Vendi mund të shkojë në zgjedhje brenda këtij viti

Intervista

Vendi mund të shkojë në zgjedhje brenda këtij viti

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 5 gusht 2018 Në ora: 08:21
Nait Hasani

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, thotë se qytetarët e Kosovës deri në mesin e vitit 2019 nuk do të mund të lëvizin pa viza, kjo për shkak se nuk është luftuar krimi dhe korrupsioni.

Hasani në intervistë flet edhe për dialogun Kosovë- Serbi dhe kompromiset e dhimbshme për Kosovën.

Ai thotë se qytetarët e Kosovës duhet të vendosin vetë për territorin e tyre, nëse duan të bashkohen, të ndahen apo të copëtohen, e jo të vendos Presidenti, Kryeministri apo krye-parlamentari.

“Bota sot”: Kosova dhe Serbia, tashmë kanë hyrë në fazën finale të dialogut, partitë ende nuk kanë harmonizim për këtë çështje, cili është qëndrimi juaj për dialogun Kosovë- Serbi?

Nait Hasani: Çështja e dialogut është shumë e rëndësishme, unë kam një qëndrim ndryshe në këtë raport. Për mua është e padrejtë që në një anë të themi se jemi dy shtete të pavarura, ndërsa në anën tjetër bisedojmë nga një vend në një vend tjetër. Ne kemi pasur një pako të Ahtissarit që ka rrjedhur si pasojë e “Marrëveshjes së Vjenës”, ajo pako ka përcaktuar disa rregulla që komuniteti serb të jetë më i privilegjuar, të cilat asnjë kushtetutë e botës nuk i ka pakicat me numër të tillë, nga ajo marrëveshje apo nga ajo paketë, është përcaktimi i qartë i kushtetutës, domethënë të drejtat e tyre. Kur kanë filluar bisedimet, pra normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë nuk ka qenë në këtë formë të tillë për të ardhur në kësi bisedimet, ata kishin qenë si bisedimet teknike,  për çështjen e lëvizjes, për çështje të tabelave, çështjen e telefonisë, për letërnjoftime etj, ndërsa nga ajo që tani ka dalë një marrëveshje politike me Serbinë. Me Serbinë nëse do të duhej të bisedohej, atëherë do të duhej të bisedohej për demarkacioni, për reperacionet e luftës, me Serbinë do të duhej të bisedohej për firmat, bizneset, apo ato që Kosova i ka në Serbi. Në anën tjetër, kjo formë që po bisedohet është e dëmshme për Kosovën, është e papranueshme për Kosovën dhe do të ketë pasoja për Kosovën, prandaj bisedimet janë të papranueshme për mua në këtë formë, në këtë format.

“Bota sot”: Kohëve të fundit kemi dëgjuar deklarata për shkëmbim territoresh apo ndarje me Serbinë, Presidenti nuk ka përjashtuar këto mundësi, a ja vlen të jepet territori i Kosovës për njohje nga Serbia?

Nait Hasani: Çështja e territoreve nuk është çështje e Presidentit, nuk është çështje e Kryeministrit, as e Kuvendit, por është çështje e qytetarëve të Kosovës. Çështjet e territoreve janë çështje referendumesh, që do të merret një vendim nga qytetarët e Kosovës me votë, me referendum për ndryshim territoresh. Presidenti, Kryeministri, Kuvendi kanë obligim të respektojnë kushtetutën, ta zbatojnë atë, prandaj thëniet për ndryshim territoresh janë lojë që duan ta zgjasin secili politikën e vet, për mua është e papranueshme ndryshim i territoreve në formën e tillë pa një referendum që do ta marrin qytetarët me votën e tyre. Nëse qytetarët pajtohen ta ndryshojnë territorin, të bashkohen, të ndahen, të copëtojnë është tjetër çështje, kjo formë e tillë me interesa të ngushta individuale e rrezikojnë Kosovën.

“Bota sot”: Në kompromise të dhimbshme me Serbinë, që i përmend Presidenti e tani edhe Kryeministri, a hyn formimi i AKS, ndarja apo shkëmbim i territoreve?

Nait Hasani: Kompromiset e dhimbshme në raport me Kosovën ata që do të marrin duhet të kenë para sysh gjendjen në të cilën është Kosova me kushtetutën e vitit 2008. Nëse, kushtetuta ka ndryshuar në 23 nene asociacionin e komunave serbe, marrëveshjen e Brukselit, kjo domethënë se ajo marrëveshje është në kundërshtim me kushtetutën, në kundërshtim me parimet e shtetit të Kosovës, mendoj se kjo duhet të ndryshohet dhe ai asociacion mund të jetë një asociacion sikur që e kemi një të tillë në të kundërtën çdo fuqizim me veprime politike është e rrezikshme për Kosovën dhe shteti i Kosovës nuk është funksional, është në një rrezikshmëri të së ardhmes që paraqet në Kosovë.

“Bota sot”: A e shihni të mundshme arritjen e një marrëveshjeje të obligueshme për të dyja palët që çon drejt normalizimit dhe njohjeve reciproke?

Nait Hasani: Ndoshta tani është e vështirë të ndodhë, por në të ardhmen mund të ketë një gjë të tillë. As Kosova dhe as Serbia, gjatë vitit 2018 nuk mund të arrijnë një marrëveshje, sepse nuk janë të varur nga njëra- tjetra, të dyja varen nga Brukseli dhe faktori ndërkombëtar, prandaj, varen nga rrethanat që ata i kanë përcaktuar në një njohje reciproke. Serbia nuk është në gjendje ta pranojë Kosovë për shkak të kishës ortodokse serbe, ajo është dominante në politikë, dhe politika shoveniste dhe agresive bënë që ta përcaktojë agjendën politike, pastaj, ajo është e lidhur me patriarkalin e Stambollit dhe të Moskës, dhe është një politikë e tillë që shkon në këtë vijë hierarkike, prandaj njohja është e rrezikshme. Prandaj, mallkimi i kishës ortodokse serbe në këtë drejtim është një politikë që nuk e lë Serbinë ta bëjë një njohje të tillë të Kosovës, për shkak të politikave shoveniste që janë nga kisha dhe në të njëjtën kohë politika serbe dhe autonomia serbe i kanë zbatuar politikat e saj për një kohë të gjatë. Kjo njohje nuk vjen dhe nuk do të vije edhe për vitin 2019 se jo vetëm për vitin 2018, këto do të jetë pengesa të njohjes më tutje. Përndryshe, në Kosovë politika në këtë drejtim nuk ka një analizë, një ka një platformë çfarë do të bëjë më tutje dhe kjo është një shtyrje në vazhdimësi, vitin e ardhshëm pastaj BE-ja do të hyjë në zgjedhje dhe kjo do të mbetet deri për vitin 2020.

“Bota sot”: Qeveria “Haradinaj” qe disa muaj ka mbetur pa shumicën parlamentare, si është duke funksionuar?

Nait Hasani: Në Kuvendin e Kosovës është një qeveri e zgjedhur me vota në agjendat e kuvendit ka raste kur qeveria apo kuvendi nuk ka vota të mjaftueshme për shkak të agjendave të kuvendit. Por, në aspektin politik në shumicën absolute ligjet miratohen, ndërsa përveç disa debateve apo ligjeve politike që nuk kanë mundur të shkojnë më tutje për shkak se deputetët kanë agjenda në mbështetje, apo lëvizin, apo mbështeten në eksperienca të ndryshme dhe kjo është arsyeja pse ka seanca që nuk ka kuorum të mjaftueshëm. Me opozitën si bojkot nuk mund të propozojë, apo të miratojë platforma, apo projektligje e marrëveshje ndërkombëtare. Ka pasur raste kur opozita edhe marrëveshjet ndërkombëtare i ka bojkotuar dhe Kosova ka pësuar humbje në ndihmat që vijnë nga Bashkimi Evropian apo nga shtetet tjera ndërkombëtare, por kanë kaluar rastet duke ruajtur koncenzusin politik. Pozita në këtë drejtim i ka votat në kuvend, i ka votat e brishta, por i ka, këtë brishtësi mund ta ndryshojmë varësisht nga ligjet.

“Bota sot”: A ka nevojë Kosova për një qeveri të re, një qeveri që nuk është e brishtë në vota?

Nait Hasani: Unë mendoj që pak më ndryshe do të shkojë kjo tek ligjet apo qeveria dhe zgjedhjet. Zgjedhjet nuk përcaktohen nga ligjet këtu për shkak se kanë humbur legjitimitetin politik, por zgjedhjet përcaktohen nga faktorët e jashtëm, të cilat ata i shohin në agjendat e tyre. Ne kur kemi qenë si faktor 2008- 2014, kemi mundur të përcaktojmë rrethanat, ndërkaq pas kësaj kohe Kosova më nuk është një faktor politik, ku politika ka kaluar  në pjesën e Serbisë, faktori ndërkombëtar është i interesuar për gjendjen në Serbi, jo për gjendjen në Kosovë dhe kështu Kosova ka mbetur prapa në këtë drejtim, ata do të përcaktojnë agjendat kur do të mbahen dhe kur janë të interesuar. Unë mendoj se në bazë të këtyre rrethanave që zhvillohen, në bazë të debatit të djeshëm shumë shpejt do t’i kemi zgjedhjet, ka mundësi t’i kemi edhe brenda vitit.

“Bota sot”: Kosova është vendi më i varfër në rajon, ndërkaq në anën tjetër vendimi për rritjen e pagave bënë që të kemi qeveritarë më të pasur në rajon, si e komentoni këtë?

Nait Hasani: Nuk është një rritje shumë madhe e pagave, por për shkak të papunësisë është një rritje e më e madhe. Kosova është vendi më i pasur në Ballkan, edhe me resurse njerëzore, edhe me ekonomike, por është një koncept i zhvillimit që nuk ka ecur përpara dhe kjo është pengesa. Përndryshe, me pasuritë që i ka për një zhvillim ekonomik mund të krahasohet me të gjitha shtetet e rajonit, por edhe të Evropës sepse një territor i vogël me kaq resurse ekonomike me popullsinë e saj mund t’i kalojë. Pengesat janë tek disa ligje dhe format e korrupsionit që  kanë penguar dhe janë duke e penguar, për shkak se në Kosovë mungon ligji për lobim dhe mungesa e ligjit për lobim pengon tani ligji për korrupsion dhe këto lidhen me njëra- tjetër. Këto duhet të bëhen, e kanë të gjitha shtetet ligjin për lobim vetëm Kosova nuk e ka këtë ligj për shkak të një bllokade, ne duhet të lobojmë te Bashkimi Evropian për të tërhequr mjetet të investojnë në Kosovë.

“Bota sot”: Kosova ka marrë raport pozitiv nga KE, kur do të bëhet liberalizimi i vizave?

Nait Hasani: Kjo është një çështje të cilën e jep një mundësi, raporti nuk do të thotë që mund të lëvizin qytetarët të lirë, raporti domethënë që “ne jemi të gatshëm t’ju pranojmë nëse ju i plotësoni kushtet”, raporti tregon që Kosova nuk i ka plotësuar kushtet, përndryshe nëse do t’i kishte plotësuar kushtet do të kishte raport pozitiv me shpresa më shumë. Qytetarët e Kosovës jo vetëm në vitin 2018, por deri në mesin e vitit 2019, nuk do të lëvizin lirshëm. Kjo duhet të thuhet drejt, nuk duhet t’ua hupin shpresat, por të tregohet drejt që ata të krijojnë relacionet reale me jetë. Relacionet reale me jetën tregojnë se nuk është punuar mirë në këtë drejtim, pa marrë parasysh çfarë thotë Presidenti, Kryeministri apo Kryetari i parlamentit që ne kemi marrë, ajo është një lehtësi që të jep një mundësi, por jo  një realizim i një forme të tillë. Liberalizim është çështje e plotësimit të luftës kundër krimit dhe korrupsionit si dhe vendosja e ligjit në drejtësi. Neve  Apostolova na ka thënë drejtpërdrejt “liberalizim do të keni, nëse ju bëni dënimin”, ne kemi 60 raste që asnjë rast nuk është ekzekutuar, nuk është dënuar, kështu që si do të bëhet liberalizimi? Do të thotë se drejtësia është shumë larg në këtë drejtim dhe pa funksionimin e këtyre kot është. A ka mundësi që 60 raste të përfundojnë brenda katër muajve gjer në vitin e ri, nuk besoj. Kështu që jemi në drejtim të shpresës dhe dënimit, mendoj se BE-ja përmes zyrës së saj ka treguar formën e mbështetjes, ata kanë ofruar lehtësira, por ato duhet t’i bëjmë ne. Prandaj, duhet një luftë pa kompromise për liberalizim, ai nuk vjen vetëm.

“Bota sot”: Transformimi i FSK-së në FAK ende nuk është bërë dhe kjo për shkak të Listës Serbe, cila është rruga që Kosova të bëhet me ushtrinë e saj?

Nait Hasani: Çështja e forcave të sigurisë (transformimi i ushtrisë), është çështje e debateve që janë zhvilluar, një lojë politike në mes të partive dhe nuk ka një strategji të mirëfilltë për zgjidhjen e kësaj çështje. Të gjithë kanë bërë politikë dhe kanë tentuar t’ia hedhin njëra-tjetërës, edhe me serbët mund të zgjidhet kjo çështje, por kjo çështje do të zgjidhej kur të bëheshin seriozë institucionet e vendit.

“Bota sot”: U zotua që do t’i hek vizat dhe do ta formojë ushtrinë në tre muajt e parë të mandatit, por Kryeministri nuk e ka realizuar asnjërën, a mund të konsiderohet i dështuar ky mandat qeverisës?

Nait Hasani: Ai ka premtuar dhe është i gatshëm t’i mbajë premtimet, por çështja e bllokadave është se partitë politike kanë inate dhe këto inatet kanë dëmtuar dhe po dëmtojnë në vazhdimësi. Nuk mund të konsiderohet mandat i dështuar nëse ke ambice, mandat i dështuar konsiderohet nëse i ngritë duart dhe dorëzohet. Ai ka kërkesa dhe ambice, por ajo ka qenë pjesë e fushatës, tani është në qeveri dhe duhet t’i realizojë.

“Bota sot”: Keni krituar Gjykatën Speciale, madje në fund të vitit keni qenë edhe njëri ndër nënshkruesit për shfuqizimin e kësaj Gjykate, cili është qëndrimi juaj tani?

Nait Hasani: Unë mendoj njëjtë, sikur atëherë sikur sot. Gjykata Speciale është çështje mjaft e rëndë për Kosovën, është çështje politike. Unë nuk jam tërhequr asnjëherë nga mendimi im për Gjykatën Speciale, sepse ajo tenton të barazojë luftën e UÇK-së me veprimet kriminale të Serbisë. Ne kemi trajtuar në gjykatat tona të gjitha rastet që janë, të gjitha rastet janë trajtuar për shqiptarët në luftë, kemi edhe komandantin e UÇK-së, Syleman Selimin në burg, ndërsa në anën tjetër Serbia për krimet e veta nuk ka raste të gjykuara përveç një rasti në Beograd, ndërsa kriminelët shëtitën të lirë nëpër Serbi. Për mua, Gjykata Speciale nuk e trajton rastin e burgut të Dubravës që është një krim shtetëror, një gjenocid, një vrasje e shtetit të Kosovës, ndërsa trajton raste të cilat për mua janë absurde. Është një e padrejtë ndaj Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat