5 vjet shtet, pozita e kënaqur me të arriturat, opozita e pakënaqur

Kosova

5 vjet shtet, pozita e kënaqur me të arriturat, opozita e pakënaqur

Më: 15 shkurt 2013 Në ora: 14:41

Kryesia e Kuvendit ka vendosur që seanca solemne me rastin e pesëvjetorit të pavarësisë së Kosovës, të mbahet të dielën nga ora 15:00. Të ftuar në këtë seancë do të jenë deputetë nga Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, vlerësoi se për pesë vjet, Kosova si shtet ka bërë ndryshime të mëdha. Opozita konsideron se ka mundur të bëhet edhe më shumë.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi tha se për pesë vjet të pavarësisë, Kosova ka bërë ndryshime të mëdha. Ai tha se Republika e Kosovës ka krijuar institucione demokratike, të cilat, megjithatë, sipas tij, do duhej të ishin më ndryshe në funksionimin e tyre.

“Sigurisht se lenë për të dëshiruar shumë, por, gjithsesi, Kosova në pesëvjetorin e vetë është një shtet i ri, një shtet me perspektivë, dhe përspektiva e saj varet shumë nga gjithë shoqëria e Kosovës”, tha Krasniqi.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, thotë se vendi ka ngecur prapa në shumë segmente, duke theksuar se, sidomos në vitet e fundit, vendi ka degraduar shumë. Edhe pse LDK-ja ishte pjesë e Qeverisë në vitet e para të pavarësisë së Kosovës, Beqiri thotë se për këtë degradim, përgjegjësia nuk bie mbi LDK-në.

“LDK-ja asnjëherë nuk e ka qeverisur vendin, dhe po e përsëris se edhe në vitet që thatë ju se LDK-ja ka qenë në Qeveri, timonin e ka udhëhequr Hashim Thaçi”, tha Beqiri.

Nga ana tjetër, Ardian Gjini, shef i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se Kosova ka shënuar përparime, por mundësitë kanë qenë që vendi të ecë edhe më shumë.

“Nuk është se nuk ka përparuar, nuk është se nuk kanë ndodhur ngjarje në Kosovë, por as për afërsisht nuk është shfrytëzuar mundësia që e kemi pasur për t’u zhvilluar për pesë vjet. Domethënë zhvillimi që ka ndodhur për pesë vjet, është shumë më i vogël se mundësitë që i kemi pasur. Pamja e Kosovës nuk është çfare ka pasur mundësi të jetë”, tha Gjini.

Por, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, thotë se ndryshimet që ka bërë vendi për pesë vjet të pavarësisë, janë të prekshme për qytetarët e Kosovës.

“Besoj se çdo qytetar i Kosovës po i shijon, çdo ditë, çdo orë, çdo sekond, ndryshimet dhe të arriturat që kanë ndodhur në vendin tonë.

E për t’i festuar këto arritje në pesëvjetorin e pavarësisë, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në seancë solemne, e cila është caktuar për të dielën në orën 15.00, ku do të jenë të ftuar edhe deputetë nga Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat