Fillon zbatimi i marrëveshjes së IBM-së

Kosova

Fillon zbatimi i marrëveshjes së IBM-së

Më: 10 dhjetor 2012 Në ora: 09:42

(I plotësuar) Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dhe ata të Doganës, kanë bërë të ditur se në vendkalimin kufitar në Merdare dhe Jarinë ka nisur zbatimi i marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, që ndryshe njihet edhe si IBM.

Sipas tyre, autoritetet doganore nga Republika e Kosovës dhe ajo e Serbisë që nga dje kanë qenë të pranishëm në vendet e tyre të reja të punës në Merdare.

Udhëheqësi i ekipeve teknike për Menaxhimin e Integruar të Kufijve, Fisnik Rexhepi, tha se marrëveshja për IBM-në tashmë ka nisur së zbatuari në të gjitha vendkalimet kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë.

“Sot në orën 8 ka nisur zbatimi i marrëveshjes së menaxhimit të integruar të kufirit. Në orën tetë është hapur edhe zyrtarisht pika kufitar në Jarinë. Sa i takon pikës kufitar në Merdare që ka qenë përgjegjësi e institucioneve të Kosovës për të përgatitur infrastrukturën, gjitha përgatitjet janë bërë me kohë dhe tash kjo pikë është funksionale”, tha Rexhepi.

Ai ka thënë se në krahasim me përfundimin e punëve me kohë në vendkalimin kufitar në Merdare, punët në vendkalimin e Jarinës kanë pasur disa pengesa, deri sa ai vendkalim është bërë funksional.

​​“Në Jarinë ka pasur disa vështirësi teknike meqë pala serbe nuk ka arritur me kohe t’i kryejë të gjitha punimet sipas pajtueshmërisë të cilën e kemi pas më herët, duke u arsyetuar në protesta dhe kushte atmosferike të cilat kanë qenë më herët. Mirëpo, me rëndësi është që zbatimi i menaxhimit të integruar të kufirit ka filluar edhe në Jarinë”, tha Rexhepi.

Edhe shefi i degës Doganore në Merdare, Shkelzen Osmani tha për Radion Evropa e Lirë se marrëveshja për IBM-në tashmë ka nisur së zbatuari dhe nuk ka asnjë problem.

Sipas tij, doganierët serbë, që nga e diela, janë vendosur në objektet të cilat i kanë ndërtuar autoritetet kosovare.

“Gjithsesi, zbatimi i marrëveshjes së IBM-së ka nisur dhe punët në vendkalimin kufitar janë duke shkuar mirë. Deri më tash nuk ka automjete të renda, por ato të vogla janë duke qarkulluar”, tha Osmani.

Nga ana tjetër, shefi i ekipit negociator të Beogradit në dialogun teknik me Prishtinën, Dejan Paviçeviq, ka theksuar se procedura për vendkalim mbetet e njëjta, gjegjësisht, se aty mund të kalohet me letërnjoftim. (rel)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat