55% e pacientëve me diabet vdesin nga sëmundjet kardiovaskulare

Këshilla mjekësore

55% e pacientëve me diabet vdesin nga sëmundjet kardiovaskulare

Më: 29 janar 2017 Në ora: 11:13
Ilustrim

Diabeti dhe sëmundjet kardiake janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Vetë diabeti është faktor rreziku për sëmundjet kardiake, ndërkohë që shumë njerëz me diabet kanë faktorë rreziku për zhvillimin e sëmundjeve kardiake. Pacientët me diabet kanë 2 herë më shumë probabilitet se individët e tjerë për të vuajtur nga ataku kardiak.

Sëmundjet  kardiake në pacientët me diabet ndodhin në një moshë më të hershme dhe shpesh shkaktojnë edhe vdekje të papritur. Fakti është që afro mbi 55% e pacientëve me diabet vdesin nga sëmundjet kardiovaskulare. Në pacientët me diabet grumbullimi i një sasie të madhe të glukozës në gjak ka një efekt shkatërrues në enët e gjakut dhe në fijet nervore. Edhe pasi kontrollohet niveli sheqerit në gjak tek diabetiket përsëri një numër faktorësh rreziku të pranishëm mund të shkaktojë sëmundje kardiovaskulare.

Prania e hipertensionit arterial lidhet me rezistencën insulinike dhe kontrolli i vlerave të presionit arterial ul rrezikun për sëmundje kardiovaskulare. Afro 60% e të rriturve me diabet kanë hipertension. Presioni arterial në pacientët diabetike duhet mbajtur nën 130-90 mmhg.

Obeziteti rrit rrezikun për hipertension arterial, rezistencën insulinike dhe inflamacion në të gjithë trupin. Në obezitet yndyrnat abdominale japin rritje në organizëm të kolesterolit të keq.

Hiperkolesterolemia dhe herediteti  familjar janë të tjerë faktorë risku. Afro çdo diabetik ka një ose më shumë problem me yndyrnat. Nivelet e duhura të HDL kol duhet mbi 40, LDL kol nën 100, Tg nën 150.

Sëmundjet kardiake më të shpeshta tek diabetikët janë sëmundjet e arterieve koronare dhe insufiçenca kardiake.

Sëmundja e arterieve koronare vjen nga trashja e enëve të gjakut që rezulton nga akumulimi i pllakave aterosklerotike në murin e enëve, bllokimi i arterieve koronare çon në ndërprerje të furnizimit me gjak dhe atak kardiak. Dhimbja e gjoksit dhe diskomforti gjoksor janë shenjat më të shpeshta. Duke qenë se pacientët diabetik kanë prekje të fijeve nervore simptomat mund të jenë të pakta ose mungojnë. Ataku kardiak quhet edhe vrasës i heshtur.

Insufiçenca kardiake tek pacientët diabetik është 2-3 herë më e shpeshtë, është një sëmundje kronike që zhvillohet në kohë  dhe ka përkeqësim të simptomave gjatë viteve.

Simptomat më të shpeshta janë:

mbajtja e frymës dhe fryrja e këmbëve.

Në parandalimin ose vonim e sëmundjeve kardiake tek diabetiket luajnë rol dieta e varfër në yndyrna shtazore dhe kriprave, kontrolli i rregullt i glicemive, kontroll dhe mjekimi për problemet kardiake, kontroll i vlerave të presioni arterial dhe i peshës trupore, aktiviteti i rregullt fizik, lënia e duhanit dhe abuzimit me alkoolin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat