Thaçi në 43 vjetorin e UP-së, nuk e përshëndet familjen Jashari

Kosova

Thaçi në 43 vjetorin e UP-së, nuk e përshëndet familjen Jashari

Më: 15 shkurt 2013 Në ora: 17:00

Nuk ka ndonjë universitet në botë që mund të krahasohet me rolin promotor të Universitetit të Prishtinës për kontributin e tij në lëvizjen kombëtare, që nga themelimi deri në pavarësimin e Kosovës u tha në akademinë solemne me rastin e 43 vjetorit të UP-së.

Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi në këtë akademi solemne fillimisht ka përshëndetur liderët më të lartë institucional, ministrat, ambasadorët, por jo edhe pjesëtarin e familjes Jashari, Rifat Jasharin.

Duke folur për Universitetin e Prishtinës, ai ka thënë se nuk ka ndonjë universitet në botë që ka kontribuar për çlirimin e vendit, sa ka bërë Universiteti i Prishtinës.

“Nuk është rastësi fillimi i shënimit të përvjetorit të pestë të shtetit të Kosovës pikërisht në këtë akademi. Ashtu si shpallja e pavarësisë së Kosovës është akt unikat dhe origjinal edhe historia e Universitetit të Prishtinës është e papërsëritshme dhe origjinale. Nuk ka ndonjë universitet në botë që mund të krahasohet me rolin promotor të Universitetit të Prishtinës për kontributin e tij në lëvizjen kombëtare që nga themelimi deri në pavarësimin e Kosovës. Në pak universitete të botës kanë ndodhur ngjashëm që në Universitetin e Prishtinës që lidershipi dhe idetë shtetformuese të jenë të lidhura aq ngushtë si në këtë tempull akademik”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Për më tepër, ai ka shtuar se nga ky universitet kanë dalë ide projekte dhe lidership që vunë themelet e shtetësisë së Kosovës dhe institucioneve të saj, ndërkohë nuk ka harruar që në këtë pesë vjetor të pavarësisë t’i kujtoj të gjithë ata për këtë kontribut.

Po ashtu, kryeministri ka thënë se të gjithë sot ndihen krenar që universiteti mban emrin e arkitektit të mendimit politik dhe ideatorit të pavarësisë së Shqipërisë, figurës emblematike dhe madhështore të lëvizjes kombëtare “Hasan Prishtina”.

Sipas tij, shteti i Kosovës në këtë pesë vjetor po konsolidohet dhe forcohet gjithnjë e më tepër, gjithashtu po forcohet subjektiviteti ndërkombëtar, duke arritur afër 100 njohje ndërkombëtare.

Ndërkohë, rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, tha se kur Kosova po shënon pesë vjetorin e pavarësisë institucioni që vuri themelet e lirisë dhe të rezistencës për liri dhe shtet, Universiteti i Prishtinës po shënon 43 vjetorin e themelimit të tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat