Qeveria rrit pensionet për të gjitha kategoritë

Kosova

Qeveria rrit pensionet për të gjitha kategoritë

Më: 4 tetor 2012 Në ora: 16:38

Nën drejtimin e Kryeministrit Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e vet të rregullt, në të cilën ka miratuar projektligje, rregullore dhe vendime nga fushat e veta të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi ka prezantuar para kabinetit qeveritar vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për rritjen e pensioneve për të gjitha kategoritë e pensionistëve në Republikën e Kosovës.

Kryeministri ka theksuar se ky është vazhdim i angazhimeve të kabinetit qeveritar për të përmirësuar pozitën sociale dhe materiale të të gjitha kategorive përfituese nga buxheti i Kosovës, duke përkujtuar rritjen e pagave të arsimtarëve, shërbyesve civil, punëtorëve shëndetësorë, pjesëtarëve të policisë dhe të punësuarve tjerë që përfitojnë paga nga buxheti i Kosovës.

“Me këtë vendim kemi përmirësuar standardin jetësor për të gjithë këta të punësuar që paguhen nga buxheti i shtetit, dhe njëkohësisht bëmë hap të madh që pagat e tyre të jenë të dinjitetshme, dhe tani kemi arritur nivelin e mesatares së pagave të vendeve në rajon” ka thënë kryeministri Hashim Thaçi dhe ka vazhduar se “e gjithë kjo do të ishte e pamjaftueshme sikur sot të mos merrnim edhe vendimin për rritjen e pensioneve”.

Sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për pensionistët kontribut pagues pensioni rritet për 40 për qind. 26.45 për qind e rritjes do t’iu paguhet nga janari 2012 ndërsa pjesa tjetër nga janari 2013.

Pensionet bazë, do të rriten në vlerë prej 33.3 për qind. 11.1 për qind e rritjes do t’u paguhet shfrytëzuesve që nga 1 janari 2012, kurse lartësia tjetër e rritjes do t’iu paguhet që nga janari 2013.

Edhe pensionet e aftësisë së kufizuar do të rriten në lartësi prej 33.3 për qind. 11.1 për qind e kësaj rritje do t’u paguhet shfrytëzuesve që nga 1 janari 2012, kurse lartësia tjetër e rritjes do t’iu paguhet që nga janari 2013.

Nga kjo rritje e pensioneve do të përfitojnë 164 mijë e 200 pensionistë. 112 mijë përfitues të pensioneve bazë, 35 mijë pensione kontributdhënëse dhe 17 mijë 200 përfitues të pensioneve për aftësi të kufizuar.

“Kjo rritje e pensioneve është ndërmarrë gjatë përgatitjes së procesit buxhetor, si dhe pas analizave të detajuara me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, dhe duke mos rrezikuar fare qëndrueshmërinë buxhetore dhe stabilitetin financiar të vendit” ka thënë kryeministri Thaçi.

Kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur mirënjohjen dhe falënderimin për kontributin e madh që e kanë dhënë gjeneratat e pensionistëve gjatë dekadave të tëra për zhvillimin e vendit, në të gjitha etapat e tij.

Në mbledhje kabineti qeveritar ka aprovuar edhe Projektligjin për Agjencinë e Regjistrimit Civil dhe Projektligjin për Zonat Ekonomike.

Duke vazhduar punën për kompletimin akteve nënligjore për zbatimin e Ligjit për Shërbimin Civil, Qeveria ka miratuar sot Rregulloren për Punën Vullnetare të Nëpunësve Civil pas Pensionimit dhe Rregulloren për Avancim në Karrierë të Nëpunësve Civil.

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe Rregulloren për Përcaktimin e Kualifikimeve të Veçanta, Shpërblimin dhe Kompensimin dhe për Procedurat e Licencimit të Administratorëve Falimentues.

Në mbledhje është aprovuar edhe Strategjia kundër Falsifikimit dhe Piraterisë si dhe vendimin për emërimin e Komisionit për Ndihmë Shtetërore.

Me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, Qeveria ka aprovuar vendimin për ndarjen e 200.000 euro për trajtimet mjekësore jashtë institucioneve publike shëndetësore.

Është miratuar edhe Rregullorja për Komisionin Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorëve të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit apo të internuarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat