Jahjaga: Ideja e bashkimit kombëtar i takon shekullit të kaluar

Kosova

Jahjaga: Ideja e bashkimit kombëtar i takon shekullit të kaluar

Më: 16 shkurt 2013 Në ora: 08:31

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka deklaruar se shqiptarët nuk arritën të krijojnë shtetin tyre kombëtar në baza etnike dhe tani destinacioni i bashkimit të shqiptarëve është Brukseli. Jahjaga ka theksuar se ideja e bashkimit kombëtar i takon shekullit të kaluar dhe shqiptarët në të dy shtetet sovrane duhet të punojnë për integrimin dhe bashkimin e tyre brenda strukturave të Bashkimit Evropian.

”Çështja e bashkimit kombëtar i përket shekullit të kaluar dhe është koncept i shekullit të kaluar. Shqiptarët nuk arritën të krijojnë shtetin kombëtar në baza etnike. Tanimë ne jemi duke jetuar në shekullin e integrimeve, në politikat e integrimeve dhe në politikat ndërtimit të bashkëpunimit dhe raportit të barabartë në mes të shteteve dhe në mes të popujve”, ka theksuar Jahjaga për Albanian Screen.

Presidentja Jahjaga ka thënë se nuk do të ketë ndryshim të kufijve, por vetëm ura të bashkëpunimit mes dy shteteve.


”Sot populli shqiptar, kudo që jeton, jeton i lirë, në trojet e veta dhe qenia kombëtare nuk është e rrezikuar në asnjë moment. Unë e kam thënë edhe herë tjetër dhe është qëndrim zyrtar dhe vullnet zyrtar, dhe vullnet i gjithë popullit dhe i gjithë qytetarëve që: Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë, si dy shtete sovrane dhe të pavarura, të integrohen në BE. Destinacioni i bashkimit të të gjithë shqiptarëve do të jetë në Bruksel dhe në kuadër të Bashkimit Europian. Kufijtë nuk do të ndryshojnë, por do të jenë të hapur për qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave. Do të ketë ura bashkëpunimi, por kufijtë do të jenë të mbyllur për kontrabandën dhe krimin e organizuar dhe nuk ka rrugë tjetër”, ka theksuar Jahjaga.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat