Senati i shtetit të Nju Jorkut përshëndet Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Kosova

Senati i shtetit të Nju Jorkut përshëndet Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Më: 17 shkurt 2013 Në ora: 18:30

Senati i shtetit të Nju Jorkut, ka miratuar një rezolutë legjislative përmes së cilës ka shënuar përvjetorin e pestë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Rezoluta, e aprovuar edhe në Asamblenë e këtij shteti, përshëndet progresin e gjithanshëm të shtetit të Kosovës.

Ajo i referohet dhe përshëndet arritjet e popullit të Kosovës në fuqizimin e komuniteteve dhe promovimin e diversitetit kulturor.

Në të po ashtu theksohet se përqendrimi më i madh i amerikanëve me origjinë nga Kosova në SHBA është në shtetin e Nju Jorkut si dhe theksohen fakte historike të Kosovës duke përfshirë ndërhyrjen e trupave amerikane në kuadër të NATO-së në mars 1999 në Kosovë, deri te shpallja e pavarësisë së Kosovës,thuhet në njoftimin e komunikata.

“Burrat dhe gratë e forcave të armatosura të SHBA-ve kanë shërbyer me trimëri në Kosovë që nga viti 1999, dhe prezenca e pjesëmarrja e tyre në trupat e NATO-s në Kosovë, ka qenë e domosdoshme për mbrojtjen e popullit të Kosovës dhe stabilizimin e rajonit”, thuhet në rezolutë.

Në të gjithashtu përshkruhet fakti se Kosova tani funksionon duke u bazuar në Kushtetutën e saj demokratike, sundimin e ligjit dhe elementet e tjera të shtetësisë.

“Kosova ka marrë njohje nga shumë shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe shumë organizata ndërkombëtare. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike demonstron lidhjet speciale që ekzistojnë ndërmjet popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit të Kosovës”, thuhet në këtë akt legjislativ të Senatit të Nju Jorkut, ku po ashtu përshkruhet asistenca e këtij shteti për Kosovën në fushën e shërbimeve mjekësore, të komuniteteve, biznesit, arsimit etj.

Rezoluta legjislative për shënimin dhe përkujtimin e përvjetorit të pestë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e miratuar në Senat pas debatit, është një dokument zyrtar i rëndësishëm i shtetit të Nju Jorkut.BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat