Borhard përkrah rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së

Kosova

Borhard përkrah rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së

Më: 11 shkurt 2013 Në ora: 15:38

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim shefin e misionit të BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, zotëri Bernd Borchardt.

Presidentja Jahjaga i uroi suksese zotëri Borchardt në detyrën e re si shef i EULEX-it dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe bashkërendimit me institucionet e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit dhe të rendit.

Duke folur për ndërtimin e shtetit të së drejtës, Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka shënuar përparime në të gjitha fushat dhe është e përkushtuar për të vendosur rendin dhe ligjin në gjithë territorin e saj. Ajo tha se institucionet dhe gjithë shoqëria në Kosovë po dëshmojnë se janë të përkushtuar në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe për këtë duhet edhe një bashkëpunim i ngushtë me misionin e EULEX-it.

Ajo tha se Kosova po përmbush kriteret dhe standardet e nevojshme për liberalizimin e vizave për qytetarët e saj dhe për hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që qartëson edhe më shumë perspektivën e saj evropiane.
Presidentja Jahjaga vlerësoi punën e misionit të BE-së në fushën e sundimit të ligjit dhe ndihmën që ai po i jep institucioneve të vendit në fushën e drejtësisë dhe të policisë.

Shefi i EULEX-it, zotëri Bernd Borchardt theksoi se ka marrë detyrën e re i përkushtuar për të ndihmuar në përmbushjen e misionit, edhe pse ai tha se nuk i nënvlerëson sfidat para tij. Ai tha se EULEX-i ka një bashkëpunim shumë të mirë me institucionet e Kosovës, dhe popullin e Kosovës, duke shtuar se misioni do të vazhdojë të arrijë rezultate.

Zotëri Borchardt tha se EULEX-i do të vazhdojë të përkrahë rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së, dhe se mirëpret që bashkërisht të avancohet sundimi i ligjit në tërë Kosovën, përfshirë këtu edhe me Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit, i krijuar dhe që udhëhiqet nga Presidentja Jahjaga, thuhet në njoftim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat