Kuvendi do të debatojë për faturat e KEK-ut

Kosova

Kuvendi do të debatojë për faturat e KEK-ut

Më: 4 mars 2013 Në ora: 19:21

Kërkesave për hetim parlamentarë të grupit të qytetarëve të cilët kanë protestuar kundër faturave të energjisë elektrike të muajit janar, u është përgjigjur Grupi Parlamentarë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Shefi i këtij grupi Ismet Beqiri, tha se kanë kërkuar debat rreth shqetësimeve të qytetarëve. Ai tha se debati mund të zhvillohet javën e ardhshme 14 mars në Kuvendin e Kosovës. “Ne kemi kërkuar debat për këtë dhe në mes tjerash do të kërkojmë edhe formimin e një komisioni nga Parlamenti, i cili do të merret me këtë çështje, me gjithë faktorët që janë të rëndësishëm. Në mënyrë që të dihet e vërteta se çfarë ndodhi dhe çfarë po ndodh rreth faturimit dhe gjendjes në përgjithësi që kanë të bëjnë me energjinë”, tha Beqiri.

Ndërkohë, qytetarët kanë paralajmëruar se do të protestojnë sërish të mërkurën më 6 mars dhe se protesta do të jetë edhe më masive. Luan Berisha nga grupi i qytetarëve protestues, u ka bërë thirrje qytetarëve që pamarre-parasysh bindjet e tyre politike t`i bashkëngjiten protestës siç thotë ai “kundër hajnisë së KEK-ut”.

“Kemi me organizuar një protestë gjithë qytetare ditën e mërkurë, për këtë u bëjë ftesë gjithë qytetarëve me çfarëdo bindje politike që kanë, s`është me rëndësi, më rëndësi është që me iu tregu hajnave që krejt jemi së bashku. Kështu që presim ditën e mërkurë me qenë një numër shumë më i madh në protestë”, ka thënë ai.

Siç, dihet një numër shumë i madh i qytetarëve të cilët janë të pakënaqur me faturat e muajit janar të shpërndara nga KEK-u shumëfish më shtrenjtë se sa muajt paraprakë, kanë protestuar disa herë para ndërtesë së korporatës energjetike të Kosovës. Qytetarët janë të pakënaqur edhe me reagimin e institucioneve përgjegjëse rreth shqetësimeve të tyre për faturat e energjisë elektrike, prandaj ata kanë paralajmëruar se nuk do ndalen me protestat e tyre derisa përgjegjësit të marrin dënimin e merituar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat