Haradinaj nderohet me titullin “Nderi i Qarkut të Beratit”

Kosova

Haradinaj nderohet me titullin “Nderi i Qarkut të Beratit”

Më: 26 shkurt 2013 Në ora: 19:54

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) gjatë ditës së martë ka qëndruar në qytetin e Beratit në Shqipëri, ku nga Qarku i qytetit u nderua me çmimin “Nderi i Qarkut të Beratit”. Me këtë rast Haradinaj është ndier i nderuar me këtë moment të ndarjes së çmimit, duke thënë se paqja, liria, mirëkuptimi, Bashkimi Evropian dhe NATO janë objektivi i përbashkët i të gjithë shqiptarëve.
Ceremonia e ndarjes së çmimit u mbajt paraditen e sotme, ndërkohë që më vonë kreu i AAK-së, i shoqëruar nga zyrtarë të Qarkut të Beratit dhe përfaqësues të tjerë institucionalë, vizitoi edhe Kalanë e njohur të Beratit.

Autoritetet vendase u shprehën të nderuar, që nga dita e sotme e kanë ish-udhëheqësin e UÇK-së dhe ish-kryeministrin e Kosovës, bashkëqytetar dhe Qytetar Nderi të vendit të tyre.

Lufta e lavdishme e UÇK-së ishte nder për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për Kosovën, u shpreh kreu i Qarkut të Beratit, Petrit Sinaj.

Ai tha se Ramush Haradinaj e dëshmoi këtë jo vetëm gjatë viteve të luftës për lirinë e Kosovës, por edhe në udhëheqjen e tij si kryetar i një partie politike në Kosovë, e më pas si kryeministër i Kosovës dhe, për dy herë me radhë, duke respektuar, duke u përballur dhe duke dalë fitimtarë dhe i pastër përballë drejtësisë ndërkombëtare.

Ai tha se shembulli i Haradinajt është shembull i liderit dhe i heroit modern të shqiptarit të ditëve të sotme.

Ish-kryeministri Haradinaj u shpreh se ndihet i nderuar që sot po shpallet Nderi i Qarkut të Beratit. Ai tha se ky moment është nder jo vetëm për të personalisht, por për mbarë popullin e Kosovës dhe luftën e drejtë për liri, që Kosova e bëri në fundin e shekullit XX.

“Paqja, liria, mirëkuptimi, Bashkimi Evropian dhe NATO janë objektivi i përbashkët i të gjithë shqiptarëve, por edhe i ballkanasve në përgjithësi”, tha Haradinaj.

Nderimi i sotëm nga Qarku i Beratit, është në vazhdën e ndarjes së shumë çmimeve të nderit për kryetarin Haradinaj, në mbarë qytetet e Shqipërisë dhe në trevat tjera shqiptare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat