëbim është i domosdoshëm në interes të rendit publik ose është i bazuar mbi arsye të Sigurimit Kombëtar. Prandaj, nuk kamë të drejtë të jap mendimin tim pa i pas shkresat e dosjes të cilat në mënyrë të saktë i parashtrojnë faktet e caktuara përmes provave materiale.

“Bota sot”: Erdogani ka paralajmëruar sërish arrestime. A nuk përbënë kjo një shkelje kushtetuese të vendit

Vërtopi: Republika e Kosovës i ka institucionet e saja të cilat funksionojnë, dhe çdo kërkesë e parashtruar nga cila do palë apo shtet i parashtruar, duhet të trajtohet mbi bazën e ligjeve të aplikueshme dhe Konventave ndërkombëtare, kuptohet gjithnjë duke i analizuar me kujdes kërkesat, veprimet, pasojat, sigurinë kombëtare, sigurinë e individit, si dhe liritë dhe drejtat e njeriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat