Vlerësohet kontributi i NATO-së në Kosovë

Kosova

Vlerësohet kontributi i NATO-së në Kosovë

Më: 3 tetor 2012 Në ora: 15:59

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim një delegacion të Komisionit të Dimensionit Civil të Sigurisë, të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, të udhëhequr nga kryesuesi i këtij Komisioni, Lord Jopling. Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka shënuar përparim të madh në të gjitha fushat dhe pas përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur Kosova i ka marrë të gjitha përgjegjësitë e saj, duke garantuar të drejtat e barabarta për të gjitha komunitetet që jetojnë në vend.

Presidentja Jahjaga tha se ky është një sukses i përbashkët i institucioneve, qytetarëve të Kosovës dhe i bashkësisë ndërkombëtare.

Presidentja tha se NATO ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në Kosovë dhe gëzon respektin dhe nderimin e të gjithë qytetarëve si institucioni më i besueshëm.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga tha se Kosova është dëshmuar si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe si promovuese e fqinjësisë së mirë, duke qenë e hapur për bashkëpunim me të gjitha shtetet e rajonit.

Presidentja Jahjaga e falënderoi NATO-n për ndihmën që i ka dhënë dhe po i jep FSK-së, në arritjen e Kapaciteteve të Plota Operacionale duke e bërë një institucion shumë të rëndësishëm në shërbim të vendit.

Lord Jopling, në emër të delegacionit të Asamblesë Parlamentare, falënderoi Presidenten Jahjaga për takimin. Ai tha se aspiratat për integrim evropian dhe euroatlantik për të gjitha shtetet e Ballkanik janë të ndërlidhura.

Ai theksoi rëndësinë e pajtimit dhe besimit ndërmjet të gjithë njerëzve në Kosovë, dhe vlerësoi të arriturat në vend në rrugën e integrimeve euroatlantike, si dhe u interesua për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian si rrugë të normalizimit.

Edhe Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, sot ka pritur në takim një delegacion të Asamblesë Parlamentare të NATO-së, të kryesuar nga Lordi Tomas Michael Jopling. Me këtë rast, Zëvendëskryeministri Kuçi ka vlerësuar kontributin e rëndësishëm që po e jep NATO përmes KFOR-it në Kosovë, për të pasur një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët dhe kontributin në avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës ( FSK), në arritjen e kapaciteteve të plota operacionale.

Zëvendëskryeministri e ka njoftuar delegacionin e NATO-së me zhvillimet e përgjithshme në Kosovë dhe angazhimet e Qeverisë në përmbushjen e prioriteteve të saja, ku sipas tij janë: integrimet euro-atlantike, sundimi i rendit dhe ligjit, zhvillimi ekonomik, integrimi i plotë i veriut të Kosovës etj.

Po ashtu, Zëvendëskryeministri Kuçi e ka njoftuar delegacionin e NATO-së për punët që janë duke i bërë institucionet e Kosovës në avancimin e lirive dhe të drejtave të minoritetet që jetojnë në Kosovë.

Në anën tjetër, ka kërkuar që NATO të mbështes Kosovën për tu bërë pjesë e Procesit të Partneritetit për Paqe (PfP), si hapë i rëndësishëm në rrugën drejtë anëtarësimit në këtë organizatë dhe përfshirjen e FSK-së në programe dhe iniciativa rajonale që i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit.

Ndërsa, përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të NATO-së, kanë vlerësuar progresin e bërë në Kosovë dhe kanë inkurajuar që të gjitha çështjet e hapura të zgjidhen me dialog.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat