Do të mallkohet Hashim Thaçi e Edi Rama, korrigjimi është falje e territorit të Kosovës

Intervista

Do të mallkohet Hashim Thaçi e Edi Rama, korrigjimi është falje e territorit të Kosovës

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 18 gusht 2018 Në ora: 08:14
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyqi

Profesori marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot” është shprehur se rezultatet e dialogut me Serbinë kanë për qëllim shkatërrimin e Kosovës me ndihmën e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.

Bytyçi gjatë intervistës ka thënë se, se presidenti Thaçi po instalon një shtet mafioz, ndërkaq sipas tij, qeveria Haradinaj mund të shkarkohet vetëm nëse organizohen protesta për të kundërshtuar Thaçin si president dhe Haradinajn si kryeministër.

“Bota sot”: Profesor, si i komentoni zhvillimet aktuale politike në vend?

Bytyçi: Zhvillimet aktuale në Kosovë janë të veçanta, kanë një dinamikë shumë dimensionale. Megjithatë udhëheqësit politikë të saj janë të qetë. Tek ata nuk shihet ndonjë shqetësim, përveç luftës politike midis tyre. Madje kanë zgjedhur bregdetin për relaks dhe nuk duket se kanë ndonjë merak se çfarë mund të ndodhë së afërmi sa i përket fatit të Kosovës. Nga ana tjetër qytetarët bëjnë sikur nuk shohin, sikur nuk dëgjojnë. U mësuam të gjithë ne e ngjarje të këqija me lajme të dhimbshme dhe më në fund ka ndodhur eklipsi i trurit. E kam fjalën për situatën e krijuar pas përpjekjeve të vazhdueshme të presidentit të vendit për ndarjen e Kosovës dhe shpërblimin që dëshiron t’ia bëjë Serbisë me territore të vendit për terrorin që ajo u ka bërë shqiptarëve në më shumë se një shekull e sidomos në dy dekadat e fundit të shekullit të kaluar.

 “Bota sot”: Si e vlerësoni ecurinë e deritashme të dialogut me Serbinë?

Bytyçi: U nis si dialog teknik. Më kujtohen betimet e përbetimet e ish-kryeministrit, tani president i Kosovës se “Kurrë nuk do të dialogojmë me Kosovën për çështje të brendshme të shtetit të Kosovës”! Por tani diskuton jo vetëm për çështje të brendshme, madje kushtetuese. Diskuton dhe këmbëngul në tjetërsimin e territorit të vendit në favor të Serbisë. Shtetin dhe vetë Kosovën e ka nxjerrë në pazar, duke shfrytëzuar pikërisht procesin e dialogut me Serbinë. Ky dialog deri më sot i ka shërbyer qëllimeve politike dhe nacionale të Serbisë për integrime evropiane. Ndërkohë nuk ka asnjë arritje sa i përket realizimit të qëllimeve të Kosovës as në integrim, as në përmirësimin e jetës së qytetarëve, as në rrugën e forcimit të institucioneve të vendit. Institucionet kanë degraduar në kushtëzimet e Beogradit përmes Listës Srpska. Ky dialog nisi si dialog midis dy palëve të barabarta dhe përfundoi si dialog midis padronit e skllavit. Presidenti ish-kryeministër i Kosovës e shndërroi vendin edhe njëherë në vasal të Serbisë. As në vitin 1972, para kushtetutës së vitit 1974, Kosova nuk kishte varësi ndaj Beogradit, sa ka sot! Kjo falë presidentit të vendit Hashim Thaçi. Po ju jap vetëm një shembull. Më 1972 në Kosovë kishte rënë lija e ujit. Në kufijtë e saj kishte kontroll për çdonjërin që do dilte e hynte në Kosovë. Në Rugovë malazezët për arsye teknike e kishin nxjerrë pikën e kontrollit 300 metra brenda territorit të Kosovës. Qeveria e atëhershme e Mahmut Bakallit kishte urdhëruar që pika e kontrollit të shkojë menjëherë në kufirin e përcaktuar. Dhe ashtu ishte bërë. Sot kufiri me Malin e Zi ka ardhur me km brenda territorit të Kosovës. Hashimi i mashtroi shqiptarët duke thënë se nënshkroi një marrëveshje me presidentin e Malit të Zi për korrigjimin e mëvonshëm. Përfundimisht do harrohet kjo kur presidenti Hashim t’i japë Serbisë 1200 km katror territor të Kosovës ndoshta në këmbim të 400 km që do i kompensohen Kosovës nga territori i Preshevës dhe një pjesë të Bujanovcit. Këto janë rezultatet e dialogut të Hashimit e Mogherinit, të dy të bekuar nga kryeministri i Shqipërisë në aktin e tyre shkatërrues për Kosovën.

“Bota sot”: Si i komentoni paralajmërimet për kompromise të dhimbshme që do të ndodhin në fazën finale të dialogut me Serbinë?

Bytyçi: Besoj se faza finale e dialogut me Serbinë varet nga shumë faktorë. Paralajmërimet e derisotme janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen nga ana e politikanëve të Beogradit. Ata duan që të ketë një zgjidhje të dhimbshme për Kosovën e zgjidhje e dhimbshme për Kosovën, do të thotë zgjidhje e dëshiruar për Serbinë. Në këtë fazë Serbia është faktor më i rëndësishëm sesa Kosova në pikëpamje të marrëdhënieve ndërkombëtare. Balanca ndryshoi pozicion. Kosova ishte partner, u bë vasal në çdo pikëpamje. Por situatën e dialogut me Serbinë e ka rënduar shumë korrupsioni, grabitja e pronave dhe trojeve, nepotizmi, mungesa e lirisë, mungesa e shanseve të barabarta, monopolizimi i pushtetit në një dorë të vetme e shumë faktorë të tjerë. Një vend si Kosova me këto dukuri nuk ka shanse të konkurrojë Serbinë apo ndonjë vend tjetër në rajon, përveç Shqipërisë. Pozita e Kosovës është e dobësuar si kurrë ndonjëherë në raportet e Serbinë. Prandaj dialogu është i dështuar. Mbeten dy mundësi që të shmanget e keqja, më saktë ndarja e Kosovës: Nga njëra anë bashkimi i të gjitha forcave anti Millosheviç dhe izolimi i forcave pro Millosheviç, ku bëjnë pjesë Hashim Thaçi, Edi Rama, Aleksandër Vuçq, Ivica Daçiq e shërbëtorët e tyre. Nga ana tjetër një reagim i ashpër i faktorit ndërkombëtar perëndimor për ta ndaluar këtë proces. Ndryshe epilogu i dialogut është më i keq se çdo opsion i shtruar në tavolinat e bisedimeve deri më sot midis dy palëve. Paralajmërimi për kompromise të dhimbshme me Serbinë është tashmë shumë i qartë. Presidenti Thaçi nuk ka lënë të dyshohet se ky kompromis lidhet me ndarjen e Kosovës. Qëllimin për ndarje të Kosovës Vuçiq dhe Daçiq e kanë shprehur që para katër vitesh. Atë kohë (2014) ndodhi që Rama shkoi në Beograd. Në publik shiti patriotizëm. Kam shkruar asokohe se “patriotizmi i Ramës e ka bishtin mbrapa”. Bishtin e patriotizmit të Ramës e zbuloi Carl Bild, i cili tha se Rama e ka nxit atë që të realizohet ndarja e Kosovës. Hashimi ishte thjesht masha. Anashkalimi i ish-kryeministrit Mustafa nga ana e Ramës, miqësia e tij me Thaçin nuk ishin thjesht shfaqje e pozicioneve ideologjike, ishin më shumë. Të dy kishin dhe kanë një mision. Ndarjen e Kosovës thjesht për të kënaqur orekset shoviniste të Beogradit. Jam i bindur se nëse Milosheviçi do kishte përkrahjen e perëndimit siç e ka sot Vuçiqi, Rama dhe Thaçi do ta kishin ndarë Kosovën para lufte. Lufta shërbeu thjesht për konsolidimin e pushtetit. Tani duket kjo shumë, shumë qartë. Prandaj ata janë dakorduar me Beogradin e Moskën në këtë aventurë.

“Bota sot”: Kur jemi në këtë pikë, si e komentoni idenë e Presidentit Thaçi për korrigjim të kufijve, çfarë nënkuptoni ju me korrigjim kufijsh?

Bytyçi: Korrigjimi i kufijve është maska, është mashtrimi i radhës, një mashtrim që e kanë servirur Endri Fuga i kryeministrit Rama dhe Baton Haxhiu i kryeministrit Vuçiq. As demarkacioni me Malin e Zi nuk është korrigjim kufiri. Është thjesht falje e territorit të Kosovës. Por më çudit këmbëngulja e zotit Thaçi. Është e tmerrshme të mendosh se një president i një vendi në Afrikë angazhohet për copëtimin e territorit të vendit të tij. Në emër të korrigjimit, ose në emër të këmbimit të Preshevës me Mitrovicën. Është një aventurë, të cilën Kosova do ta vuajë brez pas brezi. Dhe kur të shtohen dhimbjet e vuajtjet për këtë gjithë jetën do të mallkohet Hashim Thaçi e Edi Rama. Tashmë ne nuk kemi pse ankohemi për Serbinë. Serbia është ajo çfarë ka qenë. Jemi vetë ne shqiptarët që e kemi sjellë de facto Serbinë në Kosovë dhe po ia japim edhe pjesën më të majme të territorit të vendit.

“Bota sot”:  Lidhur me këtë, patëm edhe një deklaratë të Kancelares Merkel, e cila tha se kufijtë nuk do të preken, mendoni se pas kësaj deklarate do të zmbrapset Presidenti Thaçi?

Bytyçi: Zoti Thaçi e ironizoi deklaratën e Merkel. Mesa duket ka marrë garanci të mëdha nga Vladimir Putin. Pasi para dy-tri vitesh ironizonte ambasadën amerikane se me ta “luante k...”, sot ironizoi kancelaren Merkel kur u shpreh se “Krejt çka mbetet të bëhet është që shumica e vendeve të Bashkimit Evropian t’i bindin pesë vendet mos njohëse dhe Serbinë që ta njohin Kosovën me kufijtë që i ka. Sa më shpejt që të arrihet kjo, aq më mirë për rajonin”. Vetëm këtë frazë ta analizojmë, nuk ka më nevojë të dihet se me kë, e se çfarë përfaqëson Hashim Thaçi. Asnjë shqiptar nuk do donte që Kosova të mos njihej nga pesë vendet evropiane. Por, fajtor nuk është vetëm Merkel. A nuk është fajtor Thaçi që instaloi një shtet mafioz të tipit të Shqipërisë së Edi Ramës?! A nuk është fajtor ai që kurrë nuk u përballë në kohën e duhur me akuzat e tmerrshme të Serbisë dhe shërbëtorëve të saj në Evropë?! Është e ditur se për Thaçin Dick Marty ka bashkëpunuar me Beogradin. Tani kuptojmë se Beogradi e ka marrë peng Hashim Thaçin. Ndryshe nuk ka asnjë mundësi që presidenti i vendit të vihet në anën e presidentit të Serbisë për Kosovën. E dyta, nuk janë pesë vendet mos njohëse shkaku i ndarjes së Kosovës, siç përpiqet ta shesë Thaçi këtë lojë! Ato kanë ndikim. Por, qëllimisht në këto katër vite është bllokuar çdo iniciativë diplomatike, çdo aksion politik e diplomatik për njohjen e shtetit të Kosovës. Këtë e kanë bërë Rama dhe Thaçi. Po të shihet numri i njohjeve në këto katër-pesë vite të “Mbretërisë Rama-Thaçi” del se numri i vendeve që kanë njohur Kosovën është i papërfillshëm. Pse? Sepse është punuar për procesin e zhbërjes së shtetësisë së Kosovës. Ndarja është zhbërje. Dhe shtëpinë e vet e zhbën kryefamiljari, vetë presidenti i vendit! E paprecedent në historinë e njerëzimit që nga Hamurabi i Babilonisë e deri në ditët e sotme!

“Bota sot”: Në bazë të asaj që është folur deri më sot, cili mendoni se do të jetë fati i veriut?

Bytyçi: Fati i veriut është e duhet të jetë në duart e Kosovës dhe institucioneve të saj. Tridhjetë apo dyzet mijë minoritarë gjenden në çdo cep të çdo shteti në botë. Asnjë vend evropian që mbahet homogjen, nuk është më homogjen se Kosova. Konrad Cleëing shkruan se Kosova është homogjene ose jo, aq sa është e tillë vetë Gjermania. Atëherë pse u dashka të vendosen “kufij etnikë”? Duhet se Putin dhe Vuçiq kanë interes ta shkatërrojnë shtetësinë e Kosovës e të krijohet pas ndarjes një federatë shqiptare. Pas kësaj Beogradi e Moska do të krijojnë federatën serbo-boshnjake. Përfundimisht Kremlimni do të vijë me bazë ushtarake në Tivar ose në atë ngushticën e vogël në Adriatik, të cilën e zotëron Bosnja. Ky është plani. Rama e Thaçi janë koordinatorë të këtij projekti, por udhëheqës të tij. Do të humbë Kosova partneritetin e saj me SHBA dhe vendet perëndimore nëse merret Lugina dhe jepet veriu? Nëse vjen Rusia në Adriatik dhe në kufi me Kosovën, atëherë ajo dhe as Shqipëria kurrë nuk do të jenë të sigurta. Edhe nëse teorikisht një aleancë dhe partneritet me SHBA-në do të ishte e pacenueshme, praktikisht shqiptarët do të rikthehen në periudhën e bunkerëve. Nga frika e muzhikut rus në shpinë të Serbisë shqiptarët nuk do të flinin të qetë. Pasiguria do ta spastronte Kosovën dhe Shqipërinë nga banorët pellazgo-iliro-shqiptarë, sepse askush nuk dëshiron të jetojë në ankth. Për pasojë shqiptarët do të provojnë të ikin nga ky vend.

“Bota sot” : Nëse ndodh ndryshimi i kufijve, mund të preken edhe shtetet e tjera evropiane?

Bytyçi: Më së paku shtetet evropiane si Gjermania, Austria, Britania e Madhe, vendet nordike e disa vende të Lindjes Evropiane, janë të interesuara që në Ballkan të ndryshohen kufijtë. Është e sigurt se kjo sjellë destabilitet dhe shtimin e influencës politike, ushtarake dhe ekonomike të Rusisë në rajon. Nëse amerikanët kanë vendosur ta vendosin rendin e ri botëror me Rusinë, ata nuk do të kishin ndonjë kundërshtim të madh edhe nëse Kosova ndahej. Por Evropa do të ishte e kërcënuar dhe e destabilizuar. Të shohim sa forcë do të ketë Berlini dhe Londra për ta parandaluar një masakër të re territoresh e për pasojë edhe një konflikt të ri në Evropën Juglindore.

“Bota sot”: Cilat duhet të jenë masat që duhet të marrë opozita në mënyre që ta kundërshtojë presidentin Thaçi dhe të parandalojë koncesionet që po paralajmërohen?

Bytyçi: Opozita, shoqëria civile, gjykata kushtetuese, prokuroria e shtetit, vetë qeveria e parlamenti, madje dhe partia më e madhe në pushtet e Thaçit janë para një momenti historik: Të rezistojnë dhe ta mundin Hashim Thaçin në betejën për Kosovën, ose të nënshtrohen dhe t’i vënë vilën e zezë vetes së tyre. Pra ose bashkëpunëtorë me Thaçin, Ramën e Vuçiqin, ose kundërshtarë të pakompromis në interes madhor të Kosovës dhe të shqiptarëve! Kjo është deviza. Kur përmenda gjykatën kushtetuese, ajo duhet ta shkarkojë presidentin e vendit. Kur përmenda prokurorinë, ajo duhet ta ndjekë penalisht Hashim Thaçin. Të dyja për shkak se presidenti Hashim Thaçi ka shkel ligjin dhe kushtetutën e vendit me deklaratë e tij. Po të deklaroheshin kësisoj kundërshtarët e Thaçit, presidenti do të kishte urdhëruar ndëshkimin penal. Po për atë pse nuk paska ndëshkim?!

“Bota sot”: Kush është sipas jush personi adekuat që duhet të udhëheq dialogun me Serbinë?

Bytyçi: Nuk mund të vendos gishtin te një emër konkret. Por ka burra dhe gra të ditura, të aftë, të zotë, të shkolluar, të urtë, të përkushtuar, të devotshëm, të drejtë, që mund të udhëheqin këtë proces. Madje shumë herë më të aftë sesa Thaçi, nëse konsiderojmë aftësitë profesionale dhe jo aftësitë për mashtrim!

“Bota sot”: A mund të ketë pajtim me Serbinë pa zbardhjen dhe ndëshkimin e krimeve të luftës?

Bytyçi: Ky duhej të ishte në tavolinë në çdo raund bisedimesh. Por qëllimisht nuk është përdorur ky argument nga Thaçi. Atij i kanë konvenuar lëshimet për të ardhur deri te pajtimi me Serbinë për copëtimin e Kosovës. Nëse flasim për pajtim të Thaçit dhe lakejve të tij me Serbinë, kjo tashmë ka ndodhur. Por edhe nëse këta pinë gjak me njëri-tjetrin dhe vëllazërohen me Vuçiqin, Kosova nuk do të jetë kurrë e qetë pa ndëshkimin e krimeve të luftës. Kosova duhet të protestojë edhe kundër Hashim Thaçit e kujtdo tjetër që ka kryer krime kundër shqiptarëve.

“Bota sot”: Si e shihni punën e qeverisë Haradinaj?

Bytyçi:  Qeveria Haradinaj është qeveri e pakicës shqiptare dhe e pakicës parlamentare. Një kryeministër që vjen nga një parti politike me aq pak deputetë nuk do të mund ta kishte zgjatur kaq shumë. Megjithatë Haradinaj e ka zgjatur gati dy vite qeverisjen në minorancë të tij. Duhet shkathtësi e jashtëzakonshme ose konjuktura shumë të favorshme që të ndodhë kjo.

“Bota sot”: Sa është e rëndësishme për vendin që sa më shpejt të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare?

Bytyçi: Zgjedhjet parlamentare do të vijnë vetëm në këto raste: 1. Nëse Haradinaj do ta mbajë fjalën dhe do t’i kundërvihet ashpër e me vendosmëri projektit shkatërrues të Hashim Thaçit për ndarjen e Kosovës. Në këtë rast Thaçi do tërhiqte deputetët e tij nga mbështetja e Haradinajt. Ndërkohë deputetët e Listës Srpska do të largoheshin nga qeveria, gjithnjë me urdhër të Vuçiçit. 2. Nëse Haradinaj jep dorëheqje për shkak të pakënaqësisë së tij me këtë projekt. 3. Nëse opozita do të bënte protesta të fuqishme për të kërkuar dorëheqjen e Thaçit si president dhe të Haradinajt si kryeministër. Në këtë rast kushti është bashkimi i të gjithë faktorit opozitar, gjë që nuk ka gjasa të ndodhë. Dhe mobilizimi i dhjetëra mijë qytetarëve, të cilët të jenë të gatshëm për sakrificë në emër të Kosovës, në emër të lirisë e të atdheut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat