Lugina fuqishëm kundër shkëmbimit të territoreve

Intervista

Lugina fuqishëm kundër shkëmbimit të territoreve

Nga: Albulenë Muji Më: 20 gusht 2018 Në ora: 10:28
Shqiprim Arifi

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot” është shprehur qartë rreth korrigjimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka deklaruar se  nuk pranojnë asnjë lloj ndarje dhe parcelizimi të Luginës. Sipas Arifit, për Luginën nuk është i pranueshëm asnjë lloj shkëmbimi territoresh.

Për me tepër, Arifi  ka folur edhe për problemet me të cilët ballafaqohen qytetarët e Komunës së Preshevës.

“Bota sot”: Kohëve të fundit, Lugina e Preshevës është kthyer në vëmendjen e opinionit politik në Kosovë dhe Shqipëri, për shkak të deklaratës së presidentit Thaçi i cili ka deklaruar se kjo trevë do t’i bashkohet Kosovës? Si e komentoni një deklaratë të tillë?

Shqiprim Arifi: Deklarata e z.Thaçi është në përputhshmëri dhe vazhdimësi e kërkesës dhe vullnetit të popullatës së kësaj treve që prej referendumit të 1992, dhe ne e mbështesim këtë deklaratë, dhe kjo është pozitive pasi që edhe ne si komunitet jemi bërë temë në këtë fazë finale të dialogut në Bruksel, gjë të cilën kemi kërkuar tash e një vit.

“Bota sot”: Sa ka shans të ndodh bashkimi i Luginës me Kosovën?

Shqiprim Arifi:  Ne nuk bëjmë prognozime se sa do të jenë shanset për një gjë të tillë, mirëpo ne jemi kategorik që një gjë e tillë të ndodhë si tërësi territoriale duke përfshire të tri komunat shqiptare, gjithmonë në koordinim me mbështetësit tanë bashkësinë ndërkombëtare.

“Bota sot”: Nëse bëhet një gjë e tillë, a do të ketë ndarje të Luginës?

Shqiprim Arifi:  Siç e ceka edhe me lart, ne nuk pranojmë asnjë lloj ndarje dhe parcelizim të Luginës. Ne si Lugine ose shkojmë si tërësi ose mbesim këtu  ku jemi tash. Një parcializim të Luginës, nënkupton dëm të trojeve shqiptare dhe të kësaj pjese, që vetëm ka ndodh njëherë në Camuri, kështu ne pra do te ishim camuriaII.

“Bota sot”: Në çfarë baza duhet të bëhet lëvizja eventuale e kufijve?

Shqiprim Arifi: Baza e ndryshimit të kufirit është referendumi i 1992 , që nënkupton tërësinë e Luginës se Preshevës.

“Bota sot”: Në shtator pritet të fillojë diskutimimi për bashkëngjitjen e Kosovës Lindore me Kosovën, çfarë pritet të ndodh gjatë këtyre bisedimeve?

Shqiprim Arifi:  Gjatë çdo negociate dy paleshe çdo propozim dhe mendim hidhet ne tavolinë dhe fundi është i hapur,  mirëpo çfarë do që të ndodhë gjatë këtyre bisedimeve ne jemi kundër çdo shkëmbimi territorial apo parcelizimi të Luginës.

“Bota sot”: Ai rrezikohet jeta banorëve shqiptarë me këtë korrigjim të kufijve të Kosovës, pasi që vazhdimisht Kosova dhe Serbia ka pasur luftëra lidhur me çështjet territoriale?

Shqiprim Arifi: Ka dy këndvështrime: a) në qoftë se ne i bashkangjitemi si tërësi territoriale nuk do rrezikohet askush pasi që e dimë se dëshira dhe vullneti i kësaj popullate daton qysh prej 1992

b) do jetë rrezik i madh në qoftë se do bëhet parcelizimi i Luginës, pasi që do mbesë një pjesë e territorit dhe disa Shqiptar në vazhdimësi nën administrimin Serb dhe si quitessenz rrezikohen të asimilohen apo të shpërngulen.

“Bota sot”: A ka dakordim për idenë e bashkimit me Kosovën ndërmjet liderëve shqiptarë të Luginës?

Shqiprim Arifi:  Uniteti i liderëve shqiptarë të Luginës ka qenë gjithmonë i padiskutueshëm kur është në pyetje interesi i përbashkët i kësaj popullate që bazohet në referendumin e 1992 e deri tek deklarata e muajit të kaluar e këshilltareve të tre kuvendeve të komunave shqiptare, që edhe njëherë bënë qartë bazën e përbashkët të politikbërjes të liderëve të Luginës dhe për përfaqësimin e Luginës në dialogun Kosovë-Serbi.

“Bota sot”: Ju si lider i Preshevës, keni informacione se a do të ketë shkëmbim të territoreve?

Shqiprim Arifi: Edhe njëherë sa për sqarim, shkëmbim të territoreve dhe ndryshim kufiresh janë dy gjëra të ndara nga njëra tjetra. Pra ne nuk kemi informacione për një gjë të tillë, dhe siç e ceka jemi kategorik kundër çdo shkëmbimi.

“Bota sot”: A po përdoret Lugina për çështje të mëdha të Kosovës?

Shqiprim Arifi:  Nuk na përket neve të pengojmë çështjet madhore të Kosovës, dhe ne nuk duam në asnjë mënyre të jemi faktorë për dobësimin e Kosovës. Përkundrazi në duam të vazhdojmë kontributin tonë qysh nga shekulli i fundit për të forcuar Kosovën si brenda por edhe jashtë saj, pikërisht duke qenë kundër shkëmbimit të territoreve, ku nëpërmjet sigurimit të veriut të Kosovës që të jetë pjesë integrale e Republikës së Kosovës, strategjikisht e forcojmë Kosovën për të ardhmen edhe ne qoftë se shkon në faktuarën e Luginës së Preshevës për të mbetur aty ku jemi.

“Bota sot”: Korrigjimi i kufijve të Kosovës, është quajtur nga opozita në Kosovë si mashtrim për qytetarët, si e komentoni këtë?

Shqiprim Arifi: E ceka edhe me lart nuk na përket neve të flasim për çështje të brendshme politiko partiake, kush do qofshin ato ,pozite apo opozite, ne jemi kundër çdo loje për interesa të caktuara grupore apo partiake,  pasi këto do kthehen si bumerang.

“Bota sot”: A keni biseduar me krerët e shtetit serb për këtë çështje?

Shqiprim Arifi: Rreth kësaj çështje as që kemi pasur ndonjë lloj kontakti me krerët e shtetit serb, as që duam të kemi ndonjë diskutim rreth qëndrimeve tona në lidhje me kërkesën legjitime tonën, pasi dihen qëndrimet tona dhe nuk janë të diskutueshëm.

“Bota sot”: Cilat janë problemet që vazhdojnë të ballafaqohen qytetarët e Preshevës?

Shqiprim Arifi: Në republikën e Serbisë jetojnë diku 16 etnitete gjithsejtë, mirëpo etnitetet më të diskriminuar janë dhe kanë qenë shqiptaret me disa ndryshime jo të theksuara, varësisht prej pushteteve që kanë qenë. Diskriminimi ekziston për fat të keq ende në këto  troje duke filluar prej përdorimit të simboleve kombëtare,  mungesave teksteve shkollore në gjuhën shqipe, - punësimi në institucione shtetërorë (Ministria, Telekomi, Posta, Banka, Shërbimet  Katastrale, Dogana, Policia,  etj),  50% papunësi,  mungesa e Gjykatës themelore dhe Prokurorisë,  Kufiri ende i mbyllur mes Komunës së Preshevës dhe asaj të Likovës në Maqedoni, - Mungesa e quotes për Deputetet në Parlamentin e Serbisë (ku në të kundërtën serbët e Kosovës 10 vende i kanë të garantuar), mungesa e nostrifikimit të Diplomave të studenteve të cilët kanë përfunduar Studimet Universitare në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat