Pantina: Nuk do jem pjesë e asnjë lloj koalicioni pjesë e së cilës është PDK

Intervista

Pantina: Nuk do jem pjesë e asnjë lloj koalicioni pjesë e së cilës është PDK

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 28 maj 2018 Në ora: 12:38
Shqipe Pantina

Deputetja Shqipe Pantina, që iu bashkua grupit të të dorëhequrve nga Vetëvendosje, për të kaluar më pas në Partinë Socialdemokrate, në një intervistë për “Bota sot” ka folur për progresin e kësaj partie,  duke treguar se konsolidimi ende nuk  është i plotë, pasi që detyrat kryesore të kryesisë janë formimi i degëve dhe shtrirja e plotë në komunat e Kosovës.

Për deputeten Pantina, Presidenti i vendit Hashim Thaçi nuk ka legjitimitet për t`i udhëhequr bisedimet me Serbinë. Ndërsa, lidhur me tryezat aktuale politike, ajo ka deklaruar se do ta organizojnë një të tillë kur t`i vije radha subjektit të tyre.

“Bota sot”: Zonja Pantina a ka mbetur diçka pa u thënë lidhur me largimin tuaj nga Lëvizja Vetëvendosje?

Shqipe Pantina:  Zhvillimet që ndodhën në Lëvizjen Vetëvendosje, shpifjet, insinuatat e linçimet e vazhdueshme gjatë vitit të kaluar e që u shpërfaqën publikisht e masovikisht  në një periudhë, më kanë bërë të besoj se Lëvizja VETËVENDOSJE!  nuk është ajo të cilës unë i jam bashkuar në vitin 2014. I kam shpjeguar disa herë arsyet e mia, dhe besoj se kjo temë i përket të kaluarës dhe unë do doja të merresha me të ardhmen.

“Bota sot”: Si erdhi deri tek vendimi që t`i bashkoheshit PSD-së, përse jo një subjekt tërësisht i ri?

Shqipe Pantina: Ka pas një diskutim të gjatë brenda deputetëve por edhe aktivistëve që kishin dalë lidhur me rrugëtimin tonë të mëtutjeshëm politikë. Ne kishim një mendim unanim sa i përket orientimit ideologjik e ai ishte socialdemokracia dhe mbi këtë pikë në synonim të krijonim subjektin e ri. Mirëpo në njërin  nga takimet u hodh si ide që në të diskutonim me PSD dhe të i bashkoheshim asaj dhe pas disa diskutimesh pro dhe kundër shumica ishin që në të provonim të akordoheshim me udhëheqësin aktuale të PSD që të angazhoheshim aty, dhe pas disa ditësh kjo edhe u formalizua.

“Bota sot”: A është konsoliduar mjaftueshëm PSD-ja që të jetë e gatshme për zgjedhje?

Shqipe Pantina: Ne sapo kemi zgjedhur Këshillin Drejtues dhe Kryesinë e Partisë Sociale Demokrate, por endë nuk i kemi të konsoliduar mjaftueshëm degët, dhe kjo është detyra kryesore që e pret kryesinë e re.

“Bota sot”: Në sa për qind të komunave të Kosovës ka shtrirje PSD-ja, dhe në cilën komunë është më e fuqishme partia juaj (përveç Prishtinës)?

Shqipe Pantina: Të them të drejtën nuk e di se nuk kam qenë shumë e angazhuar në ndërtimin e strukturave sepse fokusim im ka qenë dhe do mbetet puna në Kuvend e Kosovës.

“Bota sot”: Me cilën parti nuk do bënte asnjëherë koalicion PSD-ja?

Shqipe Pantina: Kjo është një çështje që duhet të diskutohet dhe të vendoset nga strukturat e reja por ajo çka unë mund të them me përgjegjësi të plotë është se unë nuk do jem pjesë e asnjë lloj koalicioni pjesë e së cilës është PDK. Nuk kam asnjë lloj urrejtje ndaj PDK por mendoj se ka qeverisur gjatë dhe keq në këtë vend dhe është koha të shkojnë në opozitë, e njerëzit që kanë qenë të përfshirë në keqpërdorime e korrupsion duhet të dalin para drejtësisë.

“Bota sot”: A mund të ketë largime të tjera nga Vetëvendosja për të kaluar në PSD?

Shqipe Pantina: Nuk mund të them asgjë lidhur me këtë sepse nuk e di si është situata brenda Lëvizjes Vetëvendosje tani.

“Bota sot”: Si e vlerëson PSD-ja gjendjen aktuale politike në Kosovë?

Shqipe Pantina: E vështirë dhe pothuajse e pashpresë. Kjo mënyrë e qeverisjes e cila është vazhdimësi e atyre të kaluara vetëm a po e rëndon situatën në veçanti atë ekonomike. Njerëzit kanë shpresë në liberalizimin e vizave në mënyrë që të mund të ikin nga ky vend për të gjetur punë diku në Evropë dhe kjo është tepër dëshpëruese

“Bota sot”: Çfarë mendimi keni për tryezat politike që aktualisht po organizohen, a mendoni se do të gjendet zgjidhja nëpërmjet këtyre tryezave?

Shqipe Pantina: Çdo herë e më shumë po i ngjanë seancave të Kuvendit ku deputetët diskutojnë por në fund nuk ka kuorum për të votuar, ndërsa këtu përfaqësuesit e partive flasin por asnjëherë nuk  arrin ndonjë përfundim për të cilin pajtohen. Megjithatë një gjë pozitive është se partitë janë takuar me iniciativën e tyre pa ndërhyrjen e dikujt nga jashtë. Do ishte mirë që këto takime të mbaheshin me një qëllim të caktuar për të cilin pajtohen të gjitha partitë, por jo secila parti që e ka radhën për ta thirrur takimin propozon tema që janë më interes për të por jo edhe për subjektet tjera pjesëmarrëse.

“Bota sot”: A do organizon PSD-ja tryezë politike duke e vazhduar rotacionin? Cila do jetë tema juaj primare si nikoqir?

Shqipe Pantina: Nëse ka akordim të vazhdohet me këto tryeza besoj se do e thërrasim kur të na vie radha, ndërsa për temën unë mendoj se ajo duhet të dakortohet në mes të gjitha partive e jo secila parti ta caktoj për qefin e vet.

“Bota sot”: Si e vlerësoni platformën e Qeverisë për bisedime, sipas jush a duhet ta udhëheqë  Presidenti Thaçi dialogun me Serbinë?

Shqipe Pantina: Nuk besoj se Presidenti Thaçi ka legjitimitet për të udhëhequr çfarëdo bisedimesh. Ai nuk përfaqëson unitetin politik siç kërkohet me Kushtetutë dhe për më tepe përvoja e kaluar e tij në dialogun me Serbinë ka sjelle vetëm pasoja të dëmshme për Kosovën, prandaj ai nuk ka më kredibilitet për të i udhëhequr këto bisedime. Kjo çështje duhet të shtrohet në Kuvend për të u diskutuar dhe Kuvendi të jap zgjidhjen .

“Bota sot”: Po ju a do të ofronit ndihmën tuaj në dialog nëse ju kërkohet?

Shqipe Pantina: Për çfarëdo çështje e cila është në interes të vendit ne jemi të gatshëm ta japim kontributin tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat