Avokati Gashi dëshmon kundër ish-prokurorit Mustafi

Kosova

Avokati Gashi dëshmon kundër ish-prokurorit Mustafi

Më: 13 shkurt 2013 Në ora: 16:27

Në Gjykatën Themelore në Pejë ka vazhduar gjykimi ndaj ish-prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Nazmi Mustafi, vëllezërve Xhelal e Reshat Zherka, si dhe Mirela Ndocit.
Në shqyrtimin gjyqësor lidhur me këtë rast, të udhëhequr nga trupi gjykues në përbërje: Simmons Malcolm - kryetar, Elmaze Syka dhe Darius Seliski - anëtarë, të martën si dëshmitar u dëgjua avokati Tomë Gashi, i cili ishte ftuar nga prokurori i rastit.
Gashi nga dëshmitari bashkëpunues, Pashkë Mirashi, kishte një marrëveshje të shkruar, sipas të cilës ai do ta përfaqësojë gjatë fazës së hetimeve.
Po ashtu, dëshmitari tregoi se atë si mbrojtës e ka angazhuar vëllai i Pashkut, pasi që Pashku në atë kohë ishte në paraburgim. “Unë menjëherë pas marrjes së autorizimit jam takuar me Pashkun, dhe i njëjti më ka treguar se nga prokurori Mustafi akuzohet për veprën penale ‘shpërdorim i detyrës zyrtare’”. Pashku i ka thënë se po akuzohej, pasi që disa persona nga Gjakova kishin kërkuar para në emër të Mustafit.
Dëshmitari Gashi tha se në gjitha takimet që ka pasur me Pashkun, gjatë kohës sa e ka përfaqësuar, ai disa herë i ka thënë se Nazmi Mustafi asnjëherë nuk i ka kërkuar të holla. Dhe për këtë, Gashi tha se e ka njoftuar edhe prokurorin.
Sipas Gashit, Pashku i kishte treguar se dy vëllezërve nga Gjakova ua ka dhënë 20 000 euro, në emër të huazimit.
“Në kohën kur Pashku ka qenë në arrest shtëpiak, i njëjti pa përcjellje të policisë ka ardhur nga Gjakova në Prishtinë, dhe për këtë ia kam tërheq vërejtjen, por ai më ka thënë: ‘Këtë punë e kam kryer dhe ti mos ke dert’”.
Avokati Tomë Gashi, në këtë seancë deklaroi se sa ka qenë në pozitën e këshilltarit të kryeministrit Hashim Thaçi, ai ua kishte propozuar “disa kolegëve të tij”, Nazmi Mustafin për pozitën e ambasadorit ne Slloveni.
Ish-prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Nazmi Mustafi, ngarkohet për veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, nga neni 339, paragrafi 1 dhe 3, dhe veprën penale “armëmbajtje pa leje”, nga neni 328, paragrafi 2, dhe shpërdorim i detyrës zyrtare nga neni 339 par 1 i KPK-së; Reshat dhe Xhelal Zherka akuzohen për veprat penale “Ushtrim i ndikimit”, nga neni 345, paragrafi 1 lidhur me nenin 23, dhe shtytje se shpërdorimit te detyrës zyrtare nga neni 339 par 1 dhe 3 lidhur me nenin 23 të KPK-së; kurse Mirela Ndoci akuzohet për veprën penale “Ndihmë pas kryerjes së veprës penale”, nga neni 339, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 25, të KPK-së. Aktakuza ishte konfirmuar më 4 shtator 2012./jnk

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat