SHIK-u mori përgjegjësi për atentatin ndaj ish Presidentit Rugova, pse heshtë Prokuroria?

Intervista

SHIK-u mori përgjegjësi për atentatin ndaj ish Presidentit Rugova, pse heshtë Prokuroria?

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 23 prill 2018 Në ora: 20:25
Adem Salihaj

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adem Salihaj, thotë se SHIK-u ka qenë dhe mbetet një organizatë e rrezikshme kriminale, e cila, sipas tij, ka depërtuar dhe ka marrë nën kontroll pothuajse të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të Kosovës, përfshirë edhe Kuvendin e Kosovës.

Adem Salihaj, në një intervistë për gazetën “Bota sot, thotë se formimi i një Komisioni, për të hetuar SHIK-un, ka edhe rreziqe që mund ta rehabilitojë këtë organizatë kriminale.

Tutje, në këtë intervistë ekskluzive, ai tregon se gjatë luftës ka qenë i rrezikuar edhe nga serbët, por edhe nga disa struktura kriminale brenda Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, madje, për këtë thotë se ka pasur kërcënime të drejtpërdrejta disa herë.

Salihaj, në këtë intervistë rrëfen të pathëna edhe për atentatin ndaj ish-presidentit Rugova, për të cilin thotë se tashmë kanë dalë persona të krimit të organizuar, të lidhur me strukturat e PDK-së dhe SHIK-ut që e kanë marrë përgjegjësinë për këtë akt, por që prokuroria e Kosovës po heshtë dhe nuk po merret me këtë.

Ish-deputeti i LDK-së flet edhe për veprimin e krerëve të shtetit që tentuan ta shfuqizojnë ligjin për Gjykatën Speciale, për urdhërdhënësit e vrasjeve të pasluftës, për qeverisjen Haradinaj dhe për mocionin e paralajmëruar nga LDK-ja për rrëzimin e qeverisë aktuale.

“Bota sot”: Po bëhen një vit prej se jeni larguar nga skena politike. Cila është arsyeja e vërtetë që vendoset për një gjë të tillë?

Adem Salihaj: Unë nuk jam tërhequr nga skena politike, më shumë mund të thuhet se nuk desha të jem shumë prezent në media. Siç e dini, unë nuk isha në listë për deputet dhe kjo mos futje në listë ndodhi për shkak të qëndrimeve të mija parimore, respektivisht, sepse votova kundër koalicionit me Partinë Demokratike të Kosovës, pastaj kundër zgjedhjes së Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit dhe kundër zgjedhjes së Hashim Thaçit President.

“Bota sot”: Keni qenë ndër deputetët më të zëshëm që keni kërkuar vazhdimisht që të hetohet SHIK-u, a duhet të krijohet një Komision për të hetuar këtë organizatë?

Adem Salihaj: SHIK-u ka qenë dhe është një organizatë e rrezikshme kriminale, e cila ka depërtuar dhe ka marrë nën kontroll pothuajse të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të Kosovës, përfshirë Kuvendin, gjithë qeverinë me institucionet përcjellëse dhe presidencën. Nën kontroll të SHIK-ut janë edhe agjencitë, kompanitë publike dhe çdo segment tjetër që ka lidhje me shtetin. Në mandatin e kaluar, unë kam qenë nënshkrues i kërkesës për formimin e Komisionit për Hetimin e SHIK-ut.  Thënë të drejtën, formimi i një Komisioni të tillë ka edhe rreziqe, sepse mund të arrij efektin e kundërt. Nëse dominohet apo ndikohet nga pozita, mund ta rehabilitojë këtë organizatë kriminale.

“Bota sot”: Është përmendur në media se ndiheni të rrezikuar, për arsye se keni qenë vet viktimë e atentateve të pasluftës, a ndiheni ende të rrezikuar dhe nga kush?

Adem Salihaj: Në Kosovë, të gjithë njerëzit e ndershëm dhe patriotë ndjehen të rrezikuar. Në mënyrë të veçantë kanë qenë dhe janë të rrezikuar njerëzit e zëshëm kundër SHIK-ut, siç jam unë dhe shumë të tjerë. Unë, edhe gjatë luftës kam qenë i rrezikuar edhe nga serbët edhe nga disa struktura kriminale brenda Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, madje kam pasur kërcënime direkët disa herë. Përderisa Serbia më ka arrestuar dhe torturuar sa e sa herë për veprimtarinë time patriotike, në periudhën e luftës dhe pas saj, kam qenë i kërcënuar edhe nga disa struktura kriminale brenda UÇK-së. Këto kërcënime kanë zgjatur deri në ditët e sotme. Megjithatë, duhet thënë se sot, strukturat kriminale në Kosovë, nuk mund të bëjnë gjumë të rehatshëm nga frika e arrestimit nga Gjykata Speciale, kështu që mundësia për ta vrarë dikë në këto rrethana është më e vogël. Tash janë shumë të rrezikuar dëshmitarët e krimeve, siç kanë qenë gjithmonë të rrezikuar.

“Bota sot”: Z. Salihaj, a do t’i hetojë Gjykata Speciale vrasjet e pasluftës?

Adem Salihaj: Sipas vendimit të Kuvendit të Kosovës dhe nenit të kushtetutës, si dhe ligjeve për formimin e Dhomave të Specializuara të Gjykatës, parashihet hetimi dhe gjykimi i krimeve të kryera deri më 31 dhjetor, të viti 2000. Tash, nëse gjykata vlerëson se një krim ka filluar të kryhet para kësaj date, por ka përfunduar pas 31 dhjetorit 2000, atëherë ndoshta ka mundësi të gjykohen disa nga vrasjet politike. Por, kjo është çështje e interpretimit të kushtetutës dhe ligjeve për Gjykatën Speciale nga vetë Gjykata Speciale. Unë personalisht nuk besoj shumë se do të ndodhë kjo.

“Bota sot”: A janë urdhërdhënës për vrasjet e pasluftës krerët e shtetit?

Adem Salihaj: Të gjithë ata që janë akuzuar deri tash, e besoj se do të akuzohen përsëri, janë në krye të shtetit të Kosovës.

“Bota sot”: Muaj më parë, krerët e shtetit, tentuan që ta shfuqizojnë Ligjin për Gjykatën Speciale. Cili është komenti juaj dhe a mund të pritet që përsëri të ketë tentime të tilla?

Adem Salihaj: Kur u themelua Gjykata Speciale, këta ishin për themelimin e saj, madje, lobuan dhe bënë shumë presion te deputetët që të votohej kjo gjykatë. Këtë e bënë, sepse mendonin se duke qenë bashkëpunues me faktorët ndërkombëtarë, shokët e tyre do të gjykoheshit, por ata vetë do të shpëtonin. Dihet se Thaçi, sa herë ka qenë në një situatë të tillë, ka dërguar në burg disa nga shokët e tij, për ta shpëtuar lëkurën e tij. Megjithatë, siç duket tash kanë ndryshuar gjërat dhe ka mundësi që të arrestohen edhe krerët e shtetit, kështu që ata, shumë të alarmuar, u munduan që në befasi dhe brenda natës, ta suprimonin Gjykatën Speciale, për ta shpëtuar lëkurën e tyre. Megjithatë, ishin Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe faktorët e rëndësishëm ndërkombëtarë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Anglia, që e pamundësuan një hap të tillë. Nuk ka asnjë dyshim se ky veprim i krerëve të shtetit ishte veprimi më i dëmshëm dhe më i rrezikshem për Kosovën në periudhën e pasluftës dhe do ta kthente tërë bashkësinë ndërkombëtare kundër nesh. Do të ishte fundi i të ardhmes evropiane të Kosovës.

“Bota sot”: Cila është e vërteta rreth atentatit ndaj ish-presidentit Ibrahim Rugova?

Adem Salihaj: Kur u bë atentati ndaj presidentit Ibrahim Rugova, unë isha në pozitën e zëvendëskryeministrit, respektivisht, isha duke kryer detyrën e kryeministrit, sepse Ramush Haradinaj ishte dërguar në Hagë. Njëkohësisht, isha bashkëpunëtori më i ngushtë i presidentit Rugova. Atë ditë ishte në Kosove Javier Solana, ndërsa presidenti Rugova dhe unë do të takoheshim me Solanen pas gjysmë ore. Pra, atentati ndodhi në një periudhë të vështirë dhe shumë të rrezikshme për Kosovën. Qëllimi ishte destabilizimi dhe shkatërrimi i Kosovës. Siç e dini, tashmë kanë dalë persona të krimit të organizuar, të lidhur me strukturat e PDK-së dhe SHIK-ut që e kanë marrë përgjegjësinë për këtë akt, por prokuroria e Kosovës po heshtë dhe nuk po merret me këtë.

“Bota sot”: Keni thënë se keni dëshmi për vrasje të caktuara, a jeni i gatshëm të dëshmoni në Gjykatën Speciale?

Adem Salihaj: Të kesh dëshmi apo informate janë dy gjëra të ndryshme. Është vështirë të sigurohen dëshmitarë të krimeve, sepse ata kanë frikë nga likuidimi. Siç e dini, shumë dëshmitarë të pasluftës janë vrarë dhe krimi ka mbetur i pandëshkuar.

“Bota sot”: Si e keni parë deri më tani qeverisjen Haradinaj?

Adem Salihaj: Kjo qeveri po tregohet qeveri interesave të tre individëve, që kanë rivalitet në mes veti. Çdo gjë determinohet nga ky rivalitet dhe interesat e këtij trinomi. Interesat e Kosovës nuk janë askund.

“Bota sot”: Lidhja Demokratike e Kosovës është duke paralajmëruar mocion për rrëzimin e qeverisë Haradinaj, a do të ketë sukses në këtë drejtim subjekti juaj?

Adem Salihaj: Do të ishte mirë po të mund të bëhej kjo. Por, shpesh nuk mjafton ta rrëzosh dikë, sepse duhet ta kesh një plan se çka do të bësh pastaj. Në Kosovë esenciale është formula e koalicioneve. Nëse se ke këtë, kotë mundohesh, vetëm do të ketë reprizë të zgjedhjeve të kaluara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat