Edhe Oda Amerikane e shqetësuar me emërtimet politike në borde

Kosova

Edhe Oda Amerikane e shqetësuar me emërtimet politike në borde

Më: 22 shkurt 2013 Në ora: 20:35

Kreu i Prishtinës, Isa Mustafa ka çmuar lartë gatishmërinë e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë për të fuqizuar dialogun gjithëpërfshirës dhe për t’i harmonizuar përpjekjet për politika më të mira në favor të bizneseve në vend, me theks të veçantë atyre në Komunën e Prishtinës. Ai i bëri këto komente pas takimit që zhvilloi me anëtarët e Bordit të Drejtorëve dhe me drejtorin ekzekutiv të OEA në Kosovës, Arian Zeka tha se takimet e tilla ndihmojnë në bashkërendimin e qëndrimeve me të gjitha palët e interesit të cilat kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit, duke potencuar se kjo nuk është përgjegjësi ekskluzive e asnjë institucioni, por është përgjegjësi e tërë shoqërisë në Kosovë. Ai gjithashtu shtoi se takimi i sotëm është i rëndësishëm për dy aspekte, meqë Isa Mustafa është kryetar i Komunës në të cilën ndodhet numri më i madh i bizneseve, por gjithashtu edhe për faktin se ai drejton njërën prej forcave më të mëdha politike në vend, deputetët e së cilës mund të kontribuojnë në nxjerrjen e ligjeve që lehtësojnë ambientin e të bërit biznes.

Mustafa theksoi rolin e rëndësishëm të Odës Amerikane, si organizatë që përfaqëson një zë të fuqishëm të komunitetit të biznesit, por gjithashtu edhe për rolin e saj në promovimin e politikave të SHBA-së. Mustafa tha me këtë rast se Komuna ka marrë vendim për heqjen e taksës së aktivitetit afarist, që do të lehtësojë dukshëm veprimtarinë afariste të ndërmarrjeve që veprojnë në këtë komunë.

Anëtarët e Bordit të Drejtorëve të OEA ofruan partneritetin e tyre të sinqertë për bashkërendimin e të gjitha përpjekjeve të fokusuara në çështjet ekonomike dhe në të njëjtën kohë shprehën shqetësimin e tyre përkitazi me nxjerrjen e ligjeve të shumta që nuk adresojnë nevojat reale dhe kapacitetet njerëzore të Kosovës dhe si të tilla ato edhe mbesin të pazbatueshme. Një shqetësim tjetër i shprehur gjatë takimit është edhe çështja e emërimit të personave me përkatësi politike nëpër pozita kyçe të institucioneve të pavarura, përfshirë këtu edhe bordet e ndërmarrjeve publike dhe të agjencive të tjera shtetërore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat