Sekretarit Kerry: Dijeni se ShBA-të qëndrojnë krah Kosovës si partnere dhe mike

Kosova

Sekretarit Kerry: Dijeni se ShBA-të qëndrojnë krah Kosovës si partnere dhe mike

Më: 15 shkurt 2013 Në ora: 17:54

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry në emër të presidentit Barak Obama dhe popullit amerikan i ka përgëzuar institucionet dhe popullin shqiptarë me rastin e pesë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Në deklaratën të cilën po e botojmë të plotë thuhet:
“Në emër të Presidentit Obama dhe të popullit të Shteteve të Bashkuara, kam kënaqësinë t’ia përcjell dëshirat më të mira popullit të Republikës së Kosovës përderisa festoni përvjetorin e pestë të pavarësisë më 17 shkurt.
Viti i kaluar ka qenë vit i të arriturave të mëdha për Kosovën, duke përfshirë përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, anëtarësimin në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe përparimin në dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve. Shtetet e Bashkuara mbesin fuqishëm të përkushtuara për ta përkrahur Kosovën e pavarur, sovrane dhe shumetnike. I përgëzoj udhëheqësit e Kosovës për përkushtimin e tyre për të ndërtuar institucione më të forta demokratike, për të përkrahur mundësitë e reja në ekonomi, për të promovuar sundimin e ligjit dhe për të forcuar rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane. Puna e vazhdueshme në këto fusha shërben për të siguruar stabilitet të qëndrueshëm rajonal dhe begatinë e vendit tuaj.
Përderisa kremtoni këtë ditë të veçantë, dijeni se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah Kosovës si partnere dhe mike e saj. Në këtë festë, e uroj tërë popullin e Kosovës dhe ju dëshiroj suksese të mëdha në vitin që vjen”. BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat