Johannes Hahn: "2025 është një synim ambicioz për Ballkanin Perëndimor"

Intervista

Johannes Hahn: "2025 është një synim ambicioz për Ballkanin Perëndimor"

Më: 18 prill 2018 Në ora: 07:58
Johannes Hahn

Shumë nga tensionet në Ballkanin Perëndimor mund të kapërcehen, po të bëhen të gjitha vendet e rajonit anëtare të BE, thotë Komisari i zgjerimit të BE Johannes Hahn. Si mund të ushtrojë Evropa presion në rast nevoje?

DW: BE publikoi një raport të ri progresi për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Cilat janë për ju shtetet që janë kryesuese në këtë proces?

Johannes Hahn: Më duhet të pranoj që nuk më pëlqen termi "kryesues", sepse ai mund të nënkuptojë diçka tjetër, por besoj se e keni fjalën për të dyja shtetet Serbi dhe Mal i Zi.  Ato shpesh i quajnë kryesuese, sepse të dyja shtetet i kanë nisur tashmë negociatat me ne. E parë në tërësi natyrisht që kemi shumë punë para vetes. Por po të hedhësh vështrimin pas në një segment kohor më të gjatë, sheh që shtetet e Ballkanit Perëndimor janë përqendruar fort në këtë proces.

Ku i shihni përparimet në detaje?

Ka përparime në fushën e sundimit të ligjit, në luftë kundër korrupsionit, në zhvillimin ekonomik. Ajo që do të na pëlqente të shihnim do të ishte një histori e qëndrueshme suksesi në sektorë të caktuar. Prandaj preferoj të flas për një proces dhe jo për negociata: nuk është fjala që të mbarojmë pika të ndryshme dhe të themi: kemi miratuar këtë ose atë ligj. E rëndësishme është që në fund të fundit ato t'i zbatojmë. Dhe këtu ne dëshirojmë të shohim më shumë përparime në luftën kundër korrupsionit, si dhe një drejtësi më të fortë, më të pavarur dhe më transparente. Një shembull është Shqipëria: atje miratuan një reformë shumë të gjerë të drejtësisë dhe tani janë në fazën e zbatimit.

Në rajonin e Ballkanit Perëndimor vazhdon të ekzistojnë një sërë problemesh. Për cilin vend - ose për cilat vende - keni rezervat më të mëdha?

Unë nuk do të flisja për rezerva, por nuk është sekret që Bosnjë-Hercegovina vazhdon të përfaqësojë edhe më tej një sfidë të madhe, sepse gjendja atje është edhe më e komplikuar se në shtetet fqinje. Përsa i përket Kosovës: duhet të shohim si do të ecë dialogu me Serbinë; për Serbinë dhe Kosovën nevojitet një marrëveshje me fuqi juridike për marrëdhëniet bilaterale. Por pikërisht në lidhje me Kosovën ne edhe dimë ta vlerësojmë që konflikti kufitar me Malin e Zi u zgjidh më në fund pas dy vjetësh e gjysmë - dhe kjo është qartësisht në perspektivën evropiane (të këtyre shteteve - red.).

Përsa u përket konflikteve në rajon: sa optimistë jeni që do të kemi një dakordim midis Maqedonisë dhe Greqisë (në grindjen për emrin - red.)?

Jam optimist që në javët e ardhshme do të ketë një dakordim. Mendoj se të dyja shtetet kanë arritur një etapë të re në marrëdhëniet e tyre. Edhe marrëdhënia midis Shkupit dhe Sofjes është përmirësuar, këto shtete kanë rënë dakord për një marrëveshje fqinjësie, për të cilën u zhvilluan me vite negociata. Prandaj mendoj që qeveria e re e Shkupit bën punë të mirë. Unë e përshëndes edhe që opozita në Maqedoni ka marrë një drejtim më konstruktiv, është kthyer në parlament dhe merr pjesë në jetën politike - veçanërisht përsa i përket synimit sipëror: perspektivës evropiane.

Kur mendojmë për nacionalizmin në rritje në Serbi dhe për marrëdhëniet e ngushta të këtij vendi me Hungarinë, ku ka tendenca antidemokratike: a nuk druheni që me anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëdimor BE i ngarkon vetes edhe më shumë probleme, të cilat nuk është në gjendje t'i përballojë?

Në radhë të parë, si në rajon, ashtu edhe jashtë tij, është pranuar se tensionet dhe vështirësitë në Ballkanin Perëndimor mund të kapërcehen, vetëm kur të gjitha pjesët e këtij rajoni herët ose vonë të bëhen anëtarë të BE. Situata e përgjithshme mund të përmirësohet vetëm nëse ekziston një perspektivë evropiane. Prandaj ne të gjithën e vështrojmë si proces. Kjo do të thotë, këto shtete duhet të na dëshmojnë se edhe kultura e tyre politike po ndryshon në drejtim pozitiv. Këtu bën pjesë që të mos jesh nacionalist ose populist, por që të kontribuosh për projektin më të madh evropian.

A nuk na nevojiten në anën evropiane mjete më të forta, për të ushtruar presion në rast nevoje?

Mjeti ynë më i fortë janë negociatat. Unë them gjithmonë që ne kemi një lloj ndikimi para fillimit të negociatave të anëtarësimit, tepër shumë ndikim gjatë negociatave dhe thuajse nuk kemi ndikim pas anëtarësimit në BE të një shteti. Pra ne i kemi nxjerrë mësimet tona: i gjithë procesi gjatë negociatave është shumë i rëndësishëm për ne. Për shembull në rastin e Kroacisë, ky proces zgjati midis shtatë dhe tetë vjet. Pra tani rëndësi ka që të shihet nëse një vend bën vërtet përparime të qendrueshme në drejtimin e duhur.

A është viti 2025 një objektiv realist për anëtarësimin në BE të shteteve të Ballkanit Perëndimor?

Në nivelin politik kjo tingëllon shumë e largët - e tillë edhe duket. Kjo do të thoshte që deri në vitin 2023 të jenë mbyllur negociatat. Në parim është e bëshme, por është një objektiv shumë ambicioz.

Johannes Hahn është prej  1 nëntorit 2014 Komisar i BE për Politikën Evropiane të Fqinjësisë dhe për Negociatat e zgjerimit.

Intervistën e zhvilloi Barbara Wesel.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat