Reagon edhe MPJ: Palët të përmbahen, policia të dënoj dhunuesit

Kosova

Reagon edhe MPJ: Palët të përmbahen, policia të dënoj dhunuesit

Më: 2 mars 2013 Në ora: 20:13

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës reagon lidhur me situatën e tensionuar në Republikën e Maqedonisë, duke dënuar aktin e rrahjes së nxënësve shqiptarë dhe konsideron se përshkallëzimi i dhunës gjatë ditës së djeshme e të sotme në Shkup dëmtojnë marrëdhëniet ndërertnike shqiptaro-maqedonase në këtë shtet multietnik.
MPJ e Kosovës u bënë thirrje të dyja palëve në Maqedoni, veçanërisht të gjithë faktorëve politikë që të tregojnë maturi, pjekuri dhe veprim politik të përgjegjshëm për të shmangur tensionet etnike.
Po ashtu u bëhet thirrje autoriteteve zyrtare të Shkupit që të ndërmarrin masa të vendosura për zbulimin dhe dënimin e autorëve të akteve të tilla të dhunës dhe të incidenteve me sfond etnik, duke vlerësuar se forca e ligjit duhet të veprojë ndaj kujtdo që kryen apo mbështet akte të tilla.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës konsideron se është në interesin e Maqedonisë që të kultivohet fryma evropiane, toleranca dhe bashkëpunimi efektiv ndërmjet të gjitha forcave të shoqërisë, për zgjidhjen e të gjitha kontesteve të brendshme, ngase kjo është rruga e vetme për ruajtjen e paqes dhe stabilietit të Maqedonisë dhe të rajonit si një parakusht për integrimin në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat