Përplasje pozitë-opozitë për platformën e Serbisë

Kosova

Përplasje pozitë-opozitë për platformën e Serbisë

Më: 20 dhjetor 2012 Në ora: 10:52

(I plotësuar) - Kuvendi ka miratuar me procedurë të përshpejtuar Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për gjykatat, ndërsa ka miratuar po ashtu edhe Ligjin për procedurën përmbarimore.
Po ashtu, ligjvënësit miratuan edhe rezolutën “Partneriteti për fuqizimin e gruas”, të propozuar nga Grupi i grave deputete, i cili do të procedohet në Kombet e Bashkuara.

Kuvendi miratoi raportin e punës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2011, i cili u vlerësua si shumë i vonuar. Deputetët gjatë debatit vënë në pah ngecje të ndryshme në sistemin e drejtësisë

* * * * *

Pika e rendit të ditës për deklarime të lira, është shndërruar në debat në Kuvendin e Kosovës lidhur me të ashtuquajturën platformë të Serbisë për zgjidhjen e çështjes së veriut të Kosovës, dhe për qëndrimin e Qeverisë së Kosovës karshi këtyre zhvillimeve. Nga ana tjetër, kryeministri Hashim Thaçi kërkoi nga ligjvënësit që mos të vihen në lajthitje nga idetë e Serbisë që nuk janë asnjë risi, por janë ide të vjetra karshi shqiptarëve që nuk do të zbatohet asnjëherë në Kosovë.

Deklaratat e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi për platformën antievropiane të Serbisë, u kritikuan nga deputeti i LDK-së, Skënder Hyseni. Ai tha se kryeministri nuk ka pse të flas në emër të Evropës, apo të brengoset nëse platforma serbe është antievropiane, por duhet të brengoset dhe të flas në emër të Kosovës. Hyseni theksoi se Prishtina duhet të bëjë më shumë presion, e jo të zhvillojë politikë retroaktive.

“Derisa nga Beogradi ka presioni dhe BE-ja tërhiqet edhe nga qëndrimi i mbrojtjes së integritetit territorial të Kosovës nga Prishtina nuk ka presioni mbi Brukselin dhe rrjedhimisht të gjitha nismat që Beogradi i merr në Bruksel, e marrin dritën e gjelbër dhe shkojnë tutje”, tha ai.

Edhe deputetë të tjerë opozitarë kanë ngritur shqetësimin për këtë platformë të Serbisë, ndërsa kryeministri Hashim Thaçi i është përgjigjur shkurt këtij shqetësimi.

“Në asnjë rrethanë, me asnjë çmim nuk do të ketë as autonomi, as ndarje, por ky projekt do të mbetet në sirtarët e Beogradit, apo në dëshirat e paplotësuara të tyre në raport me Kosovën”, tha Thaçi.

Kreu i Qeverisë, kërkoi nga ligjvënësit që mos të vihet në lajthitje nga politika e Beogradit.

“Idetë e vjetra të tyre, asnjërin nga ne nuk duhet të na qesin në lajthitje. Dikush mund të thotë se Beogradi po lëvizë më shpejtë, por unë ju sigurojë se ata po lëvizin më shpejtë drejt mbrapshtisë së tyre të re”, tha Thaçi.

Ndërsa Sabri Hamiti, deputet i LDK-së, tha se për mënyrën si do të vazhdojë më tutje dialogu me Serbinë në Bruksel, i paraparë më 17 janar 2013, është përgjegjësi edhe e Kuvendit edhe e Qeverisë.

“Kjo është temë që është te dera, të cilën unë besoj se do ta marrë seriozisht Kosova, s’po them as Kuvendi, as Hashim Thaçi si kryeministër, as grupet parlamentare, as partitë politike”, tha Hamiti.

Ndërkaq Visar Ymeri, shef i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, tha se Qeveria e Kosovës po e ledhaton Serbinë.

“Sa më i mirë të jesh me Serbinë dhe sa më shumë që ta ledhatosh Serbinë, aq më e egër dhe më e keqe do të bëhet ajo ndaj nesh, kjo po dëshmohet edhe tash dhe këtë ledhatim po ia bëni edhe ju si Qeveri. Pra mos u mundoni tani ta shpërndani fajin në atë se meqenëse ju nuk po vini, ne po e bëjmë si po e bëjmë dhe po e bëjmë gabim”, tha Ymeri.

Ndërkohë, në seancë u ngrit edhe çështja e ikjes së ish kryetarit të Kaçanikut, Xhabir Zharkut nga vendimi i gjykatës për vuajtjen e dënimit. Deputetët e opozitës thanë se ky rast dëmton imazhin e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, ku jo vetëm qytetarët e thjeshtë, por edhe zyrtarët e lartë politikë përdhosin dispozitat ligjore të shtetit.

Kuvendi sot përmbyll sesionin vjeshtor

Me shqyrtimin e dy projektligjeve dhe të një raporti, Kuvendi i Republikës së Kosovës, sot përmbyll sesionin vjeshtor të punës së vet.

Në seancën e sotme, pas pikave të përhershme të seancave parlamentare: Koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, ligjvënësit do të shqyrtojnë për herë të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për gjykatat, kurse për herë të dytë do ta shqyrtojnë Projektligjin për procedurën përmbarimore.

Në të njëjtën seancë, do të shqyrtohet edhe Raporti i punës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2011.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat