Shala: Të jemi kategorikë në largimin e Serbisë nga veriu - Bota Sot
Shala: Të jemi kategorikë në largimin e Serbisë nga veriu

Bota e Yjeve

E mërkurë, 27 korrik 2016

Shala: Të jemi kategorikë në largimin e Serbisë nga veriu

Më: 4 shtator 2012 Në ora: 15:55

“Bisedimet eventuale me Serbinë, nuk do të sjellin më shumë se sa që është e paraparë më Kushtetutën dhe me dokumentin e Presidentit Ahtisari”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Blerim Shala, nënkryetar i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Shala, është paralajmëruar një dialog politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. A mendoni se Kosova është e gatshme të hyjë në ketë dialog?

BLERIM SHALA
Mund të them që Kosova dhe Serbia duhet përfundimisht t’i normalizojnë marrëdhëniet. Ky normalizim, për bindjen tonë, nënkupton njohjen reciproke midis shteteve të Kosovës dhe Serbisë dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Në pyetjen tuaj, mund të them se në bazë të të gjitha informacioneve që i kemi, jemi larg të organizuarit si politikë kosovare; akoma nuk e kemi instaluar as debatin e mirëfilltë se për çfarë arsye ne duhet të bisedojmë me Beogradin, gjithnjë po them në bazë të konceptit të normalizimit të marrëdhënieve në mes të dy shteteve, e të mos flas edhe për mekanizmat e tjerë përcjellës.

Një gjë është fare e qarë për të gjithë ne që jemi në politikë, por edhe për të gjithë qytetarët e Kosovës, se kushdo qoftë që do të bisedojë me Beogradin, e ka detyrim e obligim ta respektojë Kushtetutën, ta respektojë konceptin të prezantuar nga Presidenti Ahtisari.

Prandaj, bisedimet eventuale nuk do të sjellin më shumë se sa që është e paraparë me Kushtetutën dhe me dokumentin e presidentit Ahtisari. Këtë e kemi detyrim si politikanë të Kosovës, ketë e kemi obligim edhe si qytetarë të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Është kërkuar një konsensus i brendshëm politik mes partive politike para se të nisë ky dialog. A konsideroni se mund të arrihet ai?

BLERIM SHALA
Aktualisht nuk mund të them a mund të arrihet sepse, ka dilema të shumta, por gjithsesi mund të them në mënyrë të prerë, se domosdoshmërish duhet të arrihet. Për arsye se siç e dini edhe ju, edhe në procesin e Rambujesë dhe në atë të Vjenës, së pari kur Kosova është liruar, së dyti kur është bërë shtet i pavarur, pajtimi – konsensusi kombëtar ka qenë parakusht që ne të bisedojmë me Beogradin.

Prandaj nuk e vë fare në dilemë se çka duhet të bëjmë nëse dëshirojmë me të vërtetë ta mbrojmë rendin kushtetues të Kosovës, t’i mbrojmë të arriturat e Ahtisarit dhe të sigurojmë tërësinë e territorit të Kosovës dhe gjithsesi edhe funksionalitetin e shtetin e Kosovës në gjithë territorin e Kosovës.

Ne kemi thënë si Aleancë edhe para bisedimeve të Brukselit, se një pajtim i tillë është i domosdoshëm, e lëre më për temat që janë gjithsesi të ndjeshme. Pra, qëndrimi kategorik i Aleancës është se nuk mund të ketë bisedime të tilla, pa arritur një pajtim të brendshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë këtyre bisedimeve, thuhet se do të bisedohet edhe për veriun. Çka mund të bisedohet saktësisht, kur ka një plan që njihet si Plani Ahtisaari?

BLERIM SHALA
Tema e veriut në këtë kontekst për të cilin ju po flisni, ka të bëjë me praninë e shtetit të Serbisë në veriun e Kosovës. Nëse deri në vitin e kaluar ka pasë dilema edhe të faktorit ndërkombëtar, se çfarë në të vërtetë është duke ndodhur në veri, mendoj se zhvillimet që u bënë në Kosovë pas 25 korrikut qartësuan krejtësisht që Serbia kontrollon veriun, e jo strukturat paralele, jo kryetarë të komunave atje.

Të gjitha ata, faktikisht janë të përkrahur në mënyrë të plotë nga shteti apo Qeveria e Serbisë.

Prandaj, bisedimet për normalizimin e raporteve midis shtetit të Kosovës dhe Serbisë normalisht mund të nënkuptojë edhe krijimin e rrethanave kur shteti i Serbisë do të largohet nga veriu, sepse nuk ka çfarë të kërkojë brenda territorit të një shteti fqinj, struktura e shtetit të Serbisë. Nga ana tjetër, ne na duhet edhe një konsensus midis faktorit kosovar dhe atij ndërkombëtar, për trajtimin e këtyre temave të ndjeshme.

Megjithatë, pas ngjarjeve të vitit të kaluar, siç e dini, ekziston një qëndrim goxha kategorik në Uashington, Bruksel, Berlin, që Serbia duhet të largohet nga veriu. Madje ky do të jetë njeri prej kushteve kyçe që Serbia ta marrë datën për fillimin e bisedimeve për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Pra, do të ekzistojë një presion i jashtëzakonshëm mbi Serbinë, dhe ne s’kemi çfarë të hamendemi që të jemi kategorikë kur të nisin këto bisedime, që kusht për gjithçka, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë - Serbi, është që Serbia të largohet nga veriu dhe që edhe atje të aplikohet propozimi i presidenti Ahtisari apo Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Po nuk është vetëm kjo temë që ka të bëjë me normalizimin e raporteve Kosovë edhe Serbi, kjo është tema kryesore për bindjen tonë, po ka edhe një mori temash tjera, midis tjerash, edhe puna e të zhdukurve. Duke përfunduar edhe me atë temën gjithsesi shumë të rëndësishme të demarkacionit apo shënimit të kufirit Kosovë - Serbi. Siç e dini, edhe ky është njëri prej problemeve që na ka përcjellë veçmas prej viti 2008 e këndej.

RADIO EVROPA E LIRË
Një nga çështjet që është duke u përfolur shumë këto ditë është edhe ajo e përfshirjes së AAK-së në koalicionin qeverisës. A ka diçka konkrete në këtë drejtim?

BLERIM SHALA
Jo, nuk ka asgjë konkrete. Tema e dialogut Prishtinë - Beograd dhe normalizimit të raporteve Kosovë - Serbi, për bindjen tonë është temë shtetërore, nuk e kushtëzojmë askë për t’u preokupuar për këtë temë, nuk është temë e cila duhet t’i paraprijë çfarëdo marrëveshjeje eventuale për një qeveri të re. Ne si Aleancë e kemi thënë fare të qartë që nuk e marrim përgjegjësinë.

Ne mendojmë që koha nuk po punon për Kosovën, që janë grumbulluar një mori problemesh, dhe nëse krijohen rrethanat, dhe ne shpresojmë që kjo do të ndodhë brenda pak javësh, kur Ramush Haradinaj do të shpallet sërish i pafajshëm dhe do të kthehet në Prishtinë dhe do të udhëheqë Aleancën.

Në ato rrethana ne mendojmë që objektivisht kemi një politikan të kalibrit të parë, të një aftësie të jashtëzakonshme, çfarë është Ramush Haradinaj, dhe ne mendojmë që si Aleancë nuk kemi të drejtë t’u ikim përgjegjesive që kanë të bëjnë me interesin shtetëror. E interes shtetëror është që të ketë qeveri shumë të mirë, e cila do t’ia japë të mbarën vendit.

RADIO EVROPA E LIRË
Me çfarë kushte AAK-ja do të pranonte të jetë pjesë e koalicionit me PDK-në?

BLERIM SHALA
Nuk bëjmë listë të kushteve, por listë të problemeve, detyrave, obligimeve e përgjegjësive që na takojnë si Aleancë. Mendoj që në këtë aspekt, përvoja e vitit 2005 na jep të drejtë, por edhe potenciali i Ramush Haradinajt na jep të drejtë, të themi publikisht që bindja jonë është që Ramush Haradinaj mund të jetë një kryeministër shumë i mirë, i shkëlqyeshëm i Qeverisë së Kosovës, dhe do të ishte në gjendje ta organizojë Qeverinë e Kosovës, për t’u përballur me sfidat e shumta që e presin vendin.
RADIO EVROPA E LIRË
Dhe për fund, si e shikoni Kosovën pas fundit të mbikëqyrjes së pavarësisë?

BLERIM SHALA
Është një kaptinë që duhet të kalohet. Mendoj që është një proces që është dashur të ndodhë, kemi bërë mirë që kemi hy në të, por i kemi edhe disa tema të cilat do të mbesin valide edhe pas 10 shtatorit, që kanë të bëjnë me raportin midis Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar. Segmentin e sigurisë së përgjithshme, siç e dini, e mban KFOR-i. Mirë është që e mban KFOR-i. Jemi të gatshëm të vazhdojmë një partneritet me KFOR-in, sepse ka një rol të dorës së parë. Segmentin e sigurisë së veçantë në lëminë e sundimit të ligjit e mban EULEX-i.

Ju e dini që do të ketë një votim në Kuvendin e Kosovës për ta ratifikuar marrëveshjen Prishtinë - Bruksel. Segmentin e stabilitetit financiar e mban euroja si valutë, dhe mirë që e kemi euron, dhe normalisht i kemi raportet me FMN-në dhe Bankën Botërore. Po shihet pra që raportet Kosovë - Perëndim do të vazhdojnë të jenë tepër të rëndësishme për stabilitetin e shtetit të Kosovës. Prania e KFOR-it në Kosovë, tash e tutje, pos tjerash, do të duhej të shfrytëzohej që FSK-ja të transferohet në ushtri të Kosovës, dhe që Kosova, sa më parë që është e mundur, të hyjë në Paktin NATO.

Prania e EULEX-it në Kosovë, në segmentin e sundimit të ligjit, për bindjen tonë, do të duhej të shfrytëzohet që Kosova të kualifikohet me cilësinë e vet, që sa më parë që është e mundur të hyjë në Bashkimin Evropian. Ndërsa prania e euros do të duhej të shfrytëzohet prej nesh që të ketë një stabilitet afatgjatë mikrofinanciar. Pra, kemi të bëjmë me një partneritet i cili duhet të ruhet, por gjithsesi, kjo datë, kjo ngjarje, ka relevancë, sepse tregon që ne i kemi përmbushur detyrimet që kanë dalë nga Pako e Ahtisaarit.

Komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Çfarë tenton të arrijë Thaçi me përuljen që bëri para lapidarit të serbëve në Grackë të Lipjanit?

    Kërkon të “blejë" paqe me Serbinë

    Të heqë akuzat që janë përfolur ndaj tij

    Të mohoj gjenocidin serbë në Kosovë

    Të duket i mirë para ndërkombëtarëve

    Shiko rezultatet
test