VV: Thaçi po e tradhton Kombin

Kosova

VV: Thaçi po e tradhton Kombin

Më: 1 mars 2013 Në ora: 16:07

Kryeministri ka paralajmëruar se më 4 mars do të shkojë në negociata me Daçiçin. Kryeministri do të shkojë atje që së bashku me zyrtarë të lartë të shtetit të Serbisë të gjejë një zgjidhje për veriun e Kosovës. Ky pazar për veriun po ndodh pasi që Kryeministri vazhdimisht që nga viti 2011 ka premtuar se veriu kurrë nuk do të negociohet. Tash vetë ai po iu prin negociatave dhe kompromisit të ardhshëm për veriun e Kosovës. Me 4 mars Kryeministri po shkon në Bruksel me një qëllim të qartë, e ai është negocimi i autonomisë së entitetit territorial serb brenda Republikës së Kosovës. Me 4 mars do të flitet për statusin që do ta ketë Serbia brenda Republikës Kosovës, dhe statusin që do ta kenë strukturat shtetërore të Serbisë brenda vendit tonë. Me fjalë tjera, me 4 mars Kryeministri po shkon në Bruksel që ta shes veriun e Kosovës. Kryeministri tashmë ka thënë se do të krijohet asociacioni i komunave serbe të Kosovës. Kjo nuk është gjë tjetër veçse një emër tjetër për bashkësinë serbe të komunave në Kosovë, të ofruar nga platforma e Serbisë për Kosovën.

Brenda platformës së Serbisë për Kosovën ekziston një e ashtuquajtur bashkësi e komunave serbe. Ne mendojmë që emri i Kryeministrit për këtë asociacion të komunave serbe është një emërtim tjetër për këtë që tashmë po ofrohet prej platformës së Serbisë, e që është krijimi i bashkësisë së komunave serbe në Kosovë. Sipas kësaj platforme të Serbisë parashihet që ky entitet t’i ketë nëntë komuna, përveç atyre të veriut si Zubin Potoku, Zveçani, Leposaviçi dhe veriun e ndarë prej Mitrovicës, të fusin pra edhe komunat tjera që janë krijuar sipas planit të Ahtisaarit si Graçanica, Parteshi, Ranillugu, Kllokoti dhe Shtërpca.

Kjo nuk do të thotë që veriu i Kosovës dhe këto komuna të pakontrolluara nga Kosova t’i bashkohen planit të Ahtisaarit, por përkundrazi ne po shkojmë kah procesi që këto komuna t’i bashkohen atyre në veri të Kosovës, dhe ta ngrenë statusin e tyre njëjtë siç e ka veriu i Kosovës, në një kontroll total nga shteti i Serbisë. Kryeministri po ashtu doli dhe na tha se ky asociacion që po krijohet tash, na qenka sipas tij në përputhje me planin e Ahtisaarit. Ky është një mashtrim i madh që po i përgatitet popullit dhe qytetarëve të Kosovës. Madje në planin e Ahtisaarit nuk mund ta gjeni askund një asociacion të komunave me bazë territoriale, me bazë etnike, për të cilën ne u dashka që të negociojmë me Serbinë dhe ta krijojmë këtë asociacion në bashkëpunim me Serbinë, e ku do të kishte hise është Serbia e Daçiçit.

Të gjitha këto po tregojnë se procesi po shkon drejt hedhjes në tavolinë të vetë planit të Ahtisaarit. kur u pat pranuar plani i Ahtisaarit, Qeveria e Kosovës dhe zyrtarë të ndryshëm në atë kohë thonin se plani i Ahtisaarit po pranohet, mirëpo është një kompromis maksimal dhe është koncesioni i fundit që po e bën Kosova. Tash, me vetë faktin se Kryeministri po shkon dhe po e hedh në tavolinë veriun e Kosovës, po tregon që këta janë të gatshëm ta hapin edhe planin e Ahtisaarit, atë që e quanin kompromisin e fundit të dhimbshëm.

Në negociatat e 4 marsit po fillon krijimi i një pushteti të tretë në Kosovës. Në Kosovë janë 2 pushtete, ai qendror dhe ai lokal. Tash, duan ta krijojnë një pushtet me bazë etnike dhe territoriale brenda Kosovës, që ka pushtet më shumë sesa niveli lokal, dhe që nuk i nënshtrohet nivelit qendror. Ky pushtet i tretë do të ishte fatal për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Kjo Qeveri po ashtu e ka zgjedhur një datë shumë të qëllimshme për të bërë pazare për territorin e Kosovës. E ka zgjedh datën e 4 marsit. Pikërisht me këtë datë, para 15 viteve, Serbia po i përfundonte përgatitjet për me filluar sulmin mbi Jasharajt. Pra jemi në përvjetorin e “Epopesë së UÇK-së”, dhe pikërisht këto data kryeministri i ka zgjedh që të shkojë dhe më zëdhënësin e Qeverisë së Millosheviçit në atë kohë, që po i sulmonte Jasharajt, të shkojnë dhe t’ia përgatisin Kosovës një plan shumë të dëmshëm për perspektivën e funksionimit unitar të shtetit të Kosovës, meqenëse po na kërcënohet krijimi i një republike serbe brenda Kosovës.

Mbi aksionin e djeshëm në Kuvend dhe ikjen e Kryeministrit

Aksioni ynë dje ka qenë pikërisht në funksion të transparencës. Me hartë kemi treguar se çka po i bën Kosovës Hashim Thaçi me Ivica Daçiçin në Bruksel. Me altoparlantët kemi treguar se kush është Hashim Thaçi, ky pronto Kryeministër. Thaçi ka mundur të kthehet pas pauzës 15-minutëshe, por në vend të kësaj zgjodhi që ta marr RTK-në, dhe nga Qeveria të rrëfehet si zakonisht me fraza të përgjithshme. Pra, nuk është e vërtetë qe dje Thaçit i është pamundësuar të flas në Kuvend.

Kur rifilloi seanca, në orën 15:00, përveçse nuk erdhi ne seancë, ai kontaktonte me SMS-a me Elmi Reqicën, i cili na tregonte se kur ka kohë të vi Thaçi në raportim. Kjo tregon që ai ishte duke e përcjellë seancën diku, në vend se të vijë në seancë. Nuk e kuptuam pse Thaçi u frikësua, kur ne atij nuk ia thamë asnjë fjalë, përveçse ia lëshuam bashkëbisedimin e tij me Grabovcin. Njëmend biseda e tillë është e frikshme, ama ky vet e ka bërë, me bashkëpartiakun e tij.

Kryeministri deklaroi që Kuvendi po bëhet cirk. Në cirk njerëzit arkëtohen e qeshin, porse asnjë deputeti nuk i qeshej dhe nuk arkëtohej kur e pa hartën e copëtimit të Kosovës dhe kur e dëgjoi bisedën e përgjuar, përveç vetë Kryeministrit Thaçi.

RTK-ja si televizion publik është e detyruar me ligj dhe me përshkrim të misionit të saj që t’i shërbejë interesave të publikut. Nuk ka çështje më me shumë interes për qytetarët e Kosovës sesa plaçkitja e kontributit të tyre jetësor nga ana e shtetit me të cilin po negocion Kryeministri. Po ashtu dhe të vendimit që do të marrë Kuvendi për ta ndryshuar gjendjen për këtë padrejtësi të madhe të shtetit serb. (vv)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat