Thaçi: Ideja për emërtimin e UP-së me emrin e Hasan Prishtinës është e imja

Kosova

Thaçi: Ideja për emërtimin e UP-së me emrin e Hasan Prishtinës është e imja

Më: 17 tetor 2012 Në ora: 17:09

Nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, në të cilën ka miratuar tri projektligje, një koncept dokument për hartimin e projektligjit, një udhëzim administrativ dhe disa vendime tjera nga fushat e saja të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Siç thuhet në komunikat,Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka propozuar që qeveria të miratoi vendimin për emërtimin e Universitetit të Prishtinës me emrin e patriotit dhe ideologut të shtetit shqiptarë, Hasan Prishtina. Emri Hasan Prishtina për Universitetin e Prishtinës t’i bëjë nder këtij institucioni, ka vlerësuar kryeministri Hashim Thaçi dhe ka pohuar se kjo ka qenë ide e tij e kamotshme, ndërsa periudha e shënimit të 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit të parë shqiptarë i jep rëndësi dhe kuptim këtij emërtimi.
Kryeministri Thaçi në vazhdim ka propozuar që edhe Biblioteka Kombëtare Universitare e Kosovës të emërohet me emrin e Pjetër Bogdanit, ndërsa Instituti i Historisë së Kosovës me emrin e Ali Hadrit, të dyja këto personalitete të mëdha të kulturës shqiptare.

Qeveria ka miratuar vendimin për këto tri propozime të emërtimit të institucioneve kulturore, shkencore dhe arsimore të Kosovës.
Është aprovuar edhe Projektligji për Ansamblin e Këngëve dhe Valleve “Shota” dhe për asambletë tjera. Me këtë Projektligj rregullohet funksionimi i veprimtarisë së Ansamblit Kombëtarë të Këngëve dhe Valleve “Shota” dhe të ansambleve tjera kulturore artistike. Në këtë projektligj rregullohet përkufizimi, llojet, themelimi, veprimtaria, organizimi, financimi, pozita e artistëve dhe çështjet tjera të kësaj fushe.
Projektligji për mallrat e liruara nga tatimi doganorë dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganorë, i cili është miratuar nga Qeveria, përcakton mallrat të cilat lirohen nga taksa doganore dhe të cilat mund të lëshohen në qarkullim me tarifë zero të taksës doganore për arsye të natyrës së këtyre mallrave dhe përdorimit të tyre të veçantë.
Projektligji për ratifikim të marrëveshjes financiare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë ka për qëllim të ratifikojë marrëveshjen kornizë në mes të dy vendeve, të nënshkruar në korrik të këtij viti. Sipas marrëveshjes do të zbatohen projekte zhvillimore dhe të bashkëpunimit financiar.
Udhëzimi administrativ për promovimin e efiçiencës së energjisë të përdoruesit fundorë dhe shërbimet energjetike, ka për qëllim të përmirësojë shfrytëzimin e energjisë me kosto efektive nga përdoruesi fundor. Kjo do të arrihet përmes ofrimit të caqeve të kursimit të energjisë dhe krijimit të kushteve për promovim të tregut për shërbime të energjisë.
Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe vendimin për shpalljen zonë ekonomike të Parkut të Biznesit në Mitrovicë. Lokacioni i këtij parku gjendet në zonën kadastrale të Mitrovicës, në sipërfaqe prej 3,50 ha, dhe është pronë e komunës së Mitrovicës. Veprimtaria kryesore e Parkut të Biznesit në Mitrovicë është prodhuese, përpunuese dhe shërbyese.
Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar Koncept Dokumentin për hartimin e Projektligjit për Tarifat e Veçanta të Akcizës për Prodhimin Fillestarë dhe Prodhimin e vogël të Produkteve Alkoolike të Prodhuara në Kosovë.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka njohur kabinetin qeveritar me nënshkrimin e marrëveshjes me konzorciumin “Çalik & Limak” për privatizimin e distribucionit të KEK-ut e cila ka marr mbështetjen e Qeverisë së Kosovës.BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat