Tetë studentë dhe një profesor përfaqësojnë Kosovën në SHBA

Kosova

Tetë studentë dhe një profesor përfaqësojnë Kosovën në SHBA

Më: 12 shkurt 2013 Në ora: 18:36

Të martën në Këndin Amerikan në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare është organizuar përcjellja e tetë studentëve dhe një profesori të Universitetit të Prishtinës për në SHBA. Ky grup nga Kosova do të marrë pjesë në një konferencë studentore të quajtur Harvard National Model United Nations, ku studentë nga e gjithë bota (rreth 3000) simulojnë punën e organeve të Kombeve të Bashkuara në raste konkrete për të gjetur zgjidhje për çështje të ndryshme politike globale. Kjo konferencë do të mbahet në Boston, SHBA, prej 14 deri më 17 shkurt. Ambasada e SHBA-ve ka siguruar një pjesë të financimit për pjesëmarrjen e grupit nga Kosova në këtë konferencë. Gjatë takimit për rreth një orë studentët me profesorin e tyre Qerim Qerimin, dhe shefin e sektorit për marrëdhënie me publikun në ambasadën amerikane, Paul Engelstad kanë diskutuar për Konferencën, OKB-në, por edhe për raportet e hershme shqiptaro-amerikane, për rolin e besimeve atje, për rolin e Fan Nolit me Kishën Ortodokse dhe tema të tjera. BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat