Diskutohen marrëveshjet për çështjet e hapura

Kosova

Diskutohen marrëveshjet për çështjet e hapura

Më: 13 mars 2013 Në ora: 12:16

(I plotësuar) - Prishtina dhe Brukseli tingëllojnë pak më ndryshe në optimizmin që kanë karshi procesit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pas vizitës së shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, në Prishtinë
të enjten, dhe takimeve që zhvilloi me liderët institucional dhe politik të Kosovës, del se ende ka çështje të hapura mes Prishtinës dhe Beogradit për veriun e Kosovës.

“Ne kemi diskutuar veçanërisht për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash dhe për domosdonë e finalizimit të diskutimeve dhe arritjes së marrëveshjeve mbi çështjet e hapura, me theks të veçantë për veriun e Kosovës, sa më shpejt të jetë e mundshme”, ka thënë baronesha Ashton në një deklaratë me shkrim, duke rikujtuar se do t’i raportojë Këshillit Evropian mbi marrëveshjet e arritura dhe zbatimin e tyre në muajin prill.

Përfaqësuesja e Lartë për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, nuk ka folur para mediave.

Kryeministri, Hashim Thaçi, tha pas takimit me Baroneshën Ashton se ishte konkludim i përbashkët që procesi i normalizimit të raporteve Kosovë - Serbi, të vazhdojë në suaza të respektimit të plotë të Kushtetutës, ligjeve të Kosovës, e standardeve evropiane.

Madje sipas tij, Prishtina dhe Beogradi janë pranë arritjes së një pajtimi.

“Në këtë moment jemi në një fazë të fillimit të fundit për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e plotë të gjendjes në veri,” shpjegoi Thaçi.

Shefi i qeverisë së Kosovës flet me tone optimiste sa i përket arritjes së marrëveshjes me Serbinë.

“Presim që edhe Beogradi të jetë më pragmatik në qasjen e vet, sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me shtetin e Kosovës. Sepse ky proces është i pakthyeshëm, do të ndodh. Serbia duhet ta njeh realitetin e Kosovës, është edhe fillimi i njohjes de jure për Republikën e Kosovës nga Serbia. Mbes me shpresë dhe optimizëm, se diçka e tillë do të ndodh,” tha Thaçi.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, pas takimit me baroneshën Ashton, theksoi se procesi i dialogut nuk ka hapur çështje që lidhen me statusin, apo ato që mund të rrënojnë të arriturat e përbashkëta me bashkësinë ndërkombëtare, ndërsa vlerësoi se marrëveshjet e arritura deri tash janë bazë e mirë për lehtësimin e jetës së qytetarëve nga të dyja anët e kufirit.

Në një komunikatë për media gjithashtu, presidentja e republikës citohet të ketë thënë se "duhet të jemi të pakompromisë në insistimin tonë që qeveria e Serbisë duhet të shpërbëjë strukturat e saj ilegale dhe paralele në komunat në veri të territorit të Kosovës, sepse ato po mbajnë peng jetën e qytetarëve serbë".

Shefja e diplomacisë evropiane Catherine Ashton është takuar edhe me përfaqësuesit e subjekteve politike në vend. Në takim është ditur se nuk do të marrë pjesë Lëvizja Vetëvendosje, e cila kundërshton fuqishëm procesin negociator në Bruksel.

Megjithatë, në takim nuk ka marrë pjesë as Lidhja Demokratike e Kosovës, kryetari i së cilës, Isa Mustafa, është thënë të jetë në udhëtim zyrtar jashtë vendit.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me baroneshën Ashton po ashtu u shpreh optimist se arritja e një marrëveshjeje Kosovë -Serbi nuk është larg.

Sipas tij, kryediplomatja evropiane nuk ka sjell asnjë kushtëzim për Prishtinën, në mënyrë që të arrihet ky synim. Por, ai tha se ka dallime në botëkuptimet rreth përgjegjësive që duhet të ketë asociacioni i komunave serbe, ndërsa nënvizoi se as këto dallime nuk janë propozime që tejkalojnë planin Ahtisaari.

“Ka pas definicione të ndryshme për tema të ndryshme, por edhe delegacioni i Kosovës, dhe të gjithë ne, po bëjmë përpjekje që për çdo temë që është e nevojshme me gjet zgjidhje, me gjet zgjidhje adekuate, por që mbesin ose që janë në kuadër të planit Ahtisaari,” shpjegoi Haradinaj.

Si ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ashtu edhe ai aktual Hashim Thaçi, porositën se nuk ka vend për shqetësim sa i përket Asociacionit të Komunave Serbe, dhe se konsultat me faktorin ndërkombëtar po bëhen për të analizuar definicionet se a janë ato në përputhje me ligjet e vendit, për të gjetur zgjidhjen adekuate.

Sido që të jetë, kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen të mërkurën e ardhshme në Bruksel, në saje të përpjekjeve për gjetjen e një formule që do t’i kënaqte të dyja palët rreth krijimit të një mekanizmi për serbët, në komunat ku ata janë shumicë.

Ashton ka filluar takimet në Prishtinë

Kryediplomatja evropiane, Catherine Ashton, ka filluar takimet në Prishtinë. Ajo ka takuar presidenten Jahjaga dhe kryeministrin Thaçi. Pas këtij takimi ajo ka një takim të përbashkët me përfaqësues të partive politike.

Në agjendë nuk është paraparë asnjë adresim për media. Temë e diskutimeve pritet të jetë asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, për të cilin janë shfaqur mospajtime mes palëve. Kryeministri Thaçi këtë vizitë, e ka cilësuar inkurajuese e cila do t`i lëviz gjërat përpara.

* * * * *

Përfaqësuesja për Politikë të Jashtme e BE-së, Baronesha Catherine Ashton e cila ka arritur mbrëmë në Prishtinë, sot do të takoj presidenten e vendit Atifete Jahajga, kryeministrin Hashim Thaçi dhe liderët e partive politike në vend. Në agjendën e takimeve të saj me krerët e shtetit dhe liderë të partive politike do të dominoj krijimi i Asociacionit të komunave serbe.

Siç dihet pala e Kosovës këmbëngul që nuk do të ketë kompetenca ekzekutive e legjislative ky asociacion, ndërsa Beogradi vazhdon të këmbëngul në këto kërkesa.

Më të kryer vizitën në Prishtinë është paralajmëruar që Ashton do të udhëtoj për Beograd.

Ashton arrinë në Kosovë

Baronesha Catherine Ashton ka mbërritur në Kosovë.

Ajo ka arritur në orën 22:00 në aeroportin e Prishtinës.

Vizita e lehtësueses së dialogut të quajtur për normalizimin e marrëdhënieve ishte paralajmëruar ditë më parë. Ajo pritet të bëjë një sërë takimesh me akterë të politikës në Kosovë.

Ashton sonte në Prishtinë për t'u siguruar për ratifikimin e marrëveshjes

Autoritetet në Prishtinë presin finalizimin e procesit të dialogut politik me Serbinë, që po udhëhiqet nga Bashkimi Evropian.

Në prag të vizitës së përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për politikë të Jashtme, Catherine Ashton, në Prishtinë, kryeministri Hashim Thaçi si dhe një pjesë e opozitës janë shprehur me optimizëm për rezultate, nisur nga largimi i strukturave serbe të sigurisë nga veriu, e deri te marrëveshja për integrimin e komunave veriore dhe formimin e një asociacioni të komunave serbe.

Kryeministri Hashim Thaçi tha të mërkurën para kabinetit qeveritar se nga vizita e baroneshës Ashton pret që të përshpejtohet arritja e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, e cila do të kishte efekte edhe në normalizimin e gjendjes në veri, ku Beogradi, përmes strukturave paralele, pamundëson shtrirjen e autoritetit të shtetit të Kosovës.

Paralelisht, Thaçi tha se ka zhvilluar edhe një bisedë telefonike me ndihmësin e zëvendëssekretarit amerikan të shtetit, Philip Reeker, për procesin e bisedimeve që po udhëhiqet nga Brukseli.

“Do të jetë një vizitë, e cila besoj që do të mund t’i lëvizë gjërat përpara, në mënyrë që të ndodhin këto marrëveshje më herët. Por, me theks të veçantë, ne do të fokusohemi në periudhat kohore të implementimit të të gjitha marrëveshjeve ndërshtetërore dhe mekanizmave implementues".

"Unë edhe sot kam zhvilluar një bisedë telefonike me zotin Reeker. Është një mbështetje e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për tërë procesin që po e zhvillojmë”, u shpreh Thaçi.

Përkushtimi i Prishtinës zyrtare në bisedimet me Serbinë është që të normalizohet gjendja në veri, theksoi kryeministri Thaçi. Edhe këtë herë, ai foli për Asociacionin e komunave serbe, duke potencuar se ky organ do të funksionojë në kuadër të sistemit juridik e kushtetues të Kosovës.

“Do të formohet edhe një Asociacion i komunave me shumicë serbe, i cili do të ketë rregulloren e vet të punës. Në baza vullnetare mund t’i bashkëngjitet çdo komunë dhe të shkëputet, në të njëjtën kohë. Por, gjithmonë pa asnjë mandat legjislativ, ekzekutiv apo të pushtetit të tretë”, tha Thaçi.

Bazuar në funksionet e këtij asociacioni, të cilat kryeministri Hashim Thaçi i pati prezantuar të martën para Kuvendit të Kosovës, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, tha se ato, si të tilla, nuk kanë karakter ekzekutiv, ndonëse prekin në rregullimin e brendshëm të Kosovës.

“Deri tani këto kompetenca nuk kanë kompetenca ekzekutive, por mos të harrojmë që kemi rrëshqitje në rregullimin e brendshëm të Kosovës dhe kjo është në kundërshtim me parimet që i kemi vendosur".

"Sidoqoftë, angazhimet konkrete do të tregojnë qartë që procesi po shkon drejt përmbylljes. Nënshkrimi i marrëveshjes eventuale krijon ambient për zhbllokimin e procesit të integrimeve evropiane për Serbinë, në njërën anë, dhe për Kosovën, në anën tjetër”, deklaroi Haziri.

Edhe deputeti Lutfi Haziri beson që procesi i bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit po shkon drejt përmbylljes. Ai pret që edhe Ashton gjatë qëndrimit të saj në Prishtinë do të kërkojë nga forcat politike që ta mbështesin ratifikimin e marrëveshjes eventuale me Beogradin në Kuvendin e Kosovës.

“Vizita e saj në Prishtinë është me mision që marrëveshja eventuale të ratifikohet dhe të ketë mbështetjen e deputetëve dhe të publikut, qytetarëve në Kosovë, sepse fundja ajo po takon vetëm partitë politike që i kanë dhënë mbështetje procesit, e jo ato grupe a individë që kanë qenë në kundërshtim dhe kanë bërë thirrje që procesi si i tillë të ndalet”, theksoi Haziri.

Shefja e diplomacisë Evropiane, Catherine Ashton, gjatë qëndrimit të saj dy ditor në Prishtinë, pritet që të zhvillojë takime me udhëheqësit e institucioneve, si dhe me liderët e partive opozitare që kanë mbështetur bisedimet.

I vetmi subjekt politik që nuk ka shprehur interesim për të takuar zonjën Ashton është Lëvizja Vetëvendosje, e cila vazhdon të kundërshtojë ashpër procesin aktual të bisedimeve Prishtinë - Beograd, të ndërmjetësuar nga Brukseli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat