Jahjaga ua uron qytetarëve pesëvjetorin e pavarësisë

Kosova

Jahjaga ua uron qytetarëve pesëvjetorin e pavarësisë

Më: 17 shkurt 2013 Në ora: 18:36

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga i ka uruar qytetarët e Kosovës me rastin e përvjetorit të pestë të pavarësisë.Në urim e Presidentës Jahjaga thuhet:

Të gjithë qytetarëve të vendit Ju uroj pesëvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, me dëshirat më të mira që këtë përvjetor jubilar ta festojmë me suksese, ta festojmë në gëzime me familjet tona dhe me miqtë.

Shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës është një akt i suksesit tonë, i rrugës së gjatë drejt lirisë, pavarësisë e demokracisë. Janë përpjekjet e shumë brezave, puna, angazhimi dhe përkushtimi i tyre sublim që atdheu ynë të jetë shtet sovran dhe i pavarur. Në këtë rrugë tonën, të shprehjes së lirë të vullnetit të popullit, ne e kishim përkrahjen e miqve ndërkombëtarë, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, për të ndërtuar një shoqëri të qytetarëve të lirë dhe të barabartë, me të drejta të plota për të gjithë njerëzit, pavarësisht përkatësisë etnike e fetare që konsiderohet vlerë e jona e diversitetit kulturor.

Në këtë ditë e shprehim falënderimin tonë për misionet ndërkombëtare që gjatë gjithë këtyre viteve janë angazhuar në Kosovë, KFOR-in, EULEX-in, UNMIK-un, OSBE-në, Ambasadat dhe Përfaqësitë diplomatike të vendeve të tjera dhe të gjitha misionet e tjera, që me punën e tyre kanë kontribuar në përparimin e Kosovës.

Republika e Kosovës është faktor paqeje dhe stabiliteti, shembull i mirë i bashkëpunimit fqinjësor dhe bilateral ndërmjet shteteve dhe popujve.BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat