Hoxhaj falënderon USAID-in për përkrahjen e dhënë për Kosovën

Kosova

Hoxhaj falënderon USAID-in për përkrahjen e dhënë për Kosovën

Më: 7 tetor 2012 Në ora: 18:52

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, është takuar me Asistent Administratoren e Zyrës për Evropë dhe Evroazi të Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara (USAID), Paige Alexander.
Gjatë takimit, Ministri Hoxhaj ka falënderuar znj. Alexander për ndihmën dhe kontributin e jashtëzakonshëm që SHBA-të kanë dhënë për popullin e Kosovës, përmes USAID-it.

Hoxhaj përmendi ndihmën e madhe që USAID-i ka dhënë për Kosovën që nga fillimi i asistencës për Kosovën deri te shpallja e pavarësisë dhe proceset e krijimit dhe fuqizimit të shtetit, në të gjitha aspektet.

Ai veçoi ndihmën që ka dhënë USAID-i me programet e fuqizimit të sektorëve civil dhe ekonomik, ndërtimit dhe forcimit të institucioneve demokratike ekzekutive, legjislative e gjyqësore të Kosovës.

Hoxhaj falënderoi Znj. Alexander edhe për gatishmërinë e USAID-it që të mbështesë Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës në disa iniciativa që kanë të bëjnë me forcimin e diplomacisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Në anën tjetër, Asistent Administratorja e Zyrës për Evropë dhe Evroazi, të Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara (USAID), Paige Alexander, ka vlerësuar progresin që po arrihet në Kosovë në shumë drejtime, duke premtuar mbështetjen e mëtutjeshme të USAID-it për fuqizimin e institucioneve dhe shoqërisë civile në shtetin e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat