Pacolli - Clintonit: Ju jemi përjetë mirënjohës

Kosova

Pacolli - Clintonit: Ju jemi përjetë mirënjohës

Më: 15 shkurt 2013 Në ora: 17:01

Kryetari i AKR-së dhe zv/kryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli, i ka dërguar letër ish sekretarës amerikane të shtetit, Hillary Clinton pas largimit nga ky post.

E nderuara Zonja Sekretare,

Lajmi i largimit Tuaj nga Departamenti i Shtetit është një lajm i trishtuar në planin miqësor. Kosova kishte tek Ju një mike të madhe që e shfaqi protagonizmin e vet në shumë prej integrimeve të Kosovës në organizata globale.

Unë sot në cilësinë e Zëvendëskryeministrit të Kosovës me mandat për njohjet e shtetësisë ashtu si dhe më herët, do vlerësoja shumë bashkëpunimin tonë me Ju personalisht dhe Departamentin e shtetit, në procesin e njohjeve në Afrikë veçanërisht në vende të veçanta si Benini, në Karaibe, etj.

Ndihma Juaj ka qenë veçanërisht inkurajuese për të koordinuar bashkëpunimin me dobi reciproke të Kosovës me këto vende që e njohën rishtazi.

Në dritën e këtij bashkëpunimi ruaj me kënaqësi të madhe kujtimet nga bisedat tona në Uashington apo dhe në Kosovë gjatë vizitës Suaj të fundit.

Unë si gjithë bashkëkombësit e mi, do Ju jemi përjetë mirënjohës për atë që Ju dhe bashkëshorti Juaj, Presidenti Clinton keni bërë për ne, në shërbim të shtetit amerikan, dhe të miqësisë sonë sublime. Shpreh bindjen se Ju do të vazhdoni t’i shërbeni me të njëjtin përkushtim vendit dhe kombit Tuaj të madh në detyra të reja edhe më të larta.

Unë shpreh bindjen se dhe Sekretari John Kerry që do t’iu pasojë, do të vijojë në rrugën që Ju hapët me aq përkushtim. Për këtë vijimësi të palëkundur në favor të paqes në rajon dhe të begatisë së tij janë garanci idetë e mëhershme të Sekretarit Kerry për rajonin dhe sensi i miqësisë që SHBA-të, dhe kjo administratë presidenciale dëshiron të ruajë në afat të gjatë me kombin tonë.

Sinqerisht Juaji Behgjet Pacolli

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat