Ngatërresa të shumta në ristrukturimin e Gjyqësorit

Kosova

Ngatërresa të shumta në ristrukturimin e Gjyqësorit

Më: 22 shkurt 2013 Në ora: 18:56

Pavarësisht që ristrukturimi i plotë i Gjyqësorit ka nisur me fillimin e këtij viti, në këtë sistem ende nuk vërehen përmirësime në drejtim të një funksionimi më cilësor, thonë përfaqësuesit e organizatave joqeveritare që merren me drejtësinë në Kosovë.

Në anën tjetër, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzulla Hasani konsideron se reformat në sistemin e drejtësisë janë duke vazhduar pavarësisht pengesave. Hasani sqaron se në dy muajt e parë të këtij viti janë duke shkuar ende për akomodimin e gjyqtarëve në departamente, e po ashtu edhe të dosjeve.

“Janë problemet teknike për sallën e gjykimit, barten, ata shkojnë herë atje, herë këtu. Do të thotë është herët të flitet për rezultate deri sa kemi pengesa logjistike. Kemi hasur në probleme të shumta, mirëpo procesi është duke rrjedhur normalisht me këto sfida. Ende është herët të flasim se a ka dështime. Çështje janë duke u zhvilluar, ka seanca gjyqësore, ato mbahen, por fillimi ka qenë me një vëllim më të vogël sesa që do të duhej të ishte”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Përfaqësuesit e Institutit të Kosovës për Drejtësi, ndërkaq, thonë se që nga fillimi i zbatimit të ligjeve të reja penale, por edhe ligjeve të pakos ligjore të drejtësisë, nuk vërehen përparime të mëdha.

Ajo që vërehet, sipas Betim Musliut, nga ky institut, janë ngatërresat e punëve nga ana e bartëseve të funksioneve gjyqësore.

“Ajo që kemi parë nga 1 janari në sistemin e drejtësisë është një pështjellim i punëve, një bartje e ngadaltë e lëndëve dhe një mungesë e zbatimit të planeve të veprimit, për të pasur një reformë siç duhet - pra një zbatim të përpiktë ashtu edhe siç është paraparë. Ka probleme të shumta të qytetarëve, të cilët ende nuk mund t’i zbatojnë të drejtat e tyre”, u shpreh Musliu.

Reforma në drejtësi dhe ristrukturimi i tërësishëm i sistemit gjyqësor dhe prokurorial ka qenë nevojë e kohës. Mirëpo, kjo reformë, sipas Musliut, nuk është dashur të bëhet me nguti siç është bërë, ngase, shtoi ai, miratimi i pakos së ligjeve për drejtësi nuk është përcjellë me përkrahje të duhur financiare nga ana e ekzekutivit dhe assesi s’do të ketë zbatim të efektshëm të këtyre ligjeve.

“Kur jemi te legjislacioni, kemi një veprim të pakuptimtë të Ministrisë së Drejtësisë dhe Kuvendit të Kosovës, që kanë lejuar miratimin e Kodit të Procedurës Penale vetëm pak ditë para se të zbatohet. Duhen së paku 6 muaj kohë që të bëhen trajnimet e nevojshme, sepse kështu si ka ndodhur, më 1 janar është futur në fuqi, më 2 janar është paraqitur nevoja që të ndryshohet dhe amendamentohet ky kod - kjo është absurde”, vlerësoi Musliu.

Sipas tij, edhe Prokurori i Shtetit i ka probleme të mëdha në këtë fazë të ristrukturimit, si pasojë e Kodit të Procedurës Penale, pasi një mori e veprave penale ka kaluar në kompetencë të Prokurorisë Speciale.

Ndryshe, korrupsioni në gjyqësi, mosefikasiteti, grumbullimi i lëndëve, ngadalësimi në reforma - janë vetëm disa nga kritikat më të shpeshta që i janë bërë sistemit të drejtësisë edhe gjatë vitit 2012.

Ky mekanizëm vazhdimisht ka dalë të jetë i kritikuar nga raportet e ndryshme që kanë monitoruar gjendjen në Kosovë.

Përfaqësuesit e BE-së në Kosovë inkurajojnë organet gjegjëse të ndërtojnë një sistem të pavarur e të pandikuar të drejtësisë, i cili do të ishte më efikas dhe më efektiv.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat