Duhet një vendim politik për vizat, por raporti i KE-së bazë e mirë

Intervista

Duhet një vendim politik për vizat, por raporti i KE-së bazë e mirë

Më: 22 korrik 2018 Në ora: 13:49
Marija Kapitanoviq

Paketa e zgjerimit të Bashkimit Evropian e vitit 2013 e kishte përfshirë edhe Kroacinë si anëtaren më të re. Më 1 korrik 2013, Kroacia u bë anëtarja e 28-të e BE-së. Një dekadë të plotë pas aplikimit për anëtarësim.

Vetëm në 2004-ën, BE kishte zyrtarizuar statutin e kandidatit për Kroacinë, negociatat për çka filluan një vit pas dhe pasuan me një varg kriteresh që shteti i dalë nga shpërbërja e Jugosllavisë do të duhej të plotësonte.

Ndër kriteret kryesore ishte ai i bashkëpunimit me Tribunalin e Hagës për të adresuar çështjet e krimeve të luftës.

Pesë vite pas anëtarësimit të Kroacisë në BE, ambasadorja kroate në Kosovë, Marija Kapitanoviq shikon mbrapa dhe tregon se nuk ishte aspak proces i lehtë, por i domosdoshëm të ndodhte për qytetarët.

Njëlloj thotë se duhet të jetë edhe për Kosovën që synon integrimet në Evropë.

Në një intervistë, një ditë pas raportit  pozitiv të Komisionit Evropian sa i përket plotësimit të kritereve për liberalizimin e vizave për Kosovën, ambasadorja kujton që tani kjo çështje i takon Parlamentit Evropian dhe është në dorën e politikës.

Kapitanoviq: Vendimi final për vizat në dorën e Parlamentit  Evropian

"Tani Komisioni do ta paraqesë këtë raport tek shtetet anëtare të BE-së dhe ato do ta diskutojnë këtë raport dhe do të marrin vendimin. Natyrisht shtetet anëtare të BE janë 28 dhe secila prej tyre do të shprehë mendimin e tyre. E dyta është që Parlamenti Evropian duhet të marrë vendimin ose ta miratoj atë. Pra, tani do të thoja që çështja e liberalizimit të vizave varet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian...Është një vendim politik por gjithashtu vendim teknik në kuptimin që vendet anëtare dhe gjithashtu përfaqësuesit e Parlamentit Evropian, deputetët, bazuar në raportin e Komisionit Evropian, do të vlerësojnë përmbushjen e këtyre kritereve”, ka thënë ambasadorja.

Ajo megjithatë thotë se raporti i KE-së është një bazë e mirë për anëtarët e Parlamentit Evropian ngase thekson vullnetin e mirë për luftimin e Korrupsionit që kanë institucionet e Kosovës. Megjithëse thotë se më mirë do të ishte nëse kriteret e fundit, sidomos ai për caktimin e demarkacionit me Malin e Zi të ishte plotësuar më herët.

Kapitanoviq: Raporti i KE-së bazë e mirë për vizat, demarkacioni është dashur të përmbyllej më herët

“Wshtë për keqardhje që ka kaluar kaq shumë kohë për të përmbushur këto dy kritere të mbetura, veçanërisht atë të demarkacionit. Liberalizimi i vizave është shumë i rëndësishëm për qytetarët tuaj, është për hir të qytetarëve, nuk është se ata nuk mund të udhëtojnë, mirëpo kanë nevojë për viza kështu që duhet të shkojnë nëpër procedura. Pse është e rëndësishme? Të rinjtë duhet të udhëtojnë, ata duhet të njohin vendet e tjera, duhet të njohin shoqëritë e vendeve të tjera, sepse një gjë e tillë kontribuon në mirëkuptimin e ndërsjellë, pra sipas pikëpamjes sime si ambasadore kroate është me të vërtetë e rëndësishme për të udhëtuar në vende të tjera të rajonit dhe për t'u njohur me këto shoqëri, dhe pasi të kthehen do të mund të krahasojnë pozitivisht se çfarë është e mirë në këtë shoqëri dhe çfarë është më pak e mirë dhe të përmirësojnë disa gjëra në shoqërinë kosovareâ ? , ka thënë Kapitanoviq.

Vendimi final pro liberalizimin e vizave për Kosovën apo jo, u takon ministrave të punëve të brendshme të shteteve anëtare që janë pjesë e Parlamentit Evropian.

E pyetur nëse në këtë drejtim do të mund të ketë pengesa për Kosovën, ambasadorja ka thënë se ata do ta vlerësojnë raportin kështu që në këtë moment ajo çka është e rëndësishme është që ky proces të kalojë nëpër krejt procedurat.

Kapitanoviq:  Çdo shtet që synon BE-në ka dhe pati kritere, Kosova nuk është rast i izoluar

“Ne gjithashtu kemi kaluar nëpër hapa të ndryshëm në procesin tonë të integrimit në BE, çdo proces i integrimit në BE bazohet në kritere, për të gjitha vendet, jo vetëm për Kosovën. Gjithmonë ka qenë kështu, ka qenë me të ashtuquajturat shtete të reja anëtare, të cilat aktualisht nuk janë shtete të reja anëtare dhe ky proces me çdo zgjerim të ri po bëhej gjithnjë e më shumë kërkues nga Komisioni Evropian, që të mësojnë se cilat ishin vështirësitë në vendet e mëparshme dhe më pas ata bënë përpjekje për të vendosur kritere edhe më të qarta për vendet që do të vijnë më vonë. Pra, është një proces, Kosova nuk është rasti i izoluar, prandaj shpresojmë që procesi do të shkojë pa probleme dhe do të thosha për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, sepse ata janë ata që do të kenë zgjedhjen nëse duan të udhëtojnë apo jo ", tha ajo.

Ambasadorja e Kroacisë ka folur edhe rreth dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë për të cilin thotë se sjellë progres për të dyja palët por në mënyra të ndryshme, për shkak të pozicioneve të ndryshme që kanë palët veç e veç në proceset integruese.

Kapitanoviq: Progresi i Kosovës dhe Serbisë për në BE varet nga dialogu mes tyre

"Progresi i të dy palëve në agjendën e integrimit në BE është i lidhur ngushtë me përparimin në dialog, kjo është e qartë nga dokumentet. Kur bëhet fjalë për agjendën e BE-së, pozicioni përkatës fillestar i dy palëve është i ndryshëm, por edhe çështja e realitetit. Sa i përket dialogut, dialogu ka hyrë në një të ashtuquajtur, të themi fazë të re, kjo fazë e re mbetet të shihet se çfarë nënkupton sepse kjo varet nga të dyja palët. BE është mbështetësi por megjithatë rezultati përfundimtar do të varet nga të dyja palët dhe në kuptimin që ju doni të shihni. Është një proces, është vështirë të përgjigjem tani për atë se cili do të jetë rezultati përfundimtar, por një gjë që mund t'ju them dhe t'ju përgjigjem me siguri është se do të varet nga të dy palët dhe në këtë kuptim Kosova duhet të jetë një pjesëmarrëse aktive dhe të keni një strategji të qartë në lidhje me atë q ë është interesi i vendit tuaj dhe cilat janë qëllimet që doni të arrini ‘, ka thënë ajo.

E pyetur ndërkaq se si mund të paramendohet një normalizim raportesh në fundmi, duke pasur parasysh lobimin e palës serbe kundër shtetësie së Kosovës dhe pengesat që paraqet në integrimin e serbëve në Kosovë, siç është edhe rasti i largimit të pjesëtarëve serë të Kosovës nga FSK-ja, Kapitanoviq thotë se është e nevojshme që pala kosovare të dijë se pse ka vendosur të dialogojë me Serbinë.

Kapitanoviq: Dialogu i nevojshëm pikërisht për shkak të pozicioneve të ndryshme

"Pse jeni ne dialog? Ju jeni në dialog sepse keni pozicione të ndryshme, mendime të ndryshme, prandaj keni nevojë për dialog, përndryshe nuk do t'ju duhej. Këshilla ime do të ishte të shkoni hap pas hapi, ajo që është e rëndësishme tani është të vendoset pozicioni i qartë negociues dhe çfarë duhet të arrihet. Sigurisht që pajtimi është një pjesë e rëndësishme në krijimin e marrëdhënieve brenda rajonit. Por ju duhet të ecni hap pas hapi sepse është një proces i gjatë, nuk është i lehtë, është i komplikuar, sepse e kaluara nuk ishte e lehtë dhe pritjet duhet të jenë realiste brenda mandatit dhe kontekstit të dhënë, por çfarë mund të behët nga ana juaj është angazhimi dhe puna e madhe sepse kjo është për një të ardhme më të mirë të popullsisë së re të të gjitha komuniteteve këtu në Kosovë si dhe për një jetë më të mirë ", ka thënë ajo.

Ajo theksoi se janë dy obligime ndërkombëtare që Kosova ka marrë përsipër nga dialogu e që duhet t’i plotësojë. E para ka të bëjë me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe dhe e dyta me krimet e luftës përmes dhomave të specializuara në Hagë.

Kapitanoviq: Kriteri i krimeve të luftës ka qenë kyç për Kroacinë, edhe ju duhet ta bëni këtë

 "Kur është fjala për dhomat speciale, edhe ne kemi kaluar nëpër këtë proces, e dimë se çfarë do të thotë. Procedurat dhe trajtimi i krimeve të luftës ishte një nga kriteret kryesore për Kroacinë gjatë gjithë procesit te integrimit në BE, procesit të pranimit në BE dhe nuk ishte aspak e lehtë, por ja dolëm. Pra, ishte një  bashkëpunim i plotë me Tribunalin e Hagës pasi që ishte një nga kriteret kryesore. Nuk ishte e lehtë, por duhej ta bënim dhe kjo është çështje e përgjegjësisë. E dyta, asociacioni tani është diçka që del nga marrëveshjet, nga dialogu, kështu që tani ky draft statut duhet të themelohet apo shkruhet në mënyrën që i përshtatet pritjeve të të dyja palëve. Por sipas mendimit tim, qëllimi përfundimtar i asociacionit duhet të jetë marrëdhënie më të mira dhe ndërveprim më i mirë mes komuniteteve, ato janë  thjesht detyrime dhe nuk ka alternativë ", ka thënë ajo.

Një temë tjetër e diskutueshme është edhe transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në forcat e armatosura të Kosovës, për çka kërkohen votat e deputetëve serbë. E pyetur nëse Kosova është afër për ta përmbushur këtë dhe anëtarësimit në NATO, Kapitanoviq ka theksuar se ndryshimet për këtë gjë duhet të bëhen përmes Kushtetutës.

Kapitanoviq: Mandati i FSK-së të transformohet përmes Kushtetutës

"Kur është fjala për Forcat e Sigurisë së Kosovës në nivelin teknik dhe nivelin e ekspertëve, ne kemi punuar shumë me palën tuaj dhe ka angazhim, ka punë për t'u bërë, diversiteti i Forcës së Sigurisë së Kosovës është gjithashtu një model për vendin dhe natyrisht se është një proces, tranzicioni është një proces që kërkon kohë. Natyrisht, institucionet tuaja dhe qeveria juaj kanë disa objektiva që ato do të dëshironin t’i arrinin, kështu ishte edhe  rasti ynë kur po i  afroheshim integrimit në NATO dhe BE, është e rëndësishme që të kemi targetin dhe pastaj të vazhdojmë në përmbushjen e kritereve, procesi është i gjatë, prandaj është e rëndësishme të punohet në të, të përmirësohet dhe siç thashë edhe në rastin e dialogut është një proces hap pas hapi, por sigurisht që është e rëndësishme të kemi qëllimin, cili është qëllimi përfundimtar?...Transformimi si i tillë do të ishte i mirë n ëse ndodh dhe duhet të ndodhë brenda ndryshimeve kushtetuese të kornizës në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Natyrisht, vendimi i takon palës kosovare, ky është vendimi juaj, por ne ende besojmë se duhet të bëhet brenda kuadrit kushtetues”, ka thënë ajo.

Kroacia është ndër vendet që kishin njohur dhe mbështetur pavarësinë e Kosovës qysh në fillim të shpalljes së saj. Zyrtarisht kjo njohje ishte bërë më 19 mars të vitit 2008, pak javë pas shpalljes së pavarësisë.  Kroacia dhe Kosova kanë marrëdhënie të gjata miqësore.

Por ky është një qëndrim shumë i mirë, por është vetëm një qëndrim fillestar, sipas ambasadores kroate. Kapitanoviq thotë se marrëdhëniet mes Kosovës dehe Kroacisë kanë një strukturë shumë të mirë për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale por ende duhet të punojnë në zhvillimin dhe intensifikimin e këtyre marrëdhënieve.

Sipas saj, një mundësi e mirë për intensifikimin e marrëdhënieve është edhe përmirësimi ose intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik mes dy shteteve.

Kapitanoviq: Presim më tepër bashkëpunim ekonomik dhe përmirësim të jetës së kroatëve në Kosovë

“Reforma në procedurën e prokurimit është shumë e rëndësishme sepse është një hap vital për luftimin e korrupsionit. Korrupsioni ka pasoja në investimet ekonomike dhe qasjen në shëndetësi si dhe në arsim. Pra, kjo është një nga çështjet që ne dëshirojmë të shohim dhe jemi shumë të gatshëm t'ju ndihmojmë në këtë drejtim. Ju keni komunitet të integruar shumë mirë në Kroaci. Ata kanë jetuar në Kroaci për dekada dhe janë pjesë aktive e shoqërisë, kryesisht ndërmarrjeve të biznesit të vogël. Në anën tjetër, ne kemi një komunitet shumë të vogël këtu në Kosovë. Mbi dyqind njerëz të gjithë së bashku. Ajo që ne do të dëshironim të shihnim këtu është që ju t’iu siguroni atyre kushte më të mira të jetesës së përditshme pasi që kjo është diçka për të cilën ata kanë nevojë. Kosova është shtëpia e tyre dhe në këtë drejtim është e rëndësishme që institucionet e Kosovës t’u ofrojnë atyre standarde elementare të përditshme”, ka thënë ambasadorja Kapitaqnovic.

Ajo po ashtu është shprehur e vetëdijshme për lidhjen emocionale që populli shqiptarë ka me atë kroatë, e që sipas saj u pa edhe me tifozërinë që iu bë ekipit kroat në Kosovë, gjatë Kampionatit Botëror të Futbollit sivjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat