Vetëm Vetëvendosje mund ti burgosë të gjithë kriminelët e vendit

Bota e Yjeve

Vetëm Vetëvendosje mund ti burgosë të gjithë kriminelët e vendit

Nga: Intervistoi: Gazmend Islami Më: 16 maj 2013 Në ora: 18:38

Situata në Kosovë duhet të ndryshojë, por për ta ndryshuar atë duhet të ndëshkohen të gjithë ata, që vendin se sollën në këtë gjendje të paperspektivë, të mbytur nga krimi i organizuar, dhe në varfëri të patejkalueshme, ka vlerësuar në intervistën për gazetën tonë, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Hoti. Për mënyrën se si do të ndryshonte kjo situatë me Vetëvendosjen, për partnerët e mundshëm të koalicionit me këtë parti mund të mësoni në intervistën në vazhdim.

Z. Hoti Ju keni një karrierë politike të largët në ilegalitet, duke pasur parasysh aktivitetet e familjes suaj në shërbim të atdheut. Çka ju shtyri të jeni pjesë e politikës dhe e VV tash kur po thuhet se Kosova është shtet demokratik?

Afrim Hoti: Unë dhe familja ime kemi milituar herët në organizatat politiko-ushtarake në luftën për çlirim dhe bashkim kombëtar, nuk mund të mos e përmendi Bacën Ukë, i cili i la privilegjet dhe ngriti zërin për Republikën e Kosovës qysh nga vitet e ’80-ta. Unë me anën e politikës kam dashur të mbrojë atdheun dhe popullin shqiptar dhe ti shërbej kombit. Prandaj mbasi ende e shoh veten që mund të ndihmoj, merrem edhe me politikë, pasioni im për ti shërbyer atdheut është gjithmonë shumë i fortë. Sa për bashkimin tim me Lëvizjen Vetëvendosje është koncepti i saj politik dhe parimi i saj që ishte parim i imi, krijimin e një shteti demokratik dhe bashkimin kombëtar. Ishte e vetmja shpresë, e cila përafronte me ato që isha brumosur herët. Arsye tjetër është se kemi një gjysmë shtet të kapur nga krimi i organizuar i prirë nga Hashim Thaçi dhe klika e tij, prandaj për të luftuar krimin duhet luftuar edhe ata që janë prijësit e tij, mendoj se vetëm me VV mund të arrijmë qëllimin e ndërtimit të shtetit demokratik, dhe burgosjen e të gjithë atyre që janë marrë me krime ndaj vendit.

E keni fjalën edhe për Kryeministrin?

Hoti: Cili do qoftë, Hashim Thaçi apo të tjerët që kanë udhëhequr dhe që kanë rënë ndesh me ligjin, vendi i tyre është burgu, ata do të përgjigjen para drejtësisë, para popullit dhe para Zotit.

Ju jeni vëllai i të madhit Ukshin Hotit, sa shkon koncepti i VV me konceptin e Bacës?

Hoti: Po së pari them se koncepti i Ukshinit ishte që të punohet deri në realizimin e aspiratave të popullit shqiptar, çlirimin dhe bashkimin e kombit. Ukshini nuk ishte vetëm vëllai im, ai ishte i tërë Kombit, ai gjatë gjithë jetës pat pengesa nga pushteti, por edhe ishte në shënjestër të atyre që nuk e donin atdheun dhe çlirimin, kjo shihet gjatë gjithë jetës së tij.
Unë them se të gjithë ata që kanë konceptin e Vetëvendosjes së popullit, kanë trashëguar rrugën e idesë së Bacit.

Tash jeni në një subjekt politik i cili thirret në bashkim kombëtar. Por për ta realizuar atë qëllim a do të kishit pranuar të hyni në koalicion me ndonjë parti për ta rrëzuar Thaçin nga pushteti?

Hoti: Nuk mund të jap sqarime për secilin subjekt politik veç e veç, por mund të them lirisht se subjektet, të cilat pajtohen me konceptin e LVV-së për të realizuar ndërtimin e një shteti funksional do të mund të bisedohej për koalicion të mundshëm, por ne synojmë dhe jam i bindur që në zgjedhjet e ardhshme LVV të fitoj zgjedhjet, sepse është i vetmi subjekt që i mbeti besnik parimit të saj, që të jetë me popullin dhe për popullin

Me cilën parti politike VV do të hynte në koalicion, dhe me cilën në asnjë mënyrë?

Hoti: Po citoj kryetarin Kurti, i cili ka theksuar disa herë se nuk do të hyjmë në koalicion me asnjërën parti, e cila ka qeverisur me vendin dhe ka punuar kundër interesave të popullit. Këtu hyn nënshkrimi i aktit të tradhtisë, Marrëveshjes që Kryeministri e bëri me Serbinë, vinë shitja e Postës Telekomit, të KEK-ut dhe të gjitha ndërmarrjeve, që u shitën për hesape të veta. Pra, me këto parti, as që mund të mendohet një bashkëpunim.

Po me LDK-në apo AAK-në?

Hoti: Mendoj se me ato parti që janë më pozitë se pozita nuk kemi çka diskutohet, siç është AAK-ja. Unë them se është mirë të presim zgjedhjet, atëherë vendosin anëtarët a ka mundësi bashkëpunimi me ndonjë subjekt politik, sepse demokracia e brendshme e bënë LVV më ndryshe se të tjerat parti, pra për çdo lëvizje politike vendosin anëtarët.

Si erdhi puna që ish shokët e juaj të luftës, të jenë sot “kundërshtarët” më të mëdhenj të subjektit politik ku jeni ju?

Hoti: Lufta nuk zgjedh koncept të qëlluar. Unë shoh se rruga ime nuk ka devijuar, problemi qëndron te devijimi i tyre, të cilët kanë ndërtuar një shtet të dështuar, i cili vuan nga korrupsioni,
vjedhjet, privatizimet pa asnjë kriter. Këta shkelin çdo parim të njerëzores. Me të drejt thotë një filozof, miqtë nuk njihen në luftë, por në paqe, kur janë në pushtet.

A mendoni se do të ketë ndarje të PDK-së?

Hoti: Duke pasur parasysh që ka degraduar e gjitha, do të ketë ndarje të PDK-së.

A mund të përafroheni me Jakup Krasniqin dhe grupin e tij, për të qenë pjesë e subjektit që i takoni?

Hoti: Po qëndrimi i tij parimor, mund të ishte pikënisje e një bashkëpunimi, ai është i dëshmuar kombëtarisht dhe është më opozitë se opozita, që luan rolin e pozitës, me përjashtim të LVV, e cila e ka luajtur rolin kryesor në kundërshtimin e fuqishëm të të këqijave që ka bërë pushteti.

Po duket se Kosova po shkon drejt rrugës së Bosnjës a mund të ndodhin trazira sipas jush?

Hoti: Po mund të ndodhin trazira, sepse politika aktuale e çon drejt trazirave popullin. Populli është duke vuajtur dhe jeton në skamje të mjerueshme ku pushtetarët kanë pasuri të patundshme.

Flm për kohën dhe intervistën

Ju flm edhe juve dhe suksese.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat