Nuk i kemi kërkuar Vlorës të bëhet fallxhore

Kosova

Nuk i kemi kërkuar Vlorës të bëhet fallxhore

Më: 13 shkurt 2013 Në ora: 17:39

Lëvizja Vetëvendosje vlerësoi të mërkurën se raporti i fundit i Komisionit Evropian (KE), për liberalizimin e vizave për Kosovën dëshmon edhe njëherë se Qeveria e Kosovës nuk ka vullnet politik për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Alma Lama, deputete e VV-së, ka thënë se qytetarët e Kosovës nuk kanë pritur ndonjë lajm të mirë për liberalizimin e vizave .

“Ata e dinë mirë se si është gjendja në Kosovë, se si është përbrendësuar në sistemin shtetëror krimi i organizuar dhe korrupsioni. Unë shpresoj se qytetarët do t'i dalin zot vetes, t’i thonë jo keqqeverisjes”, tha deputetja e Vetëvendosjes.
Për Lamën, kambanat po bien për ata që kanë veshë.

Ajo ka thënë se zyrtarët e Bashkimit Evropian (BE), në mënyrë të vazhdueshme po i tregojnë qeverisë së Kosovës se duhet ta luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, duke pasur parasysh se këto janë kritere themelore për çdo hap në drejtim të BE-së.

“Skandali i pasaportave është dëshmia më e mirë se si i ka plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave kjo qeveri”, u shpreh Lama.

Ajo tha se askush nuk i ka kërkuar ministres për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku, të bëhet fallxhore, por që të mbajë premtimin për liberalizim e vizave.

Sipas deputetes së VV-së, premtimi për liberalizim të vizave nuk mund të realizohet duke futur duart në gjykata e prokurori, siç po bën qeveria aktuale, por duke realizuar kriteret të cilat janë kërkuar nga BE-ja për liberalizimin e vizave.

“Fatkeqësisht as disa kritere të thjeshta teknike nuk janë plotësuar si duhet. Lista e rekomandimeve është tepër e gjatë”, tha ajo.

Deputetja e VV-së,Alma Lama, liberalizimin e vizave për Kosovën nuk e lidh me vite, por sipas saj është çështje e plotësimit të kritereve.

“Nëse ka vullnet politik mund të plotësohen edhe për gjashtë muaj, mirëpo kjo qeveri është e dështuar në këtë proces”, ka deklaruar Lama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat